SOCIOLOGJI KLASIKE: MUKADDIME

Ibn Halduni (1332-1406) lindi në Tunizi, në një familje me pozitë të lartë dhe intelektuale, të shpërngulur nga Sevilja e Spanjës myslimane (Andaluzia). Është figurë madhore e mendimit botëror, dijetar që vuri bazat e shkencave humane, i mbiquajtur “Njutoni i shkencave sociale”, “ylli i vetëm i kohës se vet”, një erudit që ka lëvruar në shumë fusha, si në sociologji, në filozofinë e historisë, demografi, historiografi, histori kulturore, diplomaci, në teorinë ushtarake, teologji, ekologji, ekonomi, teori politike, biologji, kimi, etj. Interpretimet e tij janë pikë e ndritshme në errësirën e dogmatizmit fetar të epokës mesjetare, kur sundonin doktrinat fideiste kishtare që nuk linin hapësirë për çfarëdo ndërhyrjeje ideore njerëzore rreth konceptualizimeve të shoqërisë dhe rregullimit shoqëror. Faktet e historisë së mendimit flasin se ka pasur njerëz që kanë menduar sociologjikisht  shumë më herët sesa sociologjia të bëhej një disisplinë e veçantë akademike: Platoni, Aristoteli, Konfuci, Ibën Halduni, Volteri, të cilët kanë përgatitur skenën e sociologjisë moderne. Ibën Halduni llogaritet lajmëtari i parë, madje edhe themelues apo “baba i sociologjisë”,  Revista e UNESCO-s Prospects: Quarterly Review of Comparative Education (1993/1994) e ka vënë Ibën Haldunin në mesin e 100 mendimtarëve më të mëdhenj të historisë njerëzore.

Mukaddime apo Prolegomena (Hyrja) është një vepër që ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë  e shkencës,  një nga perlat e kulturës humane që në mënyrë autentike pasqyron opusin shumëpërmasor të Ibn Haldunit, “një traktat i madh, kompleks dhe i rafinuar sociologjiko-filozofik”,  një kryevepër e sociologjisë së civilizimeve. (Agneli, 2018)

Sipas njërit prej përkthyesve më të mirë të Ibën Haldunit në gjuhët europiane, profesorit të gjuhëve semitike nga Yale, Franz Rosenthal: “Mukaddime është organizuar në mënyrë logjike dhe e ndjek subjektin e vet deri në fund.  Vepra fillon me mjedisin fizik të njeriut dhe ndikim e tij mbi të, dhe me karakteristikat e tij jo-fizike. Kjo pasohet nga një diskutim rreth organizimit primitiv shoqëror, karakteristikat e lidershipit në të, dhe marrëdhëniet e shoqërive primitive njerëzore me njëra-tjetrën, si edhe marrëdhëniet e tyre me format më të larta, urbane të shoqërisë.  Pastaj qeverisja e shtetit, forma më e lartë e organizimit shoqëror njerëzor, diskutohet në përgjithësi dhe ai i kalifatit, rast i veçantë musliman, në veçanti; kjo pjesë përfshin një diskutim se si ndodhin ndryshimet në dinastitë e ngarkuara me administrimin e një shteti ë caktuar.  Më vonë autori i kthehet jetës urbane, si forma më e zhvilluar e bashkëpunimit njerëzor. Së fundi, hapësirë shumë e madhe i përkushtohet qytetërimit më të lartë, tregtisë, zanateve dhe shkencave, të dyja të konsideruara si kushte dhe rrjedhime të jetës urbane (temeddun, nga greqishtja “polis“, qytet) dhe, si të tilla, të domosdoshme për kuptimin e historisë.” (1967: lxii-lxiii) Sipas Ibën Haldunit, shoqëria urbane dhe e tregut është anomike dhe e atomizuar.

Mukaddime trajton marrëdhëniet ndërmjet kushteve gjeografike dhe jetës shoqërore, determinizmin material dhe shpirtëror, jep një tipologji të shoqërive, flet për fenomenin e asabijje-s (ndjenjës grupore) dhe për teorinë mbi shtetin, për marrëdhëniet fe-shtet, për institucionin e hilafetit, aty shpaloset teoria e fazave, teoria organiciste për shoqërinë etj. Në këtë vepër flitet edhe për jetën e stilit beduin (bedaveh) dhe atë me vendbanim konstant, sedentar (hadareh), për dëmet që mund t’ia shkaktonte qytetërimit më të lartë beduinizmi, për marrëdhëniet qytet-fshat, për marrëdhëniet midis shoqërisë dhe strukturës ekonomike, për çështjet epistemologjike, për klasifikimin e diturive, pedagogjinë dhe sociologjinë e letërsisë. Sipas Ibën Haldunit, jeta shoqërore është e domosdoshme, “njeriu për nga natyra e vet është i civilizuar”, qenia njerëzore individuale nuk mund t’i arrijë të gjitha gjërat që janë të domosdoshme për jetesën e tij, përveç nëse ka bashkëpunim me dikë tjetër. Solidariteti reciprok i njerëzve e siguron asabijjet-in, ndjenjën për solidaritet midis njerëzve, të cilët janë të afërt midis vetie për arsye të gjenezës së njëjtë (asabijjetu’n-neseb) ose për ndonjë arsye tjetër (asabijjetu’s-sebeb), për të luftuar së bashku kundër oponentëve. Termi asabijje sot do të mund të përkthehej si fanatizëm grupor, fisnori, tribalizëm, klanizëm, kominitarizam, dhe në kuptimin modern, si nacionalizëm.

Interpretimi i Ibën Haldunit për historinë si proces i veprimeve njerëzore-shoqërore është koncept i përparimit ciklik e jo vijor. Ibën Halduni thotë se shtetet dhe qytetërimet kanë pesë faza gjatë të cilave ato e plotësojnë jetën e tyre natyrore: faza e fitores, e despotizmit, e mirëqenies dhe rehatisë, e paqes dhe e shkapërderdhjes e shkatërrimit. Ai pohon se janë tre faktorë që prodhojnë zhvillimin dhe që e përshpejtojnë “plakjen shkatërruese” të dinastisë: kënaqja në luks, humbja e asabijjes dhe problemet financiare. Dëshira e grupit qeverisës për kontroll ekskluziv mbi të gjtha burimet e pushtetit dhe të pasurisë kijojnë marrëdhënie të tensionuara, një tjetërsim fatal midis dinastisë dhe njerëzve asabijja e të cilëve e mbështeti dhe e mbajti atë.

Sipas Ibën Haldunit, sociologjia (ilmu’l-umran) është një shkencë që merret me analizimin e kulturës dhe strukturës shoqërore në kuadër të kontekstit historik. Ibën Halduni me shprehjen umran nënkupton strukturën shoqërore, “ndërtimin, kultivimin,” çdo ngulim përtej  nivelit të egërsisë individuale, organizmin shoqëror dhe gjendjet që kanë të bëjnë me të, me kulturën dhe qytetërimin.

Ibën Halduni që para së gjithash ka trajtuar fenomenet, kohën dhe mjedisin e vet, duke dhënë shpjegime teorike origjinale, me idetë e tij ka ndikuar te shkencëtarë si Vico, Hegel, Spengler, Sorokin, Toynbee, Braudel, Gellner, te një plejadë e tërë e filozofëve të historisë dhe e themeluesve bashkëkohorë perëndimorë të sociologjisë. Sipas Alatasit (2006) shumë shkollarë të shekullit XIX e kanë njohur Ibën Haldunin si themelues të sociologjisë (von Kremer, 1879; Flint, 1893; Gumplowicz, 1928; Maunier, 1913; Oppenheimer, 1922–35;; Ortega y Gasset, 1976–8). Becker dhe Barnes pohojnë se Ibën Halduni është i pari që ka aplikuar idetë e llojit modern në sociologjinë historike. (1961: 266-279)

Ardhja e dytë në shqip e Mukaddime-s (e para në vitin 2012 nga Jahja Hondozi, SHB “Fjala e Bukur”) është një prurje e rëndësishme nga SHB “Logos-A” për zhvillimin e shkencave shoqërore në gjuhën shqipe, në veçanti për sociologjinë, gjithnjë duke konsideruar se ajo është ndër kryeveprat e mendimit klasik dhe ndër veprat më kapitale në historinë e dijes në përgjithësi. Për realizimin e këtij projekti se lëvdata meriton Ermal Bino, autori i këtij përkthimi kolosal, që është një prurje relevante shkencore në kulturën tonë, një vlerë shtesë për akademinë, studentët, mësimdhënësit, profesorët dhe të gjithë të interesuarit në disiplinat shkencore humanitare dhe shoqërore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button