(Intervistë) Rufi Osmani: Thirrjet për unitet vetëm demagogji, RDK e vetme në zgjedhje

Situata e tensionuar ndëretnike dhe mosmarrëveshjet mes partive qeveritare për ligjin për branitellat janë skenar i përbashkët i VMRO-së dhe BDI-së, thotë kryetari i RDK-së Rufi Osmani. Në një intervistë ekskluzive për Portalb ai flet edhe për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, koalicionet parazgjedhore dhe bashkëpunimin me partitë tjera shqiptare.

Intervistoi: Benjamin Arifi

PORTALB: Si e komentoni situatën politike në vend, mosmarrëveshjet rreth partnerëve të koalicionit qeverisës dhe nxehjen e marrëdhënieve ndëretnike?

Osmani: Është një situatë tragjiko-komike që kishte një skenar të përbashkët të partnerëve të koalicionit VMRO – BDI, mirëpo që së fundi  situata gradualisht ju ka dal nga kontrolli dhe tash të dy partnerët e kanë problem të përcaktojnë  se ku është kufiri, ku duhet të ndalen. RDK ka pasur qëndrim konzistent se kjo qeveri nuk ka kapacitete menaxheriale të menaxhon situata problematike dhe konfliktuale si ishte rasti me vrasjen në Gostivar dhe vrasjet në Shkup dhe se organet e rendit dhe të drejtësisë në vend se të zbulonin fajtorët e vërtetë në rastin e dytë ato dhanë vlerësime të paragjykuara duke lëshuar akuza të renda kolektive na baza etnike dhe fetare. 

Këto akuza ishin shkak i eskalimit të dhunës  dhe të krijimit të tensioneve të larta ndëretnike të shoqëruara  me  reagime spontane dhe të organizuara të masave popullore me të cilat u manifestua mospajtimi i thellë i qytetarëve shqiptar dhe revolti për arshinin e dyfishtë të trajtimit të rasteve kriminale.  

Tashmë është e qartë se VMRO – DPMNE dhe udhëheqësit e saj nuk kanë vullnet, guxim dhe kapacitet politik të kapercejnë  në mënyrë civilizuese  konfliktin e vitit 2001 përkundër faktit që bashkëqeverisin  me udhëheqësit e  luftës së vitit 2001. Për pasojë mllefin ndaj 2001 e manifestojnë ndaj të vdekurve dhe jo ndaj të gjallëve që i kanë partner besnik  qeveritar. Ky paradoks është një rast unikat që nuk gjindet dot në historinë e shoqërive dhe qeverive postkonflikuale në botë. Fakti që të dy partnerët qeveritar kurrë nuk e shtruan  dilemën e bashkëqeverisjes argumenton bindshëm se retorika nacionaliste respektive është një marrëveshje të cilën e realizojnë në funksion të kapitalizimit politik zgjedhor.   

PORTALB: A mendoni se e gjithë kjo situatë do të rezultojë me zgjedhje të parakohshme parlamentare së bashku me ato lokale në mars?

Osmani: Realizmi i zgjedhjeve  të përbashkëta lokale dhe parlamentare do të varet nga marrja e datës për fillimin e negociatave për integrim ne BE.  Nëse Maqedonisë i ofrohet data e negociatave deri në fund të vitit, atëherë të dy partnerët do të shpallin zgjedhjet e përbashkëta, në të kundërtën  do  të  garohet vetëm në nivel  lokal.    

PORTALB: Rilindja Demokratike Kombëtare do të shkon e vetme apo do të jetë pjesë e ndonjë koalicioni në zgjedhjet e ardhshme lokale, dhe eventualisht të parakohshme parlamentare?

Osmani: RDK në zgjedhjet lokale në komunat me shumicë shqiptare do të garon e vetme në rrethin e parë, ndërsa në rrethin e dytë në varshmëri nga rezultati i arritur do të ndërton qëndrimin e saj në mënyrë plotësuese.

Në rastin e Kërçovës do të bëjmë përjashtim dhe do të përkrahim pa kushtëzime kandidatin e BDI-së në funksion të fitores të kandidatit shqiptar.  Në komunat ku shqiptarët janë pakicë ngelim të hapur për bashkëpunim parimor me partitë tjera shqiptare në kuptim të fuqizimit të përfaqësimit politik të shqiptarëve duke respektuar peshën politike të çdo subjekti dhe në veçanti cilësinë e kandidaturave që do të përcaktohen. Nëse organizohen zgjedhje të parakohshme parlamentare duhet të bëhen analiza më serioze dhe më pas të ndërtohet një qëndrim politik rezultativ.  

PORTALB: Pse dështoi formimi i bllokut të tretë shqiptar, gjegjësisht koalicionimi me partitë më të vogla si DR, BDSH dhe BDK?

Osmani: Pas lojës manipulative për bashkëpunim që u ekzekutua nga PDSH, nga pozicionet opozitare  politike  RDK  ofroi formimin e bllokut të tretë politik shqiptar në Maqedoni si një alternativë e cila do të duhej të rimëkëmb faktorin politik shqiptar opozitar.  Kjo ide nuk  u përkrah nga DR-ja sepse kjo parti zhvillon negociatat  me BDI dhe PDSH se kush do ti ofrojë më shumë mandate politike pavarësisht nga pesha e saj  politike dhe nga pozicioni opozitar.  

Negociatat me  BDSH nuk rezultuan pozitive sepse kishim arshine te ndryshme per  peshen politike respektive perkunder faktit qe ne ofronim bashkepunim  parimor,  BDSH përkrahte  tezen e bashkimit politik.  Më duhet ta them me objektivitet se me përjashtim të RDK-së të gjithë përfaqësuesit e të gjitha partive politike shqiptare,marrjen me politikë e bëjnë ekskluzivisht për motive interesi dhe se të gjitha deklarimet e tyre për unitet kombëtar janë vetëm demagogji e pastër në funksion të bërjes së karrierave politike. 

PORTALB: Cilat kanë qenë sfidat kryesore gjatë qeverisjes suaj me këtë komunë, dhe çfarë mendoni se ka mbetur për tu bërë?

Osmani: Mandati im si kryetar komune ka qenë i veçantë në më shume drejtime duke pasur parasysh se unë fitova si kandidaturë e pavarur në vitin 2009. Trashëgova një komune me borxhe të jashtëzakonshme prej 11 milion euro që ishin tri herë më të mëdha se buxheti baze. Trashëgova një administratë komunale tepër të politizuar, kisha në vazhdimësi bllokada permanente nga pushteti qendror dhe në një situatë të tillë, faza e konsolidimit të komunës më mori dy vitet e para të qeverisjes.  Për pasojë të kësaj situate emergjente, më duheshin dy vite me radhë të bllokoja nga 5 mijë llogari bankare të firmave dhe të qytetarëve për shkak të mospagesës së taksave komunale dhe të realizojë vetëm pjesërisht investimet kapitale. 

Viti i tretë dhe i katërt i mandatit ishin projektuar të jenë vite të sukseseve në komunë, falë reformave dhe stabilizimit të arritur financiar. Sukseset jane evidente në të gjitha drejtimet: pagova mbi 70% të borxheve të trashëguara, dyfishova buxhetin bazë nga 3,5 ne 7,2 milion euro, realizova mbi 7 milion euro investime dhe sigurova 3 milon euro kredi të buta nga Banka Botërore, KHË banka dhe EBRD. Për 4 vitet e ardhshme kam siguruar deri tash 12,5 milion euro fonde nga më shume institucuione dhe donatorë. Në shenjë mirënjohje për politikat reformatore komuna e Gostivarit është e vetmja  komunë shqiptare në kuadër të pesë komunave në Maqedoni që morri Rejting Kreditor nga agjencioni Mudis për vitin 2011 dhe për vitin 2012 nga Instituti respektabil i Dablinit jam shpallur si njëri nga kryetarët më reformator në Ballkanin Perëndimor.   

PORTALB: A do të kandidoheni për edhe një mandat për kryetar të Komunës së Gostivarit?

Osmani: Është një nga opsionet  e mundshme në varshmëri nga kandidaturat e partive tjera politike.  Realisht vlerësuar posti i menaxherit të komunës më merr shumë kohë dhe nuk më len hapsirë të mjaftueshme për promovim të RDK-së dhe ky është një problem të cilit duhet ne në RDK ti japim një zgjidhje optimale në një periudhë të shkurt kohore.

PORTALB: Të themi se kandidoheni, ku do të jetë theksi në fushatën tuaj parazgjedhore?

Osmani:  Prioritetet e reja për komunën e Gostivarit pas stabilizimit fiskal dhe financiar do të fokusohen në tejkalimin e disa problemeve bazike strukturore që konsistojnë në: zgjedhjen definitive të problemit me stacionin e filtrimit për ujin për pije, rikonstruimin e rrjetit të ujësjellsit në qytet, vazhdimin e ndërtimit të kanalizimeve,  zgjedhjen e problemit me deponinë e qytetit, ndërtimin e sallës sportive në gjimnazin e qytetit,  fillimin e ndërtimit të rrjetit të gazifikimit për institucionet publike, ndërtimin e zonave ekonomike dhe industriale dhe tërheqjen më masive të  fondeve financiare nga bota e jashtme në funksion të zhvillimit ekonomik dhe tejkalimit të problemeve të shumta ekologjike dhe hapjen e vendeve të reja të punës.  

PORTALB: Kur do te gjindet zgjidhje për deponine regjionale  në  Rusina (Banjicë) e cila  është një problem serioz për rajonin e Pollogut dhe për qytetaret e këtij rrethi?

Osmani: Më duhet të them me keqarrdhjen më të thellë se ky problem që është kryesisht problem i Tetovës dhe që u bart në Gostivar nuk arriti  të ketë një epilog pozitiv në këtë mandat qeverisës për arsye të keqmenaxhimit të qendrës rajonale të Pollogut dhe të Ministrisë së Ekologjisë si bartëse të procesit  të dhënies me koncesion.  Një faj serioz në këtë proces bart komuna e Tetovës e cila paralelisht udhëhiqte edhe aktivitet alternative për ndërtimin e një kapaciteti përpunues të hedhurinave, projekt  ky që u dështoi së fundi.  Komuna e Gostivarit  ishte tërësisht e angazhuar që ky proces të ketë epilog pozitiv, mirëpo ishte kundër kushteve  tepër preferenciale që u ofroheshin koncesionereve potencial dhe faktit që dobësitë në menaxhim të deponisë duhej të kompenzoheshin nga buxheti i komunës dhe të realizohej që në start rritja e çmimit të hedhurinave për disa herë. Ky problem do të jetë me prioritet në mandatin  tjetër dhe duhet detyrimisht të zgjidhet.  

PORTALB: Një prej fushave ku mbetet punë për tu bërë sigurisht se është edhe fusha e kulturës. Gostivarit i mungojnë objekte të kulturës. A është në plan ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme në këtë sferë?

Osmani: Gostivari ka Pallatin e Kulturës që është financuar nga vetkontributi i qytetarëve dhe si i tillë i takon komunës, mirëpo me vendim arbitrar qeveritar ky objekt është shpallur objekt i karakterit nacional. Sigurisht se Gostivarit i mungon një teatër profesional, bibliotekë, kinema  dhe objekte tjera përcjellëse kulturore. Qytetarët duhet të dinë se në sferën e kulturës komunat kanë kompetenca zero dhe njëkohësisht në sferën e investimeve kapitale në arsim, kulturë dhe shëndetësi  kompetnecat janë ekskluzivisht  të qeverisë.

PORTALB: A ia keni falur z. Branko Cërvenkovski ngjarjet e vitit 97?

Osmani: Personi në fjalë përkundër një pendimi gjysmak kurrë nuk morri guximin njerëzor dhe politik tu kërkojë falje qytetarëve  të Gostivarit  dhe në veçanti familjarëve të dëshmorëve  për krimin qe ai realizoi ndaj qytetarëve të këtij vendi. Personalisht burgu  dhe ngjarjet e flamurit të vitit  1997 më hoqën edhe ato pak dilema  që i kisha dhe më  bënë edhe më të fortë. Nuk merrem me personin në fjalë në asnjë aspekt.                            

     

Lajme të ngjashme

Back to top button