U kundërshtuan planet për ndeshje të pasdites në Itali

Planet për të luajtur disa ndeshje të Serie A nga ora 16:30 po kundërshtohen, ndërsa kapiteni i një skuadre e ka vlerësuar idenë si skandaloze, transmeton Koha.net.

Serie A e Italisë në futboll shpreson të rifillojë më 13 qershor, kurse 12 xhirot e mbetura duhet të zhvillohen brenda një kohe të shkurtër për të kompletuar edicionin 2019\2020.

Qeveria e Italisë të enjten pritet të vendos nëse liga mund të vazhdojë dhe kur eventualisht do të vazhdojë.

Media të shumta italiane kanë raportuar se Serie A planifikon që ndeshjet të luhen brenda një dite me terminë në 16:30, 18:45 dhe 21:00.

“Të luash në ora 16:30 në mes të verës, në qershor apo korrik? Nuk ka gjasë që të luajmë në atë kohë”, ka thënë Umberto Calcagno, nënkryetar i Asociacionit Italian të Lojtarëve (AIC), në një intervistë për La Repubblica.

“Presidentët e klubeve mendojnë vetëm për televizionin, jo për shëndetin e lojtarëve”.

Kapiteni i Brescias, Daniele Gastaldello po ashtu ka shprehur brengat.

“Ju po rrezikoni sigurinë e lojtarëve”, ka thënë ai për Rai. “Të luash shumë ndeshje, me temperaturë të lartë, nuk do të jetë e lehtë. Të luash në 16:30 është skandaloze, nuk është e mundshme”, ka shtuar ai.

Ish-mjeku i Italisë, Enrico Castellaci ka thënë se ideja ia ka rikujtuar botërorin e vitit 2014 në Brazil.

“Është vështirë të luhet në atë kohë pasi është shumë nxehtë në verë. Më kujtohet Kupa e Botës në Brazil. Ne kemi luajtur me lagështi 90 për qind, në ora një pasdite. Janë kushte të vështira për t’i përballuar. Është kohë e ditës që unë do ta shmangia”.

Serie A zakonisht luhet nga fundi i gushtit deri në fund të majit. Por edicioni është pezulluar më 9 mars. Ndeshjet zakonisht luhen në ora 12:30, 15:00, 18:00 dhe 21.00. Por terminet e pasdites shmangen në gusht dhe herët në shtator.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button