Reçicë e Vogël: Kotec pulash në vendin ku u premtua shkolla, objekti s’do të ndërtohet as në vitin 2021 (FOTO)

Kotec pulash, zogj e disa bujq mund të shihen në vendin ku u premtua ndërtimi i shkollës fillore në Reçicë të Vogël, por jo edhe mjete punuese për këtë të fundit. Sipas tenderit të publikuar në sistemin për furnizim publik, kjo shkollë tanimë duhej të ishte në procesin e ndërtimit të saj. Nxënësit do vazhdojnë të ecin me kilometra për të arritur në shkollë, edhe vitin shkollor 2020/2021, shkruan Portalb.mk.

Pesë muaj më herët, edhe atë pikërisht në kohën kur ishte e sigurt se do të mbahen zgjedhjet parlamentare të prillit, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Arbër Ademi, vazhdimisht në faqen e tij të fejsbukut publikonte tenderin për ndërtimin e kësaj shkolle.

E në kohën kur u publikua ky tender, nga kjo ministri nuk hezitonin të japin deklarata, madje të njëjtit pikë për pike na shpjeguan se si do të rrjedhe procedura për ndërtimin e kësaj shkolle, sipas të cilëve, nxënësit e Reçicës së Vogël vitin shkollor 2021 do të mund ta fillonin në objektin e ri.

“Në fillim të shkurtit hapet mundësia për aplikimin e kompanive që do ta ndërtojnë shkollën fillore në Reçicë të Vogël. Në qoftë se punët shkojnë sipas tenderit që figuron në sistemin për prokurim publik, punimet për shkollën do të fillojnë në fillim të muajit prill. Meqenëse afati për ndërtimin e shkollës është 17 muaj, i bije që e njëjta të jetë gati në shtator të vitit 2021” thanë për Portalb.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, me datë 16.01.2020.

Megjithatë, sot që punimet për ndërtimin e kësaj shkolle duhej të kishin filluar, nga ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk përgjigjen në pyetjet tona kurse telefonin nuk e hapin.

Vendi ku duhej të ndërtohet shkolla në Reçicë të Vogël.
Vendi ku duhej të ndërtohet shkolla në Reçicë të Vogël.

Vizituam vendin ku punimet për ndërtimin e kësaj shkolle duhej të kishin filluar, aty gjendej gjithçka përpos mjeteve punuese për ndërtim, edhe atë një nga personat që punonte aty afër na tha se tanimë kanë hequr dorë nga shpresa për të pasur një shkollë Reçica e Vogël.

“Jo, ne as nuk shpresojmë më për një gjë të tillë mirëpo as nuk mashtrohemi siç jemi mashtruar më herët. Kjo shkollë premtohet gjithmonë kur ka zgjedhje e më pas harrohet, e njëjta gjë ndodhi edhe kësaj radhe” tha një nga banorët e Reçicës së Vogël.

Ndërtimi i shkollës fillore në Reçicë të Vogël, Tetovë, është një nevojë e madhe për të rinjtë e këtij vendi, në këtë vendbanim rreth 1000 nxënës i ndjekin mësimet disa kilometra larg  shtëpive të tyre, një pjesë në Reçicën e Madhe dhe pjesa tjetër në shkollën “Naim Frashëri” në Tetovë.

Zgjidhja e këtij problemi u premtua disa herë, madje nga fushata e parë parazgjedhore e kryetares Arifi, por deri më tani nuk është ndërmarr asgjë në drejtim të aktiviteteve ndërtimore.

Vendi ku duhej të ndërtohet shkolla në Reçicë të Vogël.
Vendi ku duhej të ndërtohet shkolla në Reçicë të Vogël.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button