16 mijë persona firmosin peticionin online “pro” rindërtimit të Teatrit Kombëtar

Një javë pas shembjes së ndërtesës së Teatrit Kombëtar rreth 16 mijë qytetarë, aktivistë, artistë dhe arkitektë kanë shprehur përmes një peticioni online qëndrimin e tyre “pro” rindërtimit të saj ashtu siç ishte në të njëjtin vend.

Peticioni është nisur nga Endriol Doko, një arkitekt i ri shqiptar që jeton dhe punon në Itali prej 12 vitesh.

Euronews Albania kontaktoi me të dhe po përcjell këtu opinionin e tij rreth çështjes dhe nismës së ndërmarrë.

“Kam pasur qëndrime dhe përpjekje në mbështetje të ruajtjes së ndërtesës, por kur pashë në rrjetet sociale atë çka ndodhi, që kishin ndërhyrë në orën 4 të mëngjesit, u trondita dhe mendova që duhet bërë diçka, duhet një lëvizje, duhet një reagim,” – tregon Doko, 30-vjeç me origjinë nga Korça, i cili aktualisht po kryen doktoraturë në arkitekturë në Universitetin La Sapienza të Romës.

“Hapa peticionin dhe ua shpërndava miqve dhe kontakteve të mia. Shpresa ishte që të përhapej sa më shumë në mënyrë që, pse jo të merrte më tepër rëndësi,” – shprehet arkitekti shqiptar teksa pranon se nuk e priste që reagimi të ishte aq i shpejtë me rreth 16 mijë firma në vetëm 6 ditë.

Në peticionin e hapur në Change.org drejtuar kryebashkiakut Erion Veliaj, Kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit Ilir Meta, pjesa dërrmuese e firmëtarëve janë nga Tirana – rreth 80-85 për qind.

Pyetjes nëse vërtetë mundet të rindërtohet godina e Teatrit Kombëtar, Doko iu përgjigj menjëherë se po.

“Historia e arkitekturës njeh plot raste kur ndërtesa me vlera historike janë shembur e më pas janë rindërtuar. Nuk dua të hy në çështje politike, por argumenti i shembjes prej problemeve të ndërtesës nuk qëndron sepse ka plot teknika ndërhyrjeje për ta mirëmbajtur një ndërtesë të vjetër, qoftë dhe për probleme strukturore. Pastaj mënyra e rindërtimit ka teknikat e veta dhe vendoset nëse do të ruhet plotësisht gjithçka apo hapësirat përbrenda do të rimodelohen, por kjo është çështje tjetër,” – thotë arkitekti ndërsa tregon se për çështjen e Teatrit Kombëtar ka folur shpesh edhe me kolegët dhe profesorët e tij në Itali, duke qenë se ndërtesa ishte ndërtuar nga një arkitekt italian.

“Ata e cilësonin absurd vendimin e autoriteteve për ta shembur. Shumica kishin një lloj shprese që artistët do ta vazhdonin protestën e tyre dhe do të mund ta ruanin,” – thotë Doko.

“Tani shteti duhet të tregojë se sa do të shpenzojë me policinë, shembjen dhe ruajtjen deri nga fundi i gushtit a vjeshta, sepse nëse do të flitet për shifra në miliona euro atëherë edhe kjo do të ishte absurde sepse për 3-4 milionë euro ajo ndërtesë mund të restaurohej,” – këmbënguli arkitekti shqiptar, i cili jeton në Romë prej vitit 2008-të.

Më 17 maj Bashkia Tiranë, e mbështetur nga forca të shumta policie shpërnguli dhunshëm protestuesit që ishin vendosur prej rreth një viti në Teatrin Kombëtar dhe nisi shembjen e godinës.

Një ditë më pas Kryebashkiaku Erion Veliaj riprezantoi projektin e arkitektit danez Bjarke Ingels si projektin që Bashkia Tiranë kishte përzgjedhur për teatrin e ri.

Gjashtë ditë më vonë trualli është pastruar teksa ka nisur dhe rrethimi i tij. Autoritetet nuk kanë hapur ende tender për ndërtimin e projektit modern të Ingels, ndërkohë që nuk është bërë e qartë ende nëse janë siguruar apo jo fondet.

Deri në janar 2020, teatri i ri ishte diskutuar të ndërtohej me partneritet publik-privat, ndërkohë që aktualisht projekti është vendosur të realizohet me fonde publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button