RMV, Liderët politik dërguan urime me rastin e Fitër Bajramit

Besimtarët muslimanë në Maqedoninë e Veriut falën namazin e Fitër Bajramit, që është një nga festat më të mëdha të fesë Islame. Në organizim të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut ceremonia qendrore e faljes së namazit të Fitër Bajramit u mbajt në xhaminë e Mustafa Pashës në Shkup në kuadër të masave kundër përhapjes së koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Portalb.mk.

Në emër të kryetarit të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, mesazhin për Fitër Bajram e përcolli Myftiu i Myftinisë së Shkupit, Qenan Ismaili.

Ai tha se po dalim nga një Ramazan i cili sivjet ishte pak më ndryshe por vetëm nga forma e jashtme e tij se brendia e muajit të bekuar të Ramazanit përkundër pandemisë që imponoi masa të shumta ishte e pandryshuar sikur në 15 shekujt e shkuar të Islamit.

Ndërkaq, me rastin e kësaj feste, urime kanë dërguar liderët politik në vend. Presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit. Ai ka shprehur dëshirën që lutjet e myslimanëve të bëra gjatë Ramazanit të pranohen dhe te ata të mbizotërojë solidariteti, mirëkuptimi dhe ndihma për ata që kanë nevojë për ndihmë.

Ndërkohë, kryeparlamentari, Talat Xhaferi, duke ua uruar besimtarëve këtë festë, është shprehur: “Shpresoj që ky Bajram, të cilin si edhe muajin e agjërimit dhe solidaritetit, e festojmë në mënyrë të pazakontë, larg tempujve fetarë, megjithatë afër më të afërmve tanë, do të na sjellë mendime të sinqerta dhe të bukura, dërguar tërë njerëzimit për tejkalimin sa më të shpejtë dhe pa pasoja të kësaj sfide, e cila siç thash edhe në urimin paraprak me rastin e Ramazanit, nuk zgjedh as fe, as komb”.

Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, po ashu ka uruar besimtarët, duke u shprehur se, këtë vit, Fitër Bajrami ka rëndësi të veçantë, për shkak të krizës aktuale shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuara nga pandemia e Covid-19.

“Në këto kushte, Fitër Bajrami na thërret që të ballafaqohemi me sfidat, të cilat i sjell kjo krizë globale shëndetësore dhe ekonomike dhe sipas parimeve të respektimit dhe solidaritetit, të vazhdojmë së bashku në rrugën që kemi zgjedhur, të shoqëruar dhe të vetëm”, tha Spasovski.

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, në urimin e tij me rastin e kësaj feste, ka porositur që “në këto kohëra të vështira dhe të paparashikueshme, të shtojmë kujdesin dhe lutjet për njëri tjetrin dhe për njerëzimin në përgjithësi për ta tejkaluar këtë sfidë sa më lehtë e sa më shpejt që ti kthehemi bashkë normalitetit dhe jetës siç e njohim dhe e duam”.

Ndërkohë, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev,  në urimin e tij dërguar besimtarët mysliman, me rastin e Fitër Bajramit, mes tjerash ka thënë: “Festa e Fitër Bajramit si njëra nga datat më të rëndësishme në kalendarin Islam, shënon fundin e muajit të shenjtë të Ramazanit. Shpirti dhe rruga e besimtarit është e lidhur ngushtë me pastrimin e shpirtit dhe mendjes përmes lutjeve, guximin për t’i rezistuar të keqes, dhunës, abuzimit, përçarjes dhe shkatërrimit të vlerave të pastra”.

Edhe kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hirstijan Mickoski, ka uruar besimtarët mysliman, duke thënë se, në këto kohë kur e gjithë bota po përballet me pandemi, të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë etnike dhe religjioze, po ndajnë momente të vështira.

“Festa e sotme na meson në humanitet, ndihmë të ndërsjellë dhe respekt ndaj njëri tjetrit. Tradita është ajo që na unifikon dhe jo që na ndan, me shekuj, të krishterët dhe myslimanët kanë jetuar në këto hapësira dhe kanë festuar së bashku, janë gëzuar, por edhe kanë vuajtur. Duhet të vazhdojmë që edhe më tej, të ndërtojmë ardhmëri të përbashkët për Maqedoninë”, tha ai.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button