Diskriminim i hapur me paratë europiane!

Zhan Zhak Ruso në “Kontratën shoqërore” shkruan se “i vetmi autoritet legjitim politik është autoriteti i miratuar nga të gjithë njerëzit, të cilët kanë rënë dakord për një qeveri të tillë duke hyrë në një kontratë sociale për hir të ruajtjes së tyre të ndërsjellë”. Ruso e përshkruan formën ideale të kësaj kontrate shoqërore dhe gjithashtu shpjegon më tej themelet e saj filozofike.

Për Rusonë, grupimi kolektiv i të gjithë njerëzve që me pëlqimin e tyre hyjnë në një shoqëri civile quhet sovran, dhe ky sovran mund të mendohet, të paktën në mënyrë metaforike, si një person individual me një vullnet të unifikuar. Ruso e përcakton këtë vullnet të përgjithshëm si nevojë kolektive të të gjithëve për të siguruar të mirën e përbashkët sociale.

Për Rusonë, funksioni më i rëndësishëm i vullnetit të përgjithshëm është të formojë krijimin e ligjeve të shtetit. Këto ligje, megjithëse të kodifikuara nga një “ligjvënës i paanshëm”, duhet në thelb të shprehin vullnetin e përgjithshëm dhe duhet të mbështesin të drejtat e barazisë midis qytetarëve.

1.Ekonomitë e zhvilluara gjatë pandemisë globale COVID-19 arritën që nëpërmes programeve sociale të stimulimit ekonomik familjarë, të mbajnë gjallë ekonomitë kombëtare dhe qytetarin duke ju dërguar çeqe bankare dhe depozita tjera financiare. Në përjashtim të shteteve të Europës Perëndimore dhe Sh.B.A.-së, Ballkani ka ngelur shumë pas në mbrojtjen e të drejtave themelore sociale të qytetarit të garantuara me kushtetutë dhe nga të gjitha normat ndërkombëtare.

Mbrojtja e integritetit social të individit mbetet tashmë një status shoqëror që vështirë se arrihet dhe sidomos në shtetet multietnike ku diskriminimi etnik paraqitet edhe gjatë krizave duke i trajtuar kërkesat dhe nevojat sociale mbi baza etnike.

Në ekonomitë në zhvillim të Ballkanit Perëndimor që nuk janë pjesë e BE-së, të ardhurat mujore janë të ulta, të pasigurta dhe zinxhiri i sigurimeve shoqërore është më pak i zhvilluar në krahasim me shtetet kapitaliste të Perëndimit. Përshkak të korrupsionit dhe praktikave të ndryshme të moszbatimit të ligjeve, kriza e re e shëndetit publik, tregoi se shtetet e rajonit mund të preken ekonomikisht rëndë dhe lehtë nga pandemitë dhe krizat politike.

Javët e fundit, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i është përgjigjur situatës së re financiare me një numër kredish për vendet e Ballkanit. Në fillim të muajit prill, Ballkani ishte ndër të parët që përfitoi nga një vendim i FMN-së. Më 10 prill, Bordi Ekzekutiv i FMN-së miratoi mbështetje financiare nën Instrumentin e Financimit të Shpejtë (RFI) për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriore dhe Kosovën. Ndihma financiare siguron burime kritike për qeveritë që të rrisin kapacitetet e sektorit shëndetësor dhe të mbrojnë vendet e punës.

2.Kriza kërkon që qeveria të bëjë lehtësimin e gjendjes sociale të individit, mbrojtjen dhe rimëkëmbjen e tij pas pandemisë. Vendet e Ballkanit që kanë marrë mbështetje ekonomike nga ana e BE-së dhe FMN-së, reaguan shpejt, dhe vendosën masa të rrepta kontrolli të lëvizjes. Mirëpo aspektet sociale të banorëve të prekur nga kriza u harruan nga agjencitë qeveritare. Paketat sociale janë të ulta dhe nuk sigurojnë stabilitet financiar të familjeve të prekura nga COVID-19, pasi në disa drejtime, problemet e trashiguara sociale që kur u shpërbë rendi socialist, kanë marrë formë të ashpër gjatë pandemisë.

Kapitulli i 19 i aderimit në BE “Politika sociale dhe punësimi” përfshinë standarde minimale në fushat e ligjit të punës, barazisë, shëndetit, sigurisë në punë dhe masa kundër diskriminimit. Shtetet anëtare dhe vendet kandidate marrin pjesë në dialogun social në nivelin europian dhe në proceset e politikave të BE-së në fushat e politikës së punësimit, përfshirjes sociale dhe mbrojtjes sociale.

Në këtë drejtim udhëheqësit e BE-së premtuan një “plan të fuqishëm ekonomik dhe investimesh” për Ballkanin për të ndihmuar në rikuperimin nga kriza e virusit COVID-19 me 3.3 miliardë euro. Neni 8 i Kushtetutës së Maqedonisë Veriore ndër të tjera thotë se liritë dhe të drejtat themelore të individit dhe qytetarit janë të njohura në të drejtën ndërkombëtare dhe të përcaktuara në Kushtetutë siç është shprehja e lirë e identitetit kombëtarë, mbrojtja ligjore e pronës, liria e tregut dhe e sipërmarrjes, humanizmi, drejtësia shoqërore, solidariteti etj etj.

Ndërsa ministria e Punës dhe Politikës Sociale të MV-së ka publikuar një kumtesë ku thotë se miratimi i Ligjit për mbrojtjen dhe parandalimin e diskriminimit ishte një fitore për të gjithë qytetarët. Kryeministri i MV-së Oliver Spasovski, njoftoi për grupin e tretë të masave ekonomike. Vlera nga paketa e tretë është 355 milionë euro.

“Rreth 100 mijë qytetarë do të marrin një kartelë pagesore në vlerë prej 9.000 mijë denarëve për produktet. Kjo masë është e disponueshme për të gjithë personat e papunë, punëkërkuesit që nuk kanë mbi 15.000 mijë denarë të ardhura mujore, si dhe shfrytëzuesit e ndihmës minimale të garantuar”, deklaroi kryeministri Spasovski.

Në kushtet e krizës shëndetësore, qeveria e ka për detyrë që të ndihmojë të gjitha rastet sociale dhe familjare që të ardhurat mujore nuk arrijnë mbi 30.000 mijë denarë. Diskriminimi në mënyrë transparente dhe vazhdimi me metodat e vjetra të shpërndarjes së të mirave publike ka qenë dhe vazhdon të mbetet pengesë serioze për zhvillimin e MV-së si shtetet social dhe i barabartë për të gjitha grupet etnike dhe klasat shoqërore.

Në çdo rast, mbështetja financiare për qytetarët dhe kompanitë që janë prekur nga shpërthimi i COVID-19 duhet të jetë përparësi e qeverisë, të jetë e hapur, pa dallime fetare dhe etnike. Në vitet e ardhshme, këto shtete dhe MV-ja duhet t’i kthehen konsolidimit të qëndrueshëm social, duke lënë anësh diskriminimin e hapur social.

Aderimi në BE nënkupton jo vetëm përshtatje sipërfaqësore ligjore me kapitujt e BE-së, por vënie në praktikë të të gjitha mekanizmave që e mbrojnë individin nga keqpërdorimet e politikës, burokratëve dhe individëve të mbushur me shovenizëm institucional.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button