Mbi 700 të vdekur nga tajfuni në Filipine

Bilanci i viktimave të shkaktuara nga “Bopha”, stuhija më e fortë e këtij viti në Filipine, ka kaluar tashmë kuotën e 700 njësive. Lajmin e kanë bërë të ditur autoritetet lokale, të cilat kanë saktësuar se qindra persona të tjerë, shumica e të cilëve peshkatarë, janë ende të humbur. 

“Bopha”, që ka kaluar jugun e arqipelagut gjatë natës mes së martës dhe së mërkurës së kaluar, ka shkaktuar plot 714 të vdekur. 

Sipas zyrës së mbrojtjes civile, shumica e viktimave janë regjistruar në ishullin e Mindanaos, ndërkohë që numri i personave të humbur është 880. 

Presidenti filipinas Benigno Aquino mbërriti të premten në rajonin e shkatërruar nga tajfuni, për të parë personalisht përmasat e ndihmave që nevojiten dhe për të takuar të mbijetuarit.

“Duam të dimë se si kjo tragjedi ka ndodhur në mënyrë që të shmangim përsëritjen e saj”, deklaroi Aquino teksa zbriste nga një helikopter në Nju Batan, në ishullin e Mindanaos. 

“Jam këtu për të marrë shpjegime. Nuk është koha për të bërë akuza, por për të punuar”, tha presidenti përpara se të drejtonte shpërndarjen e ndihmave ushqimore për 2 mijë të mbijetuar, të strehuar në një palestër. 

Pasi përfshiu ishullin e Mindanaos, tajfuni shkatërroi Palauanin, zonë e njohur në të gjithë botën për plazhet e bukura dhe pikat për të bërë zhytje. 
Ndërsa provinca që ka vuajtur më shumë impaktin e tajfunit është Lugina Kompostela, ku përmbytjet kanë përfshirë ndërtesa, plantacione dhe shkolla./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button