Aplikacionet e ndjekjes për të parandaluar COVID-19 dhe privatësia

Aplikacionet për ndjekjen e kontakteve kanë marrë vrull për të ndaluar përhapjen e COVID-19, e ky hov ka hapur rrugë për një debat të fuqishëm që shpesh titullohet: privatësi vs shëndet.  E shkruaj këtë artikull me qëllim që të bëj një elaborim se ky debat është fokusuar në dikotomi  jo-ekzistente, sepse:

  1. Kuptohet që asgjë nuk vjen përpara shëndetit dhe argumenti se aktivistët për privatësi i japin përparësi privatësisë dhe mbrojtjes të të dhënave në kurriz të shëndetit gjenerohet nga mosinformimi; aktivistët për privatësi (përfshirë këtu edhe mua) vetëm bëjnë të ditur alternativat dhe mënyrat se si më së miri mund të mbrohen të dhënat personale në zgjidhet digjitale për të ndaluar pandeminë, pra jepen argumente në lidhje me problemet dhe sugjerime për alternativat digjitale më të mira për të luftuar me pandeminë e nuk shkruhet për ndalimin e plotë të përdorimit të aplikacioneve;2. Ekzistojnë mekanizma dhe mënyra që këto aplikacione të zhvillohen me qasje respekti ndaj privatësisë si e drejtë fundamentale e njeriut. Nëse nuk i zgjedhim mekanizmat digjitale demokratike që ekzistojnë, monitorimi masiv do na sjellë sfida shoqërore shtesë në të ardhmen. Pra debati duhet të drejtohet në kahje tjetër duke shtruar pyetjen: cilat janë zgjidhjet më të mira ekzistuese, dhe ku duhet të kemi kujdes në përdorimin e aplikacioneve për monitorim të kontakteve? Më lejoni ta shtjelloj përgjigjen në vijim.
Ilustrim

Disa nga aplikacionet e monitormit të kontakteve janë prodhuar nga kompanitë që definohen si Big Tech, disa përfshijnë nisma nga kompani më të vogla, si dhe bashkëpunime akademike. Disa aplikacione cenojnë privatësinë, e disa janë zhvilluar me qasje respekti ndaj të dhënave personale. Në një përpjekje për të dhënë informacion të përgjithshëm në lidhje me mundësitë dhe sfidat e zgjidhjeve ekzistuese, shkruaj me shpresë që sado pak të ndikoj në ndërgjegjësim për faktin se aplikacionet për të luftuar COVID-19 dhe respektimi i privatësisë si e drejtë themelore e njeriut nuk kanë pse të përjashtohen mes veti; por kjo është e mundur vetëm nëse zhvillojmë dhe përdorim aplikacione etike, e nëse ndërmerren masa etike në përdorim të aplikacioneve nga institucionet. Më lejoni të jap një përmbledhje të teknologjive, protokolleve dhe aplikacioneve së bashku me mundësitë dhe sfidat që i sjellin para se të përfundoj me disa rekomandime.

Aplikacionet për ndjekjen e kontakteve

Me 10 Prill, Apple dhe Google njoftuan se bashkëpunojnë për të sjellë software që institucionet e shëndetësisë mund të përdorin për të zhvilluar aplikacionet e tyre për ndjekjen e kontakteve. Zgjidhja bazohet në zbulimin e afërsisë me individ të infektuar përmes Bluetooth. Së dyti, ata njoftuan se do të bëjnë azhurnime për të bërë ndjekje të kontakteve në sistemet operative IoS dhe Android, kështu që funksioni për ndjekjen e kontakteve do të jetë i integruar në sistemet operative të telefonave dhe do të mund të bëhet edhe pa shkarkim të ndonjë aplikacioni të caktuar. Apple dhe Google thonë se me propozimin e tyre mbrohet privatësia, se do të përdorin vetëm Bluetooth identifikues dhe individët e infektuar nuk do të mund të identifikohen nga përdoruesit e tjerë e as nga vetë Apple dhe Google. Nëse përdoruesit që janë infektuar dërgojnë njoftim, kjo do të përdoret nga institucionet shëndetësore në mënyrë që çdo person që ka qenë në kontakt me persona të infektuar, të njoftohet përmes aplikacionit. Ata gjithashtu deklarojnë se përdoruesit mund ta ndalin ndjekjen duke fshirë aplikacionet, ndërsa për zgjidhjen e dytë të integruar në sistemet operative, deklarojne se ndjekja mund të ndalet duke rregulluar cilësimet në telefonat e tyre. Dy kompanitë bënë të ditur se përdorimi i ofertës softuerike do të ndalohet kur nuk do të ketë më nevojë. Disa nga vendet e BE-së kanë filluar miratimin e propozimeve të këtyre dy kompanive. Britania e Madhe nuk ka pranuar propozimet e decentralizuara dhe ka aplikacionin e vet të centralizuar i cili është kritikuar ashpër nga aktivistët për mbrojtjen e të dhënave personale dhe privatësisë. Sidoqoftë, së fundi është raportuar se po punohet për një aplikacion tjetër për të cilin detajet nuk janë bërë të ditura.

Foto ilustrim

DP-3T – është një protokoll me burim të hapur (Open Source) me qasje decentralizimi me të cilin aplikacionet do të jenë në gjendje të bëjnë procesimin e zbulimit të afërsisë me individ të infektuar përmes Bluetooth në telefonat e përdoruesve e jo në serverat në prapavijë. Të dhënat personale nuk do të ngarkohen në serverët e qeverive, institucioneve shëndetësore ose kompanitë që do ta ofrojnë servisin dhe infrastrukturën teknologjike. Në thelb, aplikacionet që implemtojnë këtë protokoll do funksionojnë ashtu që kur rezultatet e një individi dalin pozitive, institucionet shëndetësore autorizojnë atë individ të ngarkojë një çelës të sigurisë, një ID të gjeneruar dhe datën në të cilën supozohet se ka qenë dita e parë e infeksionit. Përdoruesit e aplikacioneve që janë zhvilluar me këtë protokoll, informohen nëse kanë qenë në kontakt me person të infektuar, kur aplikacionet e tyre kontrollojnë nëse ID-ja e tyre është regjistruar se ka qenë në kontakt me ID-në e individit të infektuar përmes Bluetooth servisit të zbulimit të telefonave në afërsi të caktuar. Ky procesim pra gjetja nëse dy individ kanë qenë në kontakt përmes ID-ve kryhet në telefonat e përdoruesve. Serverët në prapavijë vetëm mbledhin çelësat e sigurisë për ID-në e gjeneruar dhe pikën kohore dhe i dërgojnë këto të dhëna për procesim tek përdoruesit e aplikacionit.

DP-3T duket se është një zgjidhje që respekton privatësinë dhe shembull që tregon se është e mundshme që aplikacionet për të ndjekur kontaktet për të na ndihmuar që ta ndalim pandeminë mund të respektojnë privatësinë.

Zvicra, Austria, Finlanda, Estonia, dhe së fundi edhe Irlanda dhe Gjermania  po miratojnë qasje të decentralizuara siç janë këto të lartpërmendurat.

PACT është projekt tjetër me qasje decentralizimi, i udhëhequr nga MIT. Përshkrimi teknik i PACT thotë se nuk ngarkohen të dhëna personale përveç ID-ve. Safe Paths është një tjetër projekt i udhëhequr nga MIT.

Singapori është një nga vendet e para që nisi një aplikacion për gjurmimin e kontakteve (i quajtur TraceTogether), e u raportua se afërsisht 1.4 milion njerëz kanë shkarkuar aplikacionin, megjithatë se edhe masat e ndjekjes të kontakteve në mënyrë manuale është një nga masat që janë ndërmarrë me seriozitet të madh.

Tani për qasjet më problematike. PEPP-PT është një iniciativë që synon ofrim të një zgjidhjeje që do të përdoret në të gjithë BE-në. Sidoqoftë, ajo u kritikua me një letër të hapur të nënshkruar nga akademikë dhe teknologjisë për shkak të mungesës së transparencës. Disa anëtarë të konsorciumit janë larguar nga projekti duke thënë se nuk janë respektuar disa nga premtimet fillestare.

Foto nga Bongkarn Thanyakij, Pexels

Në Korenë e Jugut ndjekja e kontakteve ka patur hov të madh deri në atë shkallë që ka qenë shumë e lehtë të vihet deri tek qasja tek të dhënat për vendndodhjen e përdoruesve.  Për shkak të shqetësimeve se numri i testimeve (kërkesave) do të ulet nëse informacioni i ndjeshëm postohet publikisht, raportohet se (https://www.nytimes.com/2020/03/23/technology/coronavirus-surveillance-tracking-privacy.html) së fundi Koreja e Jugut ka ndërmarrë masa për të zvogëluar mënyrat e shpërndarjeve të të dhënave personale. Në Kinë Alipay HealthCode u cakton njerëzve kode ngjyrash në varësi të rrezikut të tyre për të infektuar të tjerët. Kodet nënkuptojnë liri e kufizime, e gjelbra do të thotë liri për të udhëtuar, e kuqja do të thotë karantinë dhe e verdha ditë të caktuara në izolim. Nuk ka transparencë në lidhje me mënyrën e caktimit të këtyre kodeve. Për së tepërmi, thuhet se aplikacioni dërgon emrin dhe informacionin e vendndodhjes në serverët qendror, dhe se të dhënat e vendndodhjes u jepen policisë (https://www.nytimes.com/2020/03/01/business/china-coronavirus-surveillance.html).

Së fundmi, grupi NSO, i cili ofron softuer që dihet se është përdorur në kufizimin e lirive të aktivistëve dhe gazetarëve, ka plane për të hyrë në garën për ndjekjen e kontakteve (https://www.bloomberg.com/news/articles/2020-03-17/surveillance-company-nso-supplying-data-analysis-to-stop-virus).

Shembujt e fundit dëshmojnë se duhet të jemi shumë të kujdesshëm në lidhje me atë se si përdoren të dhënat personale, kush i ofron aplikacionet, a është qasja e tyre transparente, a është kontrolluar kodi i burimit, a përfitojnë dhe si përfitojnë ofruesit e aplikacioneve etj.

Cilat janë pasojat nëse nuk jemi të kujdesshëm?

Duhet të merren parasysh dy kontekste: sfidat dhe pasojat aktuale të përdorimit të aplikacioneve, dhe keqpërdorimet e mundshme në të ardhmen.

Sfidat aktuale në lidhje me numrin e përdoruesve të aplikacioneve. 

Hulumtimet tregojnë se ka nevojë për një përdorueshmëri minimale prej 60% në mënyrë që aplikacionet të jenë efektive. Pra mund të supozojmë se efikasiteti i këtye aplikacioneve do të jetë më i madh në shtetet ku popullsia ka besim më të madh ndaj institucioneve. Më tepër, pabarazitë në demografi sjellin pabarazi në lidhje me reagimet e institucioneve në lidhje me shërbim më të mirë shëndetësor, e këtu lidhet problemi i përdorueshmërisë. Komunitetet me standard të ulët jetese dhe me të ardhura të ulëta nuk i kanë telefonat më të fundit dhe nuk kanë qasje në aplikacionet, kështu që ata individ në pjesën e popullsisë që ka ma shumë nevojë për ndihmë janë të përjashtuar prej njoftimeve nëse kanë qenë në kontakt me individ të infektuar. Prandaj, në këto komunitete masat për ndjekjen e kontakteve në mënyrë fizike janë edhe më të rëndësishme.

Telefon celular
Ilustrim, Pexels

Çështjet e mundshme në lidhje me keqpërdorimin e të dhënave personale

Aplikacionet në përgjithësi kërkojnë pajtim dhe miratim nga përdoruesit në lidhje me të dhënat që i përdorin nga telefonat e tyre. Në varësi të rregullimit/legjislacionit, me siguri mund të shtrojmë pyetjen: cilat janë garancitët që miratimi që ua japim aplikacioneve në kohë të koronavirusit nuk do të përdoret ndryshe në të ardhmen për qëllime që përdoruesit nuk janë pajtuar? Kjo është sadopak e rregulluar në BE me GDPR, por çfarë ndodh në shtetet ku kjo nuk është e rregulluar me ligj, dhe të dhënat tona mund të përdoren për qëllime tjera nga ato me të cilat jemi pajtuar? Skenarët e mundshëm përfshijnë largimi nga puna nëse qytetarët nuk e shkarkojnë aplikacionin për ndjekje. E në disa raste kur të dhënat e ndjeshme, siç është vendndodhja, ndahen hapur, mund edhe të ketë rritje të dhunës pasi individët e dhunshëm mund të identifikojnë individ në interes të tyre që duan ti dëmtojnë. Në fund, të dhënat e ndjeshme dhe private të mbledhura gjatë kësaj pandemie, mund të ruhen nga qeveritë, institucionet dhe kompanitë dhe mund të përdoren më vonë në manipulim të sjelljes dhe kufizim të lirive civile.

Për disa, gara kundër mbikëqyrjes masive mund të duket e pamundur ose veç më e humbur, e kjo nuk është e vërtetë sepse është në dorën tonë, vetëm na nevojitet më shumë informim shoqëror për alternativat ekzistuese të teknologjive që nuk përdorin të dhëna personale për profit dhe inkurajim e financim të teknologjive etike. Nga ana tjetër na nevojitet më shumë kritikë ndaj teknologjive jo-etike dhe jo-transparente, e nëse qytetarët nuk e informojnë veten dhe nëse nuk përpiqemi të përdorim dhe të zhvillojmë alternativa digjitale etike, rreziku i përhapjes të vëzhgimit masiv i cili ka hyrë veç më në shumë sfera të shoqërive do të jetë edhe më i jashtëzakonshëm. Sot, fitimet e shumë kompanive vijnë nga tregtia e të dhënave, të dhëna këto që i shpërndajmë në internet lirshëm, organizatat i përdorin të dhënat (financiare, demografike, interesa politike etj) për të analizuar dhe profiluar individët dhe i përdorin ato të dhëna për të ofruar pako të ndryshme të sigurimit shëndetësor, pako të sigurimit social, për të personalizuar rekomandime të lajmeve sipas interesit të individëve, për të bërë analizë digjitale të individëve në proceset e punësimit etj.
Biznesi i tregtisë të të dhënave që mblidhen falas nga postimet tona online, është biznes miliardësh, e shpresoj që në një artikull të ardhshëm të ju shkruaj për këtë temë. E nga ana tjetër, nëse fokusohemi në shtetet autokratike, problemi i vëzhgimit masiv është i tmerrshëm. Veç më kemi elemente distopiane në shoqëritë autokratike, ato nuk kanë mbetur në librin “1984” të Orwellit apo në Panoptikonin e Foucault-it si mekanizëm të kontrollit politik, ato gjenden nëpër teknologjitë që përdoren në përditshmëri. Në shtetet jodemokratike të dhënat personale të mbledhura nga veglat digjitale përdoren si përforcim të mekanizmave të kontrollit të lirive personale në zbatimin e regjimeve autoritare dhe totalitare.

Çfarë mund të ndërmarrim në gjetjen e zgjidhjeve të mira digjitale për ndaljen a pandemisë?

Në vijim disa masa të përgjithshme (për anëtaret e institucioneve, kompanive, informaticientët, legjislatorët, dhe në përgjithësi për të gjithë ne që përpiqemi për shoqëri të shëndosha dhe demokratike):

  • Miratoni zgjidhje të decentralizuara siç është DP-3T, në vend të atyre të centralizuara
  • Sigurohuni që të mos mblidhen të dhëna personale, ndërsa në rastet kur mblidhen sigurohuni se do të përdoren vetëm për të luftuar pandeminë dhe se do të fshihen kur nuk do të duhen më. Bordi Evropian për Mbrojtjen e të dhënave  ka deklaruar se “të dhënat personale duhet të mbahen vetëm për kohëzgjatjen e krizës COVID-19. Më pas, si rregull i përgjithshëm, të gjitha të dhënat personale duhet të fshihen ose anonimizohen ”. (https://edpb.europa.eu/sites/edpb/files/files/file1/edpb_guidelines_20200420_contact_tracing_covid_with_annex_en.pdf) Le të shpresojmë se në fakt nuk do të ketë mbledhje të të dhënave personale aspak, dhe se fshirja e atyre të dhënave të mbledhura do të zbatohet (përfshirë këtu edhe në Maqedoninë Veriore).
  • Ofertuesit dhe përdoruesit (përfshirë qeveritë) duhet të kontrollojnë transparencën, auditimin e programeve kompjuterike, të inkurajojnë softuare me burime të hapura, dhe zgjidhje të sigurta
  • Qeveritë duhet ta bëjnë të ditur se qytetarët të cilët nuk do përdorin aplikacionet nuk do të përballen me pasoja dhe diskriminim
  • Si përdorues, duhet të informohemi se në përgjithësi ekzistojnë alternativa tjera përveç atyre që ofrohen nga Big Tech kompanitë; alternativa modelet e biznesit të të cilave nuk bazohen në mbledhjen dhe shitjen e të dhënave tona ashtu si janë disa nga modelet e Big Tach kompanive. Kërkoni alternativa të mira, inkurajoni konkurrencën duke përdorni softuer nga kompani me qasje transparente dhe etike
  • Si përdorues të teknologjive, duhet të jemi më të kujdesshëm në vendimet tona dhe të lexojmë me kujdes atë që pranojmë në internet; programerët, informaticientët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të ndjeshëm ndaj të drejtave të njeriut kur zhvillojnë softuare; rregullatorët duhet të bëjnë presion dhe vendime në favor të aplikacioneve transparente dhe etike; qeveritë duhet të jenë të kujdesshme kur aprovojnë softuer shtetëror për qytetarët e tyre; në përgjithësi duhet të bëhet presion ndaj atyre kompanive modelet e biznesit të së cilave janë përqendruar tek përfitimi nga përpunimi i të dhënave personale duke cenuar të drejtat e njeriut.
Ilustrim

Ndjekja e kontakteve në mënyrë digjitale mund të jetë thelbësore për të ndaluar pandeminë, por siç veç më kanë shkruar epidemiologët nëpër media, ajo duhet të shoqërohet me ndjekjen fizike të kontakteve (siç bëhej dhe raportohej mirë në Maqedoninë Veriore që nga fillimi), me të gjitha masat e përshtatshme, testime, dhe sjellje të përgjegjshme. Në të njëjtën kohë duhet të jemi të vetëdijshëm se të gjitha masat mund dhe duhet të sillen dhe të implementohen me respekt ndaj të drejtave të njeriut. Mekanizmat ekzistojnë, na mbetet ti përdorim, e aty ku nuk eksitojnë, na mbetet ti zhvillojmë. E kemi për detyrë të mos biem në grackën e dikotomisë artificiale mes privatësisë dhe shëndetit që përhapet nga ata që justifikojnë vëzhgimin masiv pa argumente të mira e për interesa të ndryshme.
Pa e kuptuar se si teknologjia përdoret për të ndikuar në sjelljen tonë,  për të manipuluar sjelljen tonë për fuqi, ndikim e përfitim, dhe pa qenë të informuar mirë, aktivistët e privatësisë po kritikohen se janë të zëshëm në kritikën e aplikacioneve që cenojnë privatësinë në kurriz të efikasitetit të tyre për të luftuar pandeminë. Dërgoj lutje që artikujt të lexohen deri në fund, diskutimet në Twitter të lexohen më tej se një Tweet, të lexohet çdo shkrim deri në fund para se të gjykohet për përmbajtjen e kujtdo. Në këtë epokë kur të gjithë luftojnë për vëmendje, nuk mund të lejojmë që informacionin ta trajtojmë sipërfaqësisht kur është mjeti më i rëndësishëm me të cilin udhëhiqemi në jetë.

Teknologjia dhe shoqëritë janë në proces të pandalshëm të ndikimit të ndërsjellë. Ne e kemi në dore të zgjedhim dhe ndërtojmë shoqëritë dhe realitetin në të cilin jetojmë. E meqë udhëhiqemi nga teknologjia, le të marrim vendime duke qenë të informuar mirë dhe duke pasur mendje të hapur për faktin se teknologjitë në përgjithësi mund të zhvillohen me qasje respekti ndaj privatësisë si e drejtë themelore e njeriut, e këto teknologji etike duhet ti zhvillojmë, dhe duhet ti përdorim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button