Sa vajza në botën shqiptare po kthehen në Lolita?

Njerëzit të cilët janë përcaktuar kryesisht në fushën e letërsisë, por edhe ato të cilët pavarësisht profesionit, nuk mund ta lënë anash leximin si pasion, nuk mund të mos e kenë dëgjuar emrin e Migjenit, të ashtuquajturin “poet i mjerimit” dhe temën e ndaluar (tabu temën), të cilën ai e trajtoi për herë të parë në letërsinë shqipe, pavarësisht kohës dhe rrethanave politike të dëmshme e mbytëse të viteve ’30.

Të përmendësh emrin e Migjenit dhe të jetosh çastet e ardhshme njëjtë si të parat, nuk është e mundur, ngase thellë në veten tënde të shqetësojnë gjërat, të cilave ai me pak fjalë u mundua t’ua hidhte dritën dhe popullin shqiptar ta vetëdijësonte për fatkeqësinë që i kishte rënë. Fatkeqësi kjo e fryrë dhe e mbuluar me copë injorance nga udhëheqësit dhe lakmitarët e karrigeve të zyrës, të cilët përpos pallatit të vet, nuk mendonin për dhomën e ftohtë të njeriut të varfër. Sa herë që e kujtojmë këtë autor të madh të botës së letrave shqipe, menjëherë na bien në mend Luli me tullumbacet e tij, shpresa e të cilit nuk mund të varej në asnjë njeri; dhe Zeneli me botën e tij fëmijërore në një vend që ia mbyste ëndrrat e ndjenjat ia bënte të fjetura e të heshtura nën dehje egosh të pushtuesve dhe udhëheqësve tradhtarë të vendit.

Përpos dy personazheve të lartpërmendur, ajo që shkakton dhembje të madhe për lexuesit e Migjenit është femra dhe paraqitja e jetës së saj në rastet më të tmerrshme e më të turpshme të dhëna si asnjëherë më parë. Ndër të tjera aty gjemë historinë e Lilushes, vajzës që realizoi incestin me djalin e tezes së vet. Veprimi i tillë bashkë me homoseksualitetin, të krijuara fshehtas, paraqesin çoroditjet e shoqërisë shqiptare të kohës. Me këtë pohohet prania e motivit të incestit edhe në letërsinë tonë, motiv të cilin, në botën e letrave të huaja e trajtoi edhe Markezi, themeluesi i realizmit magjik (letërsia latino-amerikane), në veprën e tij të pavdekshme “Njëqind vjet vetmi”.

Në të njëjtën rrugë të dhembjeve dhe humbjeve të mëdha të moralit e dinjitetit ai dha ecjen e gruas shqiptare të kohës, e cila për të shpëtuar fëmijën, shiste trupin dhe shpirtin, veprim ky që përpos humbjes së nderit ia solli edhe humbjen e familjes (burrin dhe djalin). Nuk mbetet anash as edhe Lukja, femra publike, roli i së cilës (roli i prostitutes) ia paraqiste fatin e ndërlidhur me rrethanat shoqërore, në një kohë kur burri ia harxhonte paratë, e gënjente, e degdiste në skaje merimangash dhe ia prishte edhe ëndrrat e pakta për jetën. Për të siguruar kafshatën e gojës ajo shiste trupin, por ajo që është më e keqja, secili hap e dërgonte në çmenduri të vetes.

Kur i dëgjojmë këto fate të personazheve në fjalë, ndihemi keq dhe thellë në vetët tona duam që t’i harrojmë të gjitha të këqijat e tyre dhe botën e femrës, në veçanti asaj shqiptare, ta bëjmë më të bukur, ta ngjyrosim me ngjyra simbolike, në të cilat ajo përpos shpresave do ta lidhë edhe jetën. Por, nga ana tjetër menjëherë na bie në mend edhe bota e letrave të huaja, në të cilat, fat të hidhur dhe të padëshiruar ka edhe femra e tyre, e cila përpos që tradhtohet, vritet, braktiset, lëndohet, çnderohet, e shohim edhe të keqtrajtohet si rrallë ndonjëherë, pra, të bëhet aktore e marrëdhënieve të ndaluara erotike. Kur mendojmë apo kur flasim mbi rastet e fundit, vëmendjen kryesore e kemi te vepra “Lolita” e Vladimir Nabokovit, e cila ndonëse i përket një letërsie tjetër, në të gjithë botën personifikon vajzat e rritura para kohe, të cilat me dhunë ose me qejf kryejnë marrëdhënie të ndaluara. Kjo vepër u botua fillimisht në Francë në një gazetë pornografike (1955). Ajo eksploron mendjen e një pedofili shumë inteligjent, por, që ndien neveri për vetveten, Hambert Hambert-in. Ai rrëfen jetën e tij si dhe obsesionin që e konsumon atë: epshin që ndien për vajza të vogla tërheqëse, si p.sh: Dolores Hejz-in, vajzën 12-vjeçare.

Kohët e fundit rastet e tilla i kemi të pranishme edhe në botën shqiptare. Të gjithëve na shqetësojnë këto fakte, sepse, përpos që paraqesin shpërfilljen e ligjit të të parëve dhe atij kanunor, se femra duhet të mbrohet, njëherë shohim edhe mbytjen e botës së ëndrrave femërore.

Vuajtja e shekullit migjenian sa vjen e po lëshon rrënjë të thella edhe sot, po rëndohet në shpirtin e secilit nga ne. Dëgjojmë për ngjarje nga më të tmerrshmet, më të ulëtat, në një denduri të madhe njerëzish, në mesin e të cilëve dallohen edhe ato me epshe të marra e shtazarake, fytyrat e të cilëve përpos që ia kanë humbur kuptimin dhe vlerën dashurisë njerëzore, kanë dhënë mbi ne të drejtën që të pështyjmë në çdo fytyrë të tillë, e për këtë të mos japim llogari tek askush.

Dita-ditës, të këqijat që ndodhin mbi botën dhe trupin e ndjeshëm të femrës, po na marrin frymën edhe ne të tjerëve, sepse ndonëse jemi larg skenave dhe maltretimeve të tilla, sërish vuajmë dhe ndjejmë dyfish dhembje, vetëm kur dëgjojmë se një vajze te re i është shkatërruar jeta, i janë vrarë ëndrrat e pakta të netëve me yje, i janë thyer shpresat, i është fëlliqur emri ose edhe i është prerë jeta (pra, pas çasteve kur ajo merr emrin Lolitë dhe e bën botën të vuan bashkë me të).

Ndonëse fatin e femrave shqiptare, mbështetur në ligjet kanunore, jemi mësuar ta shohim në duar të sigurta dhe në mbrojtje të të fortit, tmerrohemi nga fakti se ajo si e tillë po keqpërdoret dhe para botës del me epitete negative nga më të ndryshmet. Nëse për të gjitha këto raste deri më sot nuk mban askush përgjegjësi dhe nuk del një që botën e femrave ta bëjë më të bukur, ne duhet të bëjmë çmos, të mundohemi me mish e me shpirt për të mirën e saj. Të mos lejojmë më që të shtohet ende numri i Lolitave në botën tonë shqiptare, sepse me hapa të tillë, përveçse në ferrin dantesk, veten nuk e drejtojmë askund tjetër. Më e mira do të ishte që në vend të Lolitave, Lukeve e Lilusheve, bota shqiptare të mbushej me emrat e femrave të forta e që historia i njeh si të pathyeshme.

Shkroi – Adelina XHAFERI

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button