Korea e Veriut lëshon raketën me rreze të gjatë

Raketa, e përbërë nga tri faza, u lëshua në 09:49 (01:49). Raportimet bëjnë të ditur se ajo ndoqi trajektoren e menduar më parë, teksa fazat e rënies u bënë në zonat e pritura. 

Korea e Veriut ka bërë të ditur se raketa e saj po dërgon një satelit në hapësirë, por disa shtete kanë thënë se lëshimi i saj ka si synim mbulimin e zhvillimeve të raketave me rreze të gjatë.

Lëshimi i raketës herën e fundit, në prill, dështoi, pasi raketa u shkatërrua sapo u nis për në hapësirë.

Asnjë deklaratë nuk është lëshuar ende nga Korea e Veriut për këtë lëshim, që erdhi vetëm 2 ditë pasi ajo kishte njoftuar se problemet teknike mund të detyrojnë shtyrjen më vonë të lëshimit.

Ajo vjen gjithashtu vetëm një javë para zgjedhjeve presidenciale të Koresë së Jugut, si dhe afërsisht 1 vit nga vdekja e liderit Kim Jong-il, i cili u nda nga jeta më 17 dhjetor 2011.

Raketa u lëshua nga një bazë në bregun perëndimor të Koresë së Veriut dhe ishte planifikuar të kalonte mes gadishullit korean dhe Kinës, me një fazë të dytë duke zbritur drejt Filipineve, përpara se të niste satelitin për në orbitë.

Qeveria japoneze, e cila vuri në gadishmëri forcat e armatosura përpara lëshimit, tha se raketa kishte kaluar mbi disa pjesë të prefekturës Okinawa, në jug të tokës japoneze.

Raketa, që quhet nga Korea e Veriut si satelit, kaloi mbi Okinawa rreth orës 10:01. Ne nuk lëshuam asnjë kundër-raketë”, thuhej në një deklaratë të qeverisë, të cituar nga AFP.

Presidenti i Koresë së Jugut, Lee Myung-bak, ka bërë thirrje për një takim urgjent të këshilltarëve të tij kryesorë. Seoul-i, Washington-i dhe shumë shtete të tjera paralajmëruan Korenë e Veriut të mos e kryente këtë lëshim, duke thënë se kjo do të përbënte një testim të raketave me rreze të gjatë, gjë që është e ndaluar nga rezolutat e OKB-së.

SHBA dhe aleatët e tyre thanë se lëshimi i raketës përfaqëson teste të ndaluara raketore, sepse teknologjia bazë është e njëjta. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button