Presidenti Trump intensifikoi aktivitetet publike në Ditën e të Rënëve

Presidenti Donald Trump ka planifikuar disa aktivitete për Ditën e të Rënëve, një në Varrezat Kombëtare pranë Uashingtonit, një tjetër në fortesën historike Fort McHenry të Baltimorës. Presidenti e pat quajtur vjet Baltimorën “një qytet në kaos, i mbushur me mij”. Krytari i bashkisë reagoi ndaj planeve të presidentit për vizitë duke i sugjeruar të mos vijë, shkruan Zëri i Amerikës.

Presidentët zakonisht nderojnë të rënët duke vënë një kurorë dhe duke mbajtur fjalim tek Varrezat Kombëtare. Por në një javë kur pandemia pritet të çojë në 100 mijë numrin total të viktimave, edhe ceremonitë përkujtimore kanë ndryshuar. Presidenti do të vërë kurorë tek Varri i Ushtarit të Panjohur.

Ai pritet të flasë gjatë vizitës në Fortesën Fort McHenry të Baltimorës. Nga kjo fortesë në 1812, gjatë një beteje me trupat britanike, një officer amerikan shkroi “Flamuri i Mbuluar me Yje” që u bë himni kombëtar.

Presidenti ka shtuar aktivitetet publike gjatë ditëve të fundit, në përpjekje për të treguar se vendi po i kthehet normalitetit dhe po del nga izolimi që ka goditur rëndë ekonominë.

Në maj presidenti vizitoi fabrika ku prodhohen pajisje kundër pandemisë në Arizona, Pensilvani dhe Miçigan. Ai ka në plan të shkojë në Florida të mërkurën për të ndjekur nisjen për në hapësirë të dy astronautëve të NASA-s. Këtë fundjavë presidenti luajti golf në Virxhinia.

Kryetari i Bashkisë së Baltimorës, Bernard C. “Jack” Young e ka kritikuar vizitën e presidentit duke thënë se përcjell mesazhin e gabuar, ndërkohë që njerëzve u është thënë të rrinë në shtëpi. Ai shtoi se qyteti i Baltimorës nuk ka fonde për të përballuar koston e vizitës së presidentit, ndërkohë që humbet 20 milionë dollarë në muaj nga pandemia.

Kryetari i bashkisë foli për goditjen disproporcionale të virusit në këtë qytet, krahasuar me ritmet kombëtare, duke i bërë thirrje presidentit të jetë shembull pozitiv, duke mos bërë udhëtime jo të domosdoshme.

Shtëpia e Bardhë reagoi me mospërfillje.

“Burrat e gratë e guximshme që kanë mbrojtur liritë tona ndër breza nuk kanë ndenjur në shtëpi dhe as presidenti nuk do të mbyllet brenda, por do të nderojë sakrificat e tyre duke vizituar objekte historike,” tha në një email të dielën zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Judd Deere.
Vizita e presidentit në Baltimorë, qyteti më i madh i shtetit Meriland, zhvillohet një javë pasi ky shtet filloi të heqë disa kufizime, por jo në Baltimorë ku gjendja mbetet shqetësuese.

Zona e kryeqytetit Uashington ka disa nga ritmet më të larta të infeksionit me koronavirus, sipas Dr. Deborah Birx, koordinatore e ekipit të Shtëpisë së Bardhë për përgjigjen kundër koronavirusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button