Lëvizja Vetëvendosje kërkon mbajtjen e zgjedhjeve në Podujevë

Lëvizja Vetëvendosje ka njoftuar të martën se kryetari i Qendrës së saj në Podujevë, Bajram Ajeti ka dorëzuar në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ) kërkesën për mbajtje të zgjedhjeve komunale më 14 qershor.

“Pezullimi i zgjedhjeve komunale për kryetar komune është bërë me datën 14.03.2020, nga presidenti për shkak të parandalimit të përhapjes së koronavirusit. Situata e krijuar në vend e posaçërisht në komunën tonë ku nuk kemi asnjë rast aktiv të infektuar me covid19 mbi një muaj. Vlerësojmë se janë krijuar kushtet dhe rrethanat për t’u mbajtur zgjedhjet”, është thënë në njoftimin e kësaj Lëvizjeje në rrjetin social, Facebook.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka thënë për Radion Evropa e Lirë se ky trup do të organizojë zgjedhjet kurdo që i kërkohet.

“Sikurse në të kaluarën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore. Ndërkaq, lidhur me situatën specifike në të cilën ndodhemi për shkak të pandemisë, ne nuk mund të japim një përgjigje për aspektet që kanë të bëjnë me shëndetin e qytetarëve pasi janë institucionet tjera përkatëse dhe profesionale që e kanë fushë të përgjegjësisë së tyre”, është thënë në njoftim.

Kjo Lëvizje pati synuar të garojë në zgjedhjet në Podujevë me Shpejtim Bulliqin, transmeton REL.

Zgjedhjet ishin shpallur pas dorëheqjes së Agim Veliut nga pozita e kryetarit të këtij qyteti, pasi ishte emëruar Ministër i Brendshëm në Qeverinë tashmë në detyrë.

Ai më pas është shkarkuar nga kjo pozitë nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas kushtetutës së Kosovës, presidenti vendos për datën e zgjedhjeve.

I pyetur të martën nga gazetarët lidhur me këtë çështje, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se do të ftojë dhe do të diskutojë me të gjitha partitë politike, por, duke respektuar këshillat e Institutit të Shëndetit Publik.

Një ditë më parë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka zhvilluar një takim me kryetaren e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka.

Sipas një komunikate për media është thënë se ‘ndonëse në kohë pandemie, KQZ është e gatshme të ushtrojë autoritetin e saj publik institucional’.

Prej rastit të parë të raportuar me koronavirus në Kosovë më 13 mars, numri i përgjithshëm i të infektuarve në këtë shtet ka arritur në 1,038, i të shëruarve në 791 dhe i viktimave në 30.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button