Opozita nuk tërheq amendamentet, rrezikohet buxheti

Rrezikohet miratimi i propozim buxhetit për vitin 2013 në afatin e parashikuar. Kjo pasi opozita shqiptare edhe një herë bën me dije se nuk do të tërheq 420 amendamentet pa marrë “hisen” shqiptare të buxhetit.

“Ne kemi propozuar mbi 400 amendamente me të vetmin qëllim që ajo që premtohet nga partneri i koalicionit  të VMRO-DPMNE-së, BDI, se me këtë buxhet 20-25 për qind të mjeteve do të shkojnë në regjionet me shumicë shqiptare, ne kemi propozuar 400 amendamente që pikërisht ky 20 për qind nga 370 milion euro investime kapitale të jetë diku 80-90 milion euro, të realizohen në këto regjione. Këtë e bëmë si një reaksion ndaj mënyrës dhe realizimit të projektit të 2012, ku pikërisht në atë buxhet të 2012 u premtuan mbi 100 milion euro projekte, por të njëjtat projekte nuk u realizuan dhe të njëjtat projekte janë shkruar kopi-paste në buxhetin e 2013”.  Ne kërkojmë që të gjitha ata të drejta të cilat shqiptarët  i kanë fituar me Marrëveshjen Ohrit duhet burime financimi përmes buxhetit që ato të drejta të realizohen” – tha Izet Zeqiri, deputet i RDK-së, propozues i amendamenteve.

Ministri i Financave Zoran Stavrevski paralajmëroi dje se mos miratimi i buxhetit në afatin e parashikuar dhe bllokimi i kredisë nga Banka Botërore do ti kushtojë shumë vendit në aspekt financiar, për çka sipas tij fajtore do të jetë opozita.

“Nëse vitin e ardhshëm Republika e Maqedonisë del në tregun e kapitalit me euro-obligacione për të cilat nuk ka nevojë për aprovim nga Kuvendi, në vend se t’i marrë dy kreditë e volitshme nga Banka Botërore, shkalla e interesit që do ta paguajë shteti do të jetë më shumë se dyfish më i lartë në krahasim me atë që është kontraktuar me Bankën Botërore”, deklaroi  Zoran Stavreski.

Në rast se Buxheti nuk miratohet deri më 31 dhjetor, atëherë Ministria e Financave aprovon përdorimin e mjeteve në muaj, më së shumti deri në një të tretën e shpenzimeve të përgjithshme në çerekun e parë të vitit paraprak./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button