RMV, Fundjavë e vazhduar, me orë të vazhduar policore

Qeveria në seancë dje vendosi që kjo fundjavë e vazhduar të ketë restriksion të rritur për lëvizjen e qytetarëve, gjegjësisht ora policore të zgjatë prej nesër në ora 11:00 deri në orën 05:00 të ditës së martë, njofton Portalb.mk.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme të 56-të e plotësoi Vendimin për ndalesë dhe regjim të veçantë të lëvizjes në tërë territorin e shtetit me të cilin përcaktohet ndalesë për lëvizje të popullatës dhe automjeteve nga transporti publik me të cilin ndalohet lëvizja e të gjithë qytetarëve në tërë territorin e shtetit duke filluar nga e diela, 24 maj, në orën 11:00 deri të martën 26 maj në orën 05:00”, njoftuan dje nga Qeveria.

Njëherit, paraprakisht Komisioni për sëmundje infektive deri tek Qeveria ka parashtruar propozim që këtë fundjavë, ora policore të zgjatë nga e shtuna nga ora 19:00 deri të martën në ora 05:00, ndërkohë Bashkësia Fetare Islame nuk e mirëpriti një propozim të tillë, duke u shpreh për kryerjen e namazit të Bajramit të dielën në xhami.

“Vënia e orës policore ashtu siç është paralajmëruar do të irritonte pa masë besimtarët islamë, nga shkaku se gati një muaj në vikende nuk ka pasur orë policore, gjë që me automatizëm nënkuptohet se bëhet me qëllim që të ndalohet falja e namazit të Fitër Bajramit, i cili falet njëherë në vit, namaz 15 minuta, ndërsa namazi i sabahut do të falet në shtëpi. Riaseti i BFI-së, për shkak situatës me pandeminë ka hequr dorë prej organizimit dhe manifestimit qendror të Fitër Bajramit, por nuk do të marrë përgjegjësi mbi vete për pezullimin e faljes së namazit të Fitër Bajramit në xhami. Nëse vendosni që gjatë vikendit në tërësi të futet në orë policore, atëherë ju si organe kompetente do ta humbni besimin te besimtarët islamë, duke e pasur parasysh se vendi ynë gjendet para zgjedhjeve parlamentare”, thanë nga BFI.

Të enjten, BFI i publikoi dhe rekomandimet për faljen e namazit të Fitër Bajramit, ndërkaq menjëherë pas asaj, gjatë mbrëmjes reisi Sulejman Rexhepi, tha se Kryesia e BFI është vërshuar me njoftime nga muftinitë dhe hoxhallarët e tyre se policia po i merr në telefon imamët dhe po ndikon mbi ata që të mos falin namazin e Bajramit, kurse në raste të tjera, policët kanë hyrë edhe nëpër xhamitë me qëllim për të bërë presion.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut gati një muaj i ka lehtësuar masat gjatë vikendeve, gjegjësisht ora policore është në orarin e njëjtë me ditët e tjera të javës, prej në 19:00 deri në orën 05:00.

Ministria e Shëndetësisë në raportin e fundit në lidhje me gjendjen e KOVID-19 në vend raportoi se Instituti i Shëndetit Publik  ka regjistruar 23 raste të reja me virusin korona, 1 person ka ndërruar jetë, ndërkaq 9 pacientë janë shëruar. Me këtë, numri i përgjithshëm i të infektuarve ka arritur në 1.921, të shëruarve 1.387, ndërkaq të vdekurve 112. Për momentin në vend kemi 422 raste aktive

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button