Palmer: SHBA-të nuk i mbajnë anën askujt në Kosovë

Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Matthew Palmer, njëherësh i dërguar i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, tha të mërkurën se Shtetet e Bashkuara shpresojnë që Kosova dhe Serbia do t’u rikthehen bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Gjatë një debati mbi Angazhimin Strategjik të Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor, Egje dhe në Turqi gjatë pandemisë së koronavirusit, të organizuar nga Fondi Gjerman Marshall, ai tha se normalizimi i marrëdhënieve është thelbësor për të hapur rrugën evropiane për të dyja vendet. Por, tha ai, ende ka shumë punë për të bërë.

“Kosovës i duhet një qeveri. Ne po presim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese që do t’i hapte rrugën zgjidhjes së çështjeve që kanë të bëjnë me formimin e qeverisë. Dua të nënvizoj se Shtetet e Bashkuara nuk duan të ndikojnë procesin në asnjë mënyrë, nuk duam të zgjedhim qeverinë e re të Kosovës, nuk kemi favorit, nuk mbajmë anë. Ajo çfarë duam të shohim është një proces që është i mbështetur në Kushtetutën e Kosovës dhe kuadrin ligjor të Kosovës, që prodhon një qeveri që është përfaqësuese dhe ka fuqi të angazhohet në procesin e bisedimeve”, tha ai, transmeton VOA.

Zoti Palmer nuk deshi të flasë për afatet dhe lidhjen e mundshme të zgjidhjes së kësaj çështjeje me zgjedhjet presidenciale amerikane, por theksoi se “po përpiqemi të ndihmojmë palët që të gjejnë një zgjidhje”.

Bisedimet e lehtësuara nga Bashkimi Evropian janë pezulluar që nga nëntori i vitit 2018, për shkak të tarifave të vendosura nga Kosova ndaj mallrave serbe. Tashmë këto tarifa janë hequr dhe zëvendësuar me masa të reciprocitetit nga ana e qeverisë së Kosovës, një hap që nuk është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Në fillim të muajit mars Korporata “Sfidat e Mijëvjeçarit”, pezulloi programet për Kosovën ndërsa theksoi se rifillimi i tyre do të varet nga qëndrimi i qeverisë së Kosovës për tarifat ndaj mallrave serbe.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button