Anketa e IRI, dyshime nga ekspertët

Anketa e lëshuar dje nëpër media nga ana e deputetëve të VMRO-së ka ngjallur reagime tek ekspertët. Mirjana Najçevska shpreh dyshime për besueshmërinë e kësaj ankete për vetë faktin se IRI ka paralajmëruar tërheqje nga Maqedonia që nga viti 2012.

“Në lidhje me këtë anketë më mundojnë dy çështje, e para është ajo se IRI aq sa kam informata është tërhequr nga Maqedonia dhe nga realizimi i anketave në Maqedoni që në vitin 2011 dhe gjithashtu nuk ka asnjë informatë për ndonjë anketë të bërë kohës së fundit në faqen zyrtare të kësaj organizate. Elementi i dytë i cili më mundon është përdorimi i anketave për reklamimin e partive politike, në vend se anketat të përdoren që pushteti të njohtohet me problemet dhe të reagon për zgjidhjen e atyre problemeve, në fakt anketat përdoren për reklamimin e qeverisë dhe manipulim me opinionin publik” – thotë Mirjana Najçevksa, eksperte.

Edhe kryetari i Institutit Liberta, Edmond Ademi komentoi shkurt për Portalb se kjo anketë sipas tij është një dështim me përmasa kolosale.

“Anketë me llogon e IRI-t, por me anketarë të Pavell Shatevit dhe Dimitrija Cupovskit. Sipas meje është një “big fail” me përmasa kolosale” – tha Edmond Ademi nga Instituti “Liberta”.

Nga kompania e cila ka realizuar anketën, Brima Gallup thonë se realizimi është bërë me kërkesë të IRI-t, edhe pse vërtetojnë tërheqjen e zyrës nga Maqedonia. Sipas tyre, anketat e IRI nuk do të publikohen askund, por vetëm shpërndahen tek të gjitha partitë politike në vend.

“Është fakt që IRI tashmë prej vitit 2011 nuk ka zyrë në Maqedoni. Ata nuk i publikojnë rezultatet e hulumtimit, por i shpërndajnë informacionet tek partitë dhe partitë trajtohen në mënyrë të barabartë, praktikisht e kanë informacionin e njëjtë. Ata asnjëherë nuk publikojnë informatat online, por i shpërndajnë drejtpërdrejtë tek partitë. Ata janë pronarët e informatës, ne vetëm kryejmë anketat në terren me porosinë e tyre” – thonë nga Brima Gallup, realizuese e anketës.

Sipas anketës që u lëshua në opinion dje, VMRO dhe BDI mbesin me rejtingun paraprak, përderisa bie rejtingu i LSDM-së./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button