LSDM dhe VMRO nuk lëshojnë pe nga qëndrimet e tyre të kundërta për datën e mbajtjes së zgjedhjeve

Tre ditë para përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, partitë politike akoma nuk arritur pajtueshmëri rreth caktimit të datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoninë e Veriut. Dy partitë më të mëdha maqedonase, LSDM dhe VMRO – DPMNE, nuk kanë harmonizuar akoma qëndrimet e tyre rreth kësaj, shkruan Portalb.mk.

Përderisa LSDM, propozon që zgjedhjet të mbahen në muajin qershor, përkatësisht, 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, VMRO-ja opozitare, e cila në takimin e liderëve propozoi tre termine: 23, 30 gusht dhe 13 shtator, nuk lëshon pe nga pozicioni i saj se zgjedhjet nuk mund të mbahen në qershor, për shkak të pandemisë së koronavirusit, shkruan Portalb.mk.

LSDM konsiderojnë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më shpejtë të jetë e mundur, duke vlerësuar se, shpërbërja e Kuvendit dhe Qeveria teknike me mandat për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 12 prill, ka vënë shtetin në një situatë skajshmërisht të komplikuar.

Nga kjo parti thonë se, për këtë arsye nevojiten zgjedhje, që të sigurohen institucione tërësisht funksionale, por njëkohësisht të mbrohet shëndeti i qytetarëve, duke pasur parasysh paralajmërimet e institucioneve shëndetësore relevante botërore, për mundësinë që virusi të paraqitet sërish në vjeshtë.

Kostadin Kostadinov, LSDM

“LSDM dëshiron zgjedhje në të cilat do të merr pjesë edhe opozita. Kemi kapacitet të fortë demokratik dhe sikurse edhe deri më tani, do të bëjmë gjithçka që opozita të ndërmerr përgjegjësinë e saj, por, nëse VMRO DPMNE vendos të bllokoj këtë proces demokratik, ne nuk do të kemi zgjidhje, përpos të respektojmë afatet ligjore të procesit zgjedhor. Shëndeti dhe jeta e qytetarëve janë më të rëndësishme, ndërsa për këtë na duhet sistem demokratik funksional dhe mekanizma të plota ekonomike për rritjen e konsumit të qytetarëve dhe për zhvillim të ekonomisë së vendit  Maqedonia e Veriut duhet që me kapacitet të plotë të institucioneve të pret shtatorin që të jetë tërësisht e përgatitur për ballafaqim edhe më efikas me pasojat e rrjedhës së deritanishme të pandemisë dhe për pritjen e valës së re të virusit”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Hristijan Mickoski
Hristijan Mickoski

Ndërkohë, partia opozitare VMRO DPMNE, mbetet në qëndrimin se zgjedhjet nuk duhet të mbahen në qershor, me arsyetimin se shëndeti i qytetarëve është para së gjithash.  Lideri i kësaj partie, Hristijan Mickoski, tha se  gushti dhe shtatori është periudha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve, sepse, sipas tij atëherë është më i sigurt shëndeti i qytetarëve, ndërsa në pyetjen nëse partia e tij do t’i bojkotonte zgjedhjet eventuale në qershor, tha se gjithçka është e mundur.

“Ata vlerësojnë se ministri i tyre për Shëndetësi ka simpati te qytetarët dhe me këtë mendojnë se do të marrin mbështetje të madhe nga qytetarët. Por ka edhe grupe të caktuara të qytetarëve të cilët nuk do të dalin nga frika e koronavirusit, por edhe pasi janë të dëshpëruar nga ky pushtet i cili premtonte shumë, por nuk u përmbush asgjë”, ka thënë mes tjerash Mickoski.

Partitë po ashtu nuk kanë precizuar nëse do të ketë takim të ri liderësh, për arritjen e pajtueshmërisë mes vete për dakordimin e datës së zgjedhjeve. I pyetur rreth kësaj gjatë një vizite në Shtip, kryeministri teknik, Oliver Spasovski, ka thënë se partitë politike duhet të bien dakord në bazë të asaj që nënkupton rregullore pozitive juridike në vend, duke mos konkretizuar nëse do të ketë takim liderësh.

Oliver Spasovski,
Oliver Spasovski,

“Gjendja e jashtëzakonshme, ndërprerja e gjendjes së jashtëzakonshme dhe na mbeten edhe 22 ditë deri në zgjedhjet dhe kjo është diçka që të gjithë politikanët duhet të jenë përgjegjës dhe të arsyeshëm në këtë pjesë. Unë pres që dialogu midis partive politike të inkurajohet. Sepse sot po bisedohet dhe po flitet për interesin e shtetit dhe qytetarëve. Nëse interesi më i madh është shteti dhe qytetarët, atëherë mendoj se në minimum duhet të zvogëlohen interesat personale ose partiake dhe vendimet të merren në interes të qytetarëve dhe shtetit”, tha Spasovski.

Ndërkohë, zëdhënësi i VMRO – DPMNE-së, Naum Stoilkovski, i pyetur nga Portalb.mk se, a po zhvillohen bisedime mes dy partive, për arritjen e pajtueshmërive, tha se ekziston një kanal komunikimi, por se pozicioni i tyre mbetet i njëjtë.

Zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së Naum Stoillovski

“Ekziston kanal i komunikimit, ne mbetemi në pozicionet tona, qëllimi primar i së cilit është mbrojtja e shëndetit të qytetarëve. Është mirë për shtetin të ketë kompromis dhe të ketë shkallë më të lartë të përgjegjësisë së pushtetit ndaj shëndetit të qytetarëve dhe ardhmërisë së vendit”, tha Stoilkovski.

Liderët partiak kanë zhvilluar dy takime te presidenti, Stevo Pendarovski, në përpjekje për të caktuar një datë për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.Fillimisht, ata u takuan më e 12 maj, ku u vendos që para përcaktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve, të kërkohet mendim nga Komisioni Shtetërore i Zgjedhjeve, nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse dhe nga Zyra e OSBE/ODIHR.

Anëtarët e KSHZ-së janë dakorduar se të gjitha vendimet që duhet të sillen lidhur me zgjedhjet e parakohshme dhe vazhdim të procesit zgjedhor në kontekst të masave për koronavirusin duhet të jenë në pajtim me Kodin zgjedhor dhe ligjet ekzistuese.

Megjithatë, në takimin e fundit, i cili u mbajt më 18 maj, edhe pas më shumë se 3 orëve bisedime, krerët e partive politike në vend, nuk u morën vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button