Bisedë telefonike ndërmjet Oliver Spasovskit dhe Albin Kurtit

Oliver Spasovski, kryeministri i Maqedonisë së Veriut sot zhvilloi bisedë telefonike me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për të folur në lidhje me koordinimin e masave shëndetësore, transmeton Portalb.mk.

“Kryetari i Qeverisë së RMV-së, Oliver Spasovski sot pati bisedë telefonike me kryeministrin kosovar Albin Kurti, i cili kryeministrit Spasovski i shprehur urimin dhe mbështetjen për mënyrën e ballafaqimit me krizën shëndetësore-ekonomike si pasojë e virusit korona”, raportojnë nga Qeveria e RMV-së.

Ata biseduan për koordinimin e veprimeve për normalizimin e situatës, shëndetin e qytetarëve, rifillimin e ekonomisë dhe përforcimin e lidhjeve afariste ndërmjet dy shteteve.

“Gjatë bisedës me kryeministrin e Kosovës, kryetari i Qeverisë së RMV-së shprehu kënaqësi për bashkëpunimin me Qeverinë e Kosovës në këtë periudhë”, njoftojnë nga Qeveria e RMV-së.

Qeveria e Kosovës njoftoi se në bisedë u diskutua kryesisht për situatën me virusin korona dhe bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve.

“Gjatë bisedës, theks i veçantë iu dha situatës me COVID-19 në vendet respektive dhe masave që Qeveritë e dy vendeve kanë ndërmarrë në luftimin dhe menaxhimin e përhapjes së virusit Corona. Ata gjithashtu folën për marrëdhëniet bilaterale dhe nevojën për bashkëpunim konstruktiv në arritjen e qëllimeve të përbashkëta rajonale”, njoftojnë nga Qeveria e Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button