fbpx

Mësimi i tanipërtanishëm dhe i të ardhmes së afërt

QUO VADIS EDUCATIO ?

Çereku i parë i 2020-ës nuk na solli mbarësi. Si rrjedhim, sot jetojmë në kohë pandemie. Kur do të zhduket, me pak fjalë,s’i dihet. Të gjitha fatkeqësitë e vështirësi të që na dalin përpara, si copa jete, kërkojnë durim, mundime dhe përpjekje të vazhdueshme për t’i kapërcyer. Përgjithësisht si ngjarje të rastësishme e të paparashikueshme janë pjesë e pandashme e jetës së njeriut. Kuptohet fare mirë që shkaktojnë hutesa ese pengojnë, dëmtojnë dhe prishin zhvillimin e rregullt e normal të gjërave e të jetës në tërësi. Dihet, s’ka përherë të mira e gëzime. Historia dëshmon se në çastet e vështirësive të mëdhaja lindën njerëz të mëdhenj, njerëz me mendje gjeniale, emrat e të cilëve mbijetojnë e me shkronja të arta shkruhen. Të besojmë e shpresojmë se do të na plotësohet ajo që presim e dëshirojmë. Shpirtin e vetëmohimit e të humanizmit të mjekëve, punonjësve të shërbimit mjekësor e të vullnetarëve, asnjëherë s’duhet harruar. Gjithçka do të shkoj mirë, por pas gjithë gjasave do të vonoj. Dhe në vazhdën e jetës së pastajme, me ca ndryshime, me çdo kusht duhet mësuar.

Gjendja e jashtëzakonshme, solli zbatimin e disa masave shtrënguese me qëllim mbrojtjeje dhe parandalimi,të cilat nxitën e shkaktuan një mori ndryshimesh e kthesash rrënjësore në shumë fusha, e midis të tjerash edhe në atë të edukimit. Detyroi shkëputjen e largimin e nxënësve nga shkollat dhe e studentëve nga universitetet. Mësimet bëhen në largësi, në trajtën e veçantë onlajn, me ndërlidhje të ndësjella në internet, me anë të komunikimeve e ndër veprimeve të nxënësve e studentëve me mësuesët a pedagogët, gjithashtu edhe t nxënësve e studentëve, të cilët punojnë në mënyrë të mëvetësishme, por shpeshherë edhe në grupe ndërmjet tyre, e kështu me radhë, nëpërmjet platformave pedagogjike a softuereve të ndryshme mësimore dhe edukative. Ecuria e zhvillimit të mësimit në të gjitha etapat e tij, ndërtimi i orëve mësimore, shtjellimi me metodat dhe format e organizimit të mësimit, kontrolli sistematik dhe vlerësimi me nota i njohurive, i aftësive,i detyrave në klasë dhe i atyre të shtëpisë, provimet me gojë a me shkrim, e kështu me radhë ,u përshtaten rrethanave e kushteve të reja. Mësojmë, studiojmë e edukohemi përmes internetit, si mjet i llojit më të ri të informacionit masiv,i përhapur gjerë dhe që nga shumë vetë po ndiqet, i cili në mënyrë të përkryer u përgjigjet kërkesave e nevojave të kohës. Gjendja e jashtëzakonshme na detyron ashtu të veprojmë. Kuptohet, fillimisht në të shumtën e rasteve, një sprovë serioze për nxënësit, studentët, gjithashtu edhe për mësimdhënësit. Vlen të theskohet se ndonjëhere, të shtyrë nga nevoja, sidomos për grup-moshat e njoma, madje edhe me prindët ndërveprohet. Pasi i formuan e i përforcuan shprehitë dhe arritën përgaditjen e duhur, të dyja palët u përshtatën dhe me të renë u mësuan. Natyrisht, u jemi mirënjohes, mësuesëve e pedagogëve, që e shkrinë veten, të cilët edhe në kohën e gjendjes dhe rrethanave të veçanta, me shumë zell e plot dinjitet, kryejnë misionin e tyre të lartë, fëmijët na i mësojnë dhe edukojnë. U pa me vend mësimi onlajn si kërkesë e ngutshme e kohës kritike që tani e jetojmë. Na qëlloi si mjet e shteg shpëtimi dhe na kryen punë të dobishme. Nxënësit e studentët,me interesim të gjallë e të dhënë shumë pas sistemit informatikë a teknologjive të informacionit e komunikimit,mësimet a leksionet i kapin e thithin me lehtësi dhe korrin suksese relativisht të larta.

Shfrytëzoj rastin dhe përdor të drejtën e lirinë e fjalës që gjithashtu të shpreh mendimin, gjykimin e vlerësimin tim për këtë dukuri, si e kap e kuptoj, i vetëdijshëm se nuk është opinion kolektiv, shoqëror a publik.

E përkrah dhe e gjej të arsyeshëm mësimin a studimin në largësi, të trajtës duke mësuar vetë nga interneti, si i pavarur nga ndonjë organizëm shtetëror a shoqëror, tele-edukimin, tutorialet a softueret mësimore, mësimet, leksionet e kurset nga interneti, pasi që është një mënyre e shkëlqyer mësimi, studimi a formimi, sidomos kur koha na lejon,për në orët e ngeshme a për në raste nevoje, për mësimin e gjërave të reja, mbushjen e zbrazëtive të dijeve, për përsëritjen, përforcimin a thellimin e njohurive e diturive a për të zotëruar ndonjë punë a mjeshtëri, pa i ndjekur shkollat, universitetet a kurset. Gëlon interneti nga tutorialet e shumëllojshme.

Për sa i përket mësimit e studimit onlajn, sot kryekëputi formës numerike a digjitale, si një trajtë e veçantë mësimi në largësi, nëpërmjet internetit,si mësime të cilat jepen nga mësimdhënësit e institucioneve arsimore, sipas e në pajtim me planet e programet mësimore a studimore, si mësime që ndiqen pikërisht në kohën e dhënies, me mundësi që të regjistrohen, pra edhe që të riprodhohen, domethënë me mundësi që edhe më vonë të ndiqen,e përqafoj përkohësisht, si një lloj zgjidhjeje e kënaqshme përderisa jemi të mbërthyer nga situata e vështirë, deri kur të rifillojmë jetën e zakonshme.

Dhe një përgjithësim i këtyre dy llojeve mësimesh. Pa hyrë në hollësira,dallimi parësor dhe kryesor i mësimit tradicional nga i atij onlajn, është i qartë për të gjithë. Me anë të mësimit tradicional, për dallim nga i mësimit onlajn, nxënësit a studentët,së toku me mësimdhënësit janë të pranishëm në institucionet arsimore. Duhet cekur se ekziston një papajtueshmëri e ndërsjellë ndërmjet mësimit tradicional dhe atij onlajn, i cili në të vërtetë ka kohë që është.

E kemi të njohur se mësimi onlajn, sidomos nga bota e jashtme përparimtare, që prej shumëkokësh dhe në përmasa të gjera, ushtrohet e praktikohet. Pikërisht tani, në kohën e gjendjes së jashtëzakonshme, bie si atua mjet i volitshëm ndaj sistemeve të tyre arsimore. Si një arritje revolucionare e si perspektivë mësimi dhe edukimi trumbetohet, si një tele-pedagogji-e-metodikë bashkëkohore, si një lloj stili iri mësimi e mësimdhënie, të cilin për “mësim i së ardhmes” e quajnë. Përfitojnë nga rasti që ta përhapin e shtrijnë në shkallë botërore, që mësimin tradicional ta fusin a përpijnë në orbitën e tyre, me qëllimet që ta shkrijnë a në rastin më të skajshëm, ta flakin fare. Nga këndi i tyre i vështrimit, me onlajn, me përdorimin e arritjeve të fundit teknike e teknologjike, mundësohen suksese më të larta, si nga ana sasiore, gjithashtu edhe nga ajo cilësore e përvetësimit të mësimeve, në krahasim me atë tradicional, që i parë nën prizmin e tyre,ndjek rregulla e modele të ngurta e të vjetëruara, pa larmi dhe ndryshime thelbësore, e kështu me radhë.

Është fare e qartë se e ardhmja, sidomos ajo e largët nuk mund të parashikohet. Jetojmë në kohën e ndryshimeve shumë të shpejta e të papara, sidomos nga fusha e disa degëve të teknikës, bie fjala, e informatikës, teknologjisë së informacionit dhe komunikimit, e asaj të telekomunikimeve, e robotikës dhe automatikës,e të tjera, e para së gjithash në kohën e një hopi të vrullshëm, nga dega e veçantë e shkencës dhe e teknikës së informatikës, e lulëzimit dhe zhvillimit të mahnitshëm të inteligjencës artificiale. Dhe në veçanti,si fjalë e fundit e teknikës, e përsosur në llojin e vet, shfrytëzimi dhe përdorimi i gjithanshëm i realitetit virtual, si dhe teknologjia e realitetit të zgjeruar a plotësuar, gjerësisht të përfshira edhe në institucionet arsimore. Nxënësit a studentët, e të tjerë,me përdorimin e tyre, kanë mundësinë e vizitimeve të muzeve, e vajtjeve në ekskursione mësimore, vizitimin e ndonjë riprodhimi besnik artificial të ndonjë qyteti a diçka tjetër nga kohët e lashta, të ndonjë bote imagjinare a mbireale, e të tjera, me krijimin e përshtypjeve e shëmbëllimeve sikur të ishte përnjëmend, sikur po kthehen në të kaluarën, po shkojnë në të ardhmen, me fjalë të tjera, të luajnë me kohën, e kështu me radhë. Përveç asaj, të shoqëruara edhe me mundësitë e aftësitë për lëvizje si dhe për t’i kapur me anë të shqisave,me ndijime e perceptime pamore, dëgjimore, me anë të lëkurës a duke i prekur,dhe kohëve të fundit edhe me ato të nuhatjes, me mundësi ndërveprimesh në mënyre të gjallë, madje edhe në kohe reale, e kështu me radhë. Me sa duket, nxënësit e studentët nëpërmjet avatareve të tyre, me dy a tri përmasa, gjithkund e kurdoherë do të jenë të pranishëm. Krijohet mundësia e të qenit të pranishëm njëkohësisht në disa vende, që është në kundërshtim me arsyen e shëndoshe dhe logjikën. Mësimi holografik, kryesisht i mbështetur në  inteligjencën artificiale, me projektimet e hologrameve të mësuesëve a pedagogëve,ka mundësitë shndërrohet në realitet. Dhe afër mendjes, si rrjedhojë,rrezikohen mësimdhënësit, një mësues a pedagog  për më shumë shkolla a fakultete, pra shumica dërmuese e mësimdhënësve ndodh të mbeten të papunë. Dhe gjëja më e skajshme, ka mundësi të vjen koha, makinat inteligjente a robotët, të ushtrojnë profesionet e mësimdhënësve. “Qou vadis educatio ? “ Si do të vejë puna?!  Breznive të ardhshme, njerëzimit e qytetërimeve të atyre ditëve, koha do t’u tregoj.

Me të drejtë, nuk ka asgjë jashta kohës dhe hapësirës, por me tekniken dhe pajisjet teknike e kohëve fundit, të ndërlikura, stërholluara e të automatizuara ,shkohet shumë larg, kalohen caqet, bëhen edhe gjëra mahnitëse. S’do mend se ndryshohen kohët në vazhdimësi. Ndryshimet, të ngadalshme, shkallë-shkallë a të shpejta janë të përhershme. Dhe sipas parimeve e ligjeve të shkakësisë, linden pasojat e tyre. Midis të tjerave, pavarësisht nga vullneti a dëshirat tona, nga ndryshimi i mjedisit, rrymës së jetës dhe mënyrës së jetesës, ka mundësi reale të shkaktohet një shndërrim a tjetërsim i jashtëzakonshëm i njeriut si qenie shoqërore, me tiparet morale dhe ata dalluese të karakterit, të shprehive të sjelljes e të edukatës, një ftohje e shkallëzuar e marrëdhënieve në shoqëri, dhe kushedi se sa e çfarë të tjera. Sido që të ndodhë a vjen puna, të ardhmes dhe vorbullave të jetës, asnjëherë nuk duhet që t’ua kemi frikën.

Dhe për një shqetësim që më ka kapur kohët e fundit. E kam një makth, një mendim që s’më le të qetë, ndoshta pa ndonjë shkak a arsye të rëndësishme. Në të vërtetë, do të dëshiroja te del puna se s’i shikoj mirë gjërat, se nxjerr përfundime jo të drejta dhe të dali gabuar. E kam një ndjenjë të turbullt, se në të ardhmen e afërt, druaj se pas daljes nga gjendja e vështire, por jo menjëherë, sidomos të prirur nga pragmatizmi a utilitarizmi,për arsye se më i dobishëm a i leverdishëm do të tregohet, apo ndoshta të shtyrë edhe nga snobizmi, ka mundësitë propozohet që me onlajn të vazhdohet, ta zëmë se duke përdorur si shpjegim e arsyetim se mësimi tradicional  ka më shumë shpenzime dhe se në veçanti e ngarkon buxhetin për arsim, ashtu që mënyra e mësimit të mëparshëm përgjithnjë të harrohet. Plotësisht i vetëdijshëm se përkrahësit e mësimit onlajn më quajnë prej mendimesh anakronike, gjykoj se mësimi tradicional, me fjalën e gjallë të arsimtarit, me praninë e nxënësve në klasa a të studentëve në auditore, me gumëzhimat e nxënësve në korridore e oborre shkollore, në konvikte e mensa të nxënësve a studentëve, edhe pse ka më shumë shpenzime, kujtoj se asnjëherë nuk duhet braktisur.

Kuptohet sete dy llojet e mësimeve, si dy shtigje mësimi e diturie,pa i specifikuar gjërat, i kane anët e mira dhe ata të dobëta të tyre. Sido që të jetë puna, besoj se gjithnjë duhet të lejohet e mundësohet një përzgjedhje sipas dëshirës individuale të nxënësve e studentëve, mësuesëve e pedagogëve, pra të gëzojnë të drejtën a mundësinë të veprojë sipas dëshirave të tyre.

Dhe nja dy a tri fjalë për nxënësit e studentët e sivjetshëm në prag të diplomimeve të tyre.

Duke qenë se gjendja e vërtetë e gjërave, e ngjarjeve dhe rrethanave të sivjetme nuk na shkon përshtati, mjerisht sivjet nuk lejojnë kushtet për realizimin e ceremonive solemne të dhënies së diplomave, e mbrëmjeve madhështore të maturimeve, e të tjera, të cilat paraqesin çaste të paharrueshme të jetës të çdo nxënësi a studenti. Shëndoshë e mirë, të dashur nxënës e studentë, ka mundësi edhe “post festum”, tekembramja!Para së gjithash, gëzuar diplomat, suksese të reja, veç përpara dhe u priftë e mbara!

Ismail Bakiu

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close