Të jesh mësues në kohën e sotme

Shkruan: Delvina KËRLUKU

Qëllimet e edukimit dhe arsimit janë të nevojshme në jetën e përditshme, për kohën që po jetojmë ose për arsimin e mëtejmë. Edukata, fillet e saj i ka në familje. Arsimimi, në shkollë. Edukata është ajo që mbetet.  Njeriu edhe mund ta harron atë që ka mësuar në shkollë! Gërshetimi i edukatës dhe shkollimit, e bëjnë njeriun më të përsosur ndër njerëzit. Sa më pak i edukuar është njeriu, aq më pak respekt kultivon ndaj vetë familjes, mësuesit dhe shoqërisë. Kjo, gjithsesi e bën më të pa dobishëm. Sa më i pa arsimuar është një person, e përdhos kombin, por çudi është se aq më e madhe është pikëpamja për veten e tij. Këto njerëz i kemi përreth dhe këta njerëz i mban toka. Mirëpo, edhe koha që ec, me hapin e saj të çalë, nuk do t’i shërojë këta njerëz. Koha ideale për të filluar formimin e edukimit të tyre dhe të fëmijëve të tyre është dekada më parë, para lindjes së prindit. Dhe fatkeqësia mbetet ndër ne (mësimdhënësit). Ndonëse e vështirë të kapërdijsh “zhurmën” e nxënësit, studentit, janë mësimdhënësit që nuk japim vetëm njohuri për lëndën.  Në ditët tona, arsimi fokusohet edhe në mësimdhënin e vetëdijes emocionale, menaxhimin e konfliktit dhe përgjegjësisë sociale, me qëllim të nxit nxënësit, studentët, të bëhen qenie njerëzore më të mira. Shkolla, brezat e rinj, i përgatit për një jetë në një botë, të padukshme, që nuk ekziston. Mirëpo, sot e shekuj më parë, edukata dhe arsimi kanë qenë dhe janë shtylla të shoqërisë, të vendit, të kombit. Por, se sa u përkushtohemi, veçmas për gjeneratat e reja, këtyre dy shtyllave, është një pyetje me peshë, që duhet kërkuar në mesin tonë. Dëshmitarët e kësaj kohe janë vetë mësimdhënësit. Kur e gjithë bota vuan dhe më e bukura do të ishte të qeshim, kësaj vuajtje i shtohet edhe pandërgjegjshmëria e prindërve, për t’i dhënë dorë fëmijës për ta edukuar dhe për ta afruar në mësimin on’line. Pandërgjegjshmëria e mësimdhënësve, për të dhënë gjithçka edhe në kohë krize. Pandërgjegjshmëria e shoqërisë, për të qëndruar në shtëpi, për ta ruajtur veten dhe të tjerët. Të gjithë e vuajmë këtë kohë, por më shumë të edukuarit, ata që zbatojnë rekomandime, të qeverisë,  ligjin. Duke qenë të mbyllur, në shtëpitë tona, ndonjëri mund të punojë, në distancë, të lexojë libra nga bibloteka e tij. Por, ka nga ata që e kanë domosdo të dalin e të fitojnë një kafshatë, për fëmijën, për familjen. E këta njerëz ndonjëherë i keqkuptojmë, e kur biejmë ndesh, i kuptojmë. Flas për Bekimin, i cili sillte fletoren e fëmijës, te mësuesja (nëna ime), atëherë kur muzgu biente, kur të gjithë nxënësit kishin përfunduar mësimin në distancë. E vetmja ishte bija e tij, në këtë kohë, që nuk përfshiheshte në procesin mësimor. Ndonëse autoritetet qeveritare kishin shpreh dëshirë për t’i ndihmuar nxënësit e studentët në nevojë, dorën nuk e kishin zgjatur, për shumë skamorë. Sepse, në llogarinë e tij, punëdhënësi ka lëshuar para dhe ai nuk ka të drejtë të përfitojë nga qendra sociale, një sim kartelë me internet dhe një paisje elektronike, ku fëmija të ndjek mësimin. Ai punonte për bukën e gojës dhe jo për arsimin e fëmijës. Këtë gjendje e kanë edhe studentët (e mi), Arbeni, Omeri, Medina, Bleroni, të cilët vijnë në orë për një përshëndetje, ose s’vijnë fare, sepse nuk kanë mundësi, për ata më mirë është të vrapojnë në klasë, se sa të kyçen, në mësimin on’line. Por, ka edhe nga ata nxënës të vegjël që nuk dijnë ta hapin kompjuterin, sepse asnjëherë nuk kanë patur. Por, varfërisë nuk i gjejmë zgjidhje, ajo mbetet në një udhëkryq, ku janë shumë fëmijë, studentë, familje. Gjurmimi i një mësimdhënësi i mbetet të dije se, përse nxënësit e shkollave, studentët e universiteteve, nuk janë kyçur në mësimin në distancë. Këtu, ngritet një dilemë e madhe, është varfëria, apo pandërgjegjshmëria e prindërve për t’i nxitur fëmijët, për t’u bashkuar me shokët, mësuesin dhe mësimnxënien. Apo është pa edukata e fëmijëve, që rrjedh nga familja?! Shkolla i mëson fëmijët tanë në zhvillimin e shkrim-leximit dhe aftësive të nxënësve për t’u kuptuar, informuar dhe shprehur në gjuhën amë. Por, edhe edukim për tolerancën, bashkëpunimin e ndërsjellë, respektimin e dallimeve, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, etj. Sot, fatkeqësisht ndodh edhe kjo, që në arsim është t’i japësh atij që nuk të jep ty, dhe ta falësh atë që të fyen ty. Dhe ne arsimdashësit, durojmë, ndërsa ata ikin. Për ku?! Duhet të ndjejmë keqardhje për njerëzit e paarsimuar në një ditë me shi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button