fbpx

PD-PS: Pro në parim rezolutës për zgjidhjen e çështjes çame

Dy deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, dorëzuan dje zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë, Rezolutën për Zgjidhjen e Çështjes Çame. Sipas tyre, PDIU u drejtohet deputetëve dhe jo partive për votëbesimin e rezolutës, ndërkohë që përfaqësuesit parlamentarë të të dyja partive, PD-së dhe PS-së, e mbështesin në parim, por palët janë në pritje të vendimeve të grupeve kuvendore. 

Mosformalizimi i qëndrimeve përfundimtare si nga PD-ja ashtu dhe nga PS-ja ka bërë që deputetët të japin përgjigje të shkurtra lidhur me mënyrën e votimit të rezolutës së PDIU-së. Deputeti i PS-së Marko Bello deklaroi dje se “do ta shikojmë me seriozitet rezolutën e PDIU-së”. I këtij mendimi është edhe deputeti tjetër socialist Artan Gaçi, por sipas tij, më parë do të vendosë grupi parlamentar i PS-së. “Jam pro rezolutës, por do ta diskutojmë në grup”, – tha ai. Të njëjtin qëndrim shprehën edhe deputetët demokratë Ismail Hoxha dhe Ilir Bano. “Sigurisht që jam dakord me rezolutën”, – tha deputeti Hoxha. 

Ndërsa Ilir Bano i PD-së u shpreh se: “të presim vendimin e grupit parlamentar”. Nga ana tjetër, pasi depozituan në Kuvend rezolutën që përmban 13 pika, kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, deklaroi përpara gazetarëve se rezoluta, që u adresohet të gjithë deputetëve të parlamentit, është amaneti i mijëra shqiptarëve të Çamërisë që u vranë dhe u masakruan. Sipas Idrizit, rezoluta nuk i shpall luftë Greqisë dhe nuk kërkon territore, por është një rezolutë paqeje që bazohet në të drejtën evropiane. 

“Rezoluta është testament i atyre mijëra shqiptarëve të Çamërisë që u vranë dhe u masakruan, por dhe një testament i gjallë. Kjo rezolutë nuk i shpall luftë Greqisë, por është një rezolutë paqeje. Nuk është thjesht rezolutë e PDIU-së, por është rezolutë e dy shqiptarëve çamë, që iu adresohet për mbështetje të gjithë deputetëve dhe popullit shqiptar. Nuk do t’u drejtohemi partive parlamentare, por do t’i drejtohemi ndërgjegjes kombëtare të parlamentarëve shqiptarë”, – u shpreh Idrizi. 

Rezoluta përmban 13 pika, të cilat, siç nënvizon PDIU, mbështeten dhe marrin në konsideratë qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe legjislacionin shqiptar. 

Në relacionin shpjegues, PDIU thekson se rezoluta kërkon që në përputhje me nenin 15 të Traktatit të miqësisë, bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë dhe sigurisë mes dy vendeve tona, dhe nenit 1 të Protokollit shtesë të KEDNJ-së, të hiqen pengesat që nuk lejojnë gëzimin e lirë të së drejtës së pronës dhe të të drejtave të tjera për qytetarët shqiptarë çamë, dikur shtetas grekë. /portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button