ANALIZË, Buxheti i Krizës: “Ngecje” në investimet kapitale për shkak të Kovid 19 por edhe për shkak të zgjedhjeve!

Buxheti i krizës i ka rritur subvencionet dhe transferimet për më shumë se 46%, ndërsa i “shkrinë” shpenzimet kapitale me 17,8%. Më pak para do të mblidhen nga pothuajse të gjitha burimet tatimore dhe jo-tatimore, e do të ketë shkurtime për pagat, mallrat dhe shërbimet, madje edhe transferimet në komuna. “Portalb”, duke shqyrtuar dokumentin e ri të buxhetit, ka bërë analizë se sa dhe ku do të ketë shkurtime, e sa dhe prej ku do të mblidhen paratë në thesarin e formatuar rishtazi të shtetit, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.

Ana e të ardhurave – hyrjet e tatimeve më të ulëta për 16.2% …

Në anën e të ardhurave, Kovid 19 e mori “tatimin” pothuajse te të gjithë zërat tatimorë. Sipas të dhënave nga Buxheti i Krizave, rënie të konsiderueshme e të ardhurat tatimore pritet të ketë në tatimin e të ardhurave, tatimin e fitimit, kontributet për sigurime sociale, madje edhe te tarifat, gjobat. Konkretisht, deri në fund të vitit, të ardhurat nga Tatimi mbi të ardhurat, fitimet dhe fitimet kapitale pritet të jenë në nivelin e pothuajse 480 milion euro, nga mbledhja e Kontributeve për sigurim social 1 miliardë euro, dhe nga Tatimet e brendshme për mallrat dhe shërbimet ( TVSH) gati 1.2 miliardë euro – që do të thotë ulje te të gjitha pozicionet në krahasim me planin e mëparshëm për vitin 2020.

“Në strukturën e të ardhurave totale, të ardhurat nga tatimet marrin pjesë me 55.4% dhe janë planifikuar në nivelin prej 1.77 miliardë euro ose 16.2% ulje në krahasim me parashikimet fillestare për vitin 2020. Të ardhurat tjera (jo tatimore, kapitale dhe donacione të huaja) janë planifikuar në nivelin 396,7 milionë euro ose 2.4% më të ulëta se parashikimet fillestare”, thuhet në dokumentin e buxhetit.

Ja sa para është planifikuar të mblidhen në baza tjera (tatimore dhe jo-tatimore) sipas parashikimeve të reja të buxhetit:

Doganat dhe detyrimet (tregtia dhe transaksionet): 89.4 milion euro

Gjobat, taksa gjyqësore dhe administrative:34.8 milion euro

Tatimet dhe kontribute: 56.2 milion euro

Ose në përqindje, të ardhurat tatimore janë ulur me 16.2%, të ardhurat nga kontributet me 5.4%, të ardhurat jo-tatimore janë ulur me 1.5%, të ardhurat kapitale me 2% dhe donacionet janë ulur me 8.5%.

Ana e shpenzimeve – te “mallra dhe shërbime” rënie prej 8,8% …

Me arkën e re të ri formatuar të buxhetit para do të shkurtohen për paga, mallra dhe shërbime, për transfere në komuna, por ndjeshëm po rritet zëri “subvencione dhe transfere”.

Sipas të dhënave nga shqyrtimi i dokumentit buxhetor, gati 492 milion euro janë planifikuar për pagesën e pagave dhe kontributeve deri në fund të vitit, 795 milion euro për mallra dhe shërbime, dhe për transferime aktuale në komuna  do të ndahen 347 milionë euro

Shpenzimet totale: -1.4%

Paga dhe kontribute: -1.2%

Mallra dhe shërbime: -8.8%

Transfere në NJVL: -0.2%

Shpenzime kapitale: -17.8%

Sipas justifikimit të krijuesit të politikave buxhetore, masa e pagave zvogëlohet si rezultat i vendimit për “ngrirje” të punësimeve të përkohshme, përkatësisht ndalesa për punësime të reja. Sipas përqindjes së sasisë së zvogëluar në krahasim me parashikimet dhe planet e mëparshme, më domethënës është ulja e “shpenzimeve kapitale” për të cilat ishin planifikuar 386.5 milion euro, ndërsa me rebalanc fondet u ulën në 317.1 milionë euro.

Nga ana tjetër, shpenzimet në bazë të “subvencioneve dhe transfereve” janë rritur madje për 46.4% ose janë rritur për 453 milionë euro, ndërsa ka një rritje prej 3.5% në “transfere aktuale”.

“Rritja e transfereve rrjedhëse ka të bëjë me masat e ndërmarra për sigurim të fondeve për zbatim të masave ekonomike që i ka miratuar Qeveria, e këto fonde janë ndarë në buxhetet e ministrive dhe institucioneve përkatëse përgjegjëse për zbatimin e masave përmes Programit P1 – Masat për përballje me Krizën Kovid 19 “- thuhet në buxhetin e ri të krizës.

Për shkak të krizës, qeveria ka regjistruar edhe ngadalësim të operacioneve kapitale.

“Shpenzimet kapitale janë planifikuar në 19.5 miliardë denarë (317.1 milionë euro) ose për 4.2 miliardë denarë (68.1 milionë euro) më të ulëta se plani për vitin 2020 dhe janë rezultat i ngadalësimit të aktiviteteve ekonomike, shtyrja e investimeve për shkak të aktiviteteve zgjedhore, si dhe masave për përmbajtje nga prokurimi i mobileve, pajisjeve dhe automjeteve, të cilat në thelb edhe nuk lidhen drejtpërdrejt me trajtimin e krizës shëndetësore dhe ekonomike të shkaktuar nga virusi Covid 19 “- thuhet në Rebalancin e Buxhetit.

Qeveria Teknike vendosi të bëjë rebalanc të buxhetit pasi të dhënat për periudhën nga janari deri në fund të prillit treguan të ardhura totale të realizuara me 27.3% krahasuar me atë të planifikuar, pra rënie prej 4.9% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në njërin nga burimet kryesore të financimit të buxhetit, të ardhurat nga tatimet, është regjistruar rënie prej 9.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Këtë vit, ekonomia po hyn në një recesion, përkatësisht PVB-ja sipas parashikimeve të buxhetit të ri do të jetë -3.4%.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button