Pakistan, u rrit në 80 numri i të vdekurve nga rrëzimi i avionit (FOTO-GALERI)

Të paktën 80 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë humbur jetën pasi një aeroplan i kompanisë ajrore Pakistan International Airlines (PIA) me 99 pasagjerë dhe anëtarë të ekuipazhit u rrëzua në qytetin Karaçi, njoftuan zyrtarët dhe mediat lokale, raporton Anadolu Agency (AA).

Më herët, Autoriteti i Aviacionit Civil, organ shtetëror që rregullon udhëtimet ajrore, tha se në bord ishin 107 persona.

PIA megjithatë theksoi se në bord ishin 91 pasagjerë dhe tetë anëtarë të ekuipazhit.

Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA
Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA

Avioni me numër fluturimi PK-8303, që udhëtonte nga qyteti verilindor Lahore, u rrëzua pranë Aeroportit Ndërkombëtar Jinnah ndërsa ishte duke ateruar, konfirmoi Autoriteti i Aviacionit Civil në një deklaratë.

Dr. Seemi Jamali, drejtori ekzekutiv i Qendrës Mjekësore Pasuniversitare Jinnah, tha për AA se në spital janë sjellë 48 trupa.

Dr. Khadim Qureshi, shefi i Spitalit Civil, u tha gazetarëve se 32 trupa dhe 20 persona të lënduar janë sjellë në institucionin shëndetësor. Shumica e të plagosurve janë në gjendje kritike, shtoi ai.

Mbetet e paqartë nëse personat e vdekur dhe të plagosur janë pasagjerë apo banorë lokal.

Deri më tani, vetëm 17 prej të ndjerëve janë identifikuar pasi shumica e trupave janë djegur përtej identifikimit, thanë zyrtarët shëndetësorë.

Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA
Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA

Ekipet e shpëtimit thanë se dhjetëra njerëz ishin ende të bllokuar nën rrënoja.

Deri më tani, dy persona, përfshirë Zafar Masood, bankierin më të madh të vendit, janë raportuar si të shpëtuar nga aksidenti. Raportohet se gjendja e tyre është qëndrueshme.

Saeed Ghani, një ministër i krahinës, publikoi foton e tij me Muhamed Zubair, një i mbijetuar i cili po kurohet në një spital lokal.

“Avioni filloi të dridhej pak para aterimit. Mendova se ishte vetëm për shkak aterimit. Por pas disa sekondave, pati një shpërthim të madh dhe unë humba ndjenjat”, tha Zubair për Geo TV në një deklaratë me telefon.

“Gjithçka ishte e qetë dhe normale derisa avioni u përpoq të ateronte në një ulje urgjente në pistë, por nuk arriti ta bëjë këtë”, shtoi ai.

Sipas Zubair, piloti bëri një njoftim tjetër për ulje por krejt papritur, avioni rrëshqiti dhe goditi ndërtesat.

“Kishte zjarr, tym dhe britma përreth kur erdha në vetëdije. Zgjidha rripin tim të sigurimit dhe dola përmes një pjese të thyer të aeroplanit”, tha ai.

Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA
Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA

Zubair, i cili fatmirësisht shpëtoi vetëm me plagë të lehta të djegies, u shoqërua nga banorët e zonës të cilët arritën në vendngjarje dhe e transferuan në spital.

Rrëzimi ndodhi disa ditë pas rifillimit të fluturimeve vendore pas heqjes së masave bllokuese që ishin në fuqi prej një muaji me qëllim të parandalimit të përhapjes së koronavirusit.

Abdullah Khan, zëdhënësi i PIA-s, u tha gazetarëve se do të ishte herët të komentojë shkaqet e mundshme të rrëzimit.

“Avioni nuk ishte i vjetër dhe ishte i mirëmbajtur”, tha ai.

Mirëpo, Geo TV raportoi se një raport fillestar i hetimit sugjeroi që zogj të shumtë u përplasën me aeroplanin.

– Thirrja për ndihmë

Kontakti i fundit midis pilotit dhe kullës së kontrollit të transmetuar në Geo TV sugjeroi se përplasja ishte rezultat i një defekti në motor.

Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA
Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA

“Kam humbur motorin”, u dëgjua piloti Sajjad Gul duke i thënë kullës së kontrollit në një mesazh të ndihmës.

Fjala e fundit e Gul ishte “në rregull”, në përgjigje të direktivës së kullës së kontrollit se dy pistat janë të hapura për një ulje emergjente.

Pamjet e transmetuara në transmetuesin lokal Geo News treguan retë e tymit që dilnin lart nga mbetjet e djegura të aeroplanit të aksidentuar. Disa automjete gjithashtu u përfshinë nga zjarri.

Avioni ra në një zonë të banuar duke dëmtuar disa shtëpi dhe automjete.

“Avioni u rrëzua aq shpejt. Nuk mund ta kuptoja në momentin e parë se çfarë po ndodhte”, tha dëshmitari okular Rana Jawed para gazetarëve.

Avioni, tha ai, ishte përfshirë nga zjarri para se të binte poshtë pas një “shpërthimi të madh”.

Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA
Rrëzimi i avionit në Pakistan, foto: AA

Ambulancat dhe automjetet e zjarrfikësve u panë duke nxituar për në vendin e ngjarjes, ku turmat e banorëve të zonës ishin mbledhur tashmë.

Ushtria dhe personeli policor arritën gjithashtu në vend ngjarje për të ndihmuar operacionin e shpëtimit pasi rrugët e ngushta pengonin lëvizjen e automjeteve të shpëtimit.

Ndërkohë, presidenti Arif Alvi, kryeministri Imran Khan dhe shefi i ushtrisë Gjeneral Qamar Javed Bajwa shprehën pikëllim për humbjen e jetëve në përplasje.

“I tronditur dhe i trishtuar nga përplasja e PIA-s. Jam në kontakt me Drejtorin e Përgjithshëm të PIA-s Arshad Malik, i cili është nisur për në Karaçi, dhe me ekipet e shpëtimit dhe ndihmës në terren, pasi kjo është prioritet tani. Do të niset një hetim i menjëhershëm. Lutjet dhe ngushëllimet shkojnë për familjet e të ndjerëve”, tha Khan në një postim në Twitter.

Në dhjetor të vitit 2016, një aeroplan i PIA-s ishte përplasur në ultësirat e qytetit veriperëndimor Chitral, me çka të gjithë 48 pasagjerët në bord kishin humbur jetën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button