Divergjencat mes dy liderëve komunistë Tito dhe Enver Hoxha

Më 4 maj 2020 u bënë 40 vite nga vdekja e liderit karismatik komunist të Jugosllavisë Josip Broz Tito. Jugosllavia e Titos, siç quhej atëherë, ishte një nga shtetet më liberale dhe më të zhvilluara ekonomikisht në Europën juglindore që krahasohej me Italinë. Në periudhën e luftës së ftohtë Jugosllavia ishte shteti më i zhvilluar në Ballkan. Turqia në atë periudhë ishte shtet i botës së tretë, Greqia ishte shtet me diktaturë të juntës militariste, kurse dy shtete të tjera ballkanike (Bullgaria e Rumania) ishin shtete të robëruara në kampin komunist.

Në janar të vitit 1948 në Rezolucionin e Informbyrosë Titoja u nda nga Stalini. Jugosllavia, ndryshe nga shtetet e kampit komunist europjan dhe shteteve të tjera komuniste në botë, ishtë i vetmi shtet që kishte vetqeverisje e vetadministrim me ekonomi liberale dhe sektor privat që lejonte fuksionimin e firmave private me 5-30 punëtorë. Njëkohësisht kishte dhe ushtrinë e tretë më të fortë në Europë. Jugosllavia ishte i vetmi shtet në botë që u mundësonte shtetasve të vet të udhëtonin lirisht, pa viza, në Perëndim dhe në Lindje.

X

Dyzet vite pas vdekjes së Titos, përveç Sllovenisë dhe Kroacisë, republikat e tjera të ish-Jugosllavisë kanë ngecur në stagnacion, të paintegruara, të falimentuara dhe në kolaps ekonomik. Dhjetë vite luftë dhe akoma me defiçit demokratik, me liderë autokratë, ultra-nacionalistë e populistë; elita politike të përçara, korrupsion dhe inkriminime. Në këtë katrahurë, në këtë vorbull, në këtë kazan ballkanik janë edhe dy shtetet shqiptare Kosovë e Shqipëri. Populli i këtyre dy shteteve shikon me zili dy shtetet ballkanike Bullgarinë e Rumaninë si anëtare të BE, kurse dy shtetet tjera ballkanike – Greqinë e Turqinë – më të pasura, me standart më të lartë dhe më të begatshme. Dikur, në Jugosllavinë e Titos, qytetarët jugosllavë shkonin për pushime në këto shtete që atëherë ishin më të varfëra, të ndryshkura, dhe turistët jugosllavë nuk dalloheshin nga turistët perëndimorë.

Titoja – lideri paradoksal – i admiruar dhe i urryer

Data 4 maj 1980, e diel pasdite në qytetin ku punoja dhe banoja në Zvicër. Isha duke pirë kafe me disa miq e shokë, kur radioja dha lajmin se Presidenti jugosllav Josip Broz Tito kishte vdekur. Mbetëm të gjithë të mpirë. Mes nesh gjithë shqiptarëve ndjehej empati, keqardhje, por dhe ngazëllim. Kishte mes nesh nga ata që njëkohësisht e donin dhe e urrenin liderin komunist jugosllav. Atë ditë ky lajm i vdekjes së Titos bëri jehonë nëpër të gjithë radiostacionet dhe stacionet televizive të Zvicrës dhe Gjermanisë, si dhe të vendeve tjera. Ditën e varrimit shumica e punëtorëve jugosllavë nuk punuan; kishte dhe shqiptarë që nuk punuan, pasi të gjithë punëtorët nga ish-Jugosllavia konsideroheshin jugosllavë pavarësisht nga përkatësia etnike.

Në mbrëmje mora radion dhe fillova të dëgjoj me radhë BBC, France Internacional, Zërin e Amerikës në gjuhën serbo-kroate. Më kujtohet që korrespondenti i Radio France Internacional njoftonte se në varrimin e liderit karismatik komunist të Jugosllavisë, i cili kishte qenë nominuar për Çmimin Nobel dhe i iku nga duart për një qime floku, merrnin pjesë burra shteti, diplomatë dhe delegacione qeveritare nga e gjithë bota. Vetëm lideri komunist Enver Hoxha nuk mori pjesë në varrim.

Titoja ishte një aktor brilant i hapur më shumë me Perëndimin se me Lindjen. Ai ishte i vetmi lider komunist që udhëtonte nëpër botë e vizitonte sallonet e Vashingtonit, Parisit e Londrës me puro kubane dhe uiski duke imituar Uinston Çurçillin. Titoja ishte themeluesi i paktit të shteteve të pavarura. Së bashku me katër kryetarë të tjerë shtetesh: me Presidentin e Indisë Nehru, të Egjiptit Naser, të Indonezisë Sukarno dhe të Ganës Kwame Nkrumah, të quajtur “Nisma e të Pestëve”, themeluan “Lëvizjen e Mosangazhimit” dhe Titoja u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i saj.

X

Piramida e diktatorit do të bëhet në të ardhmen diskotekë

11 prill 1985. Një pasdite pranverore me diell një kushëriri im më mori në telefon dhe më tregoi se Enver Hoxha kishte vdekur. Në një klub ishin mbledhur të gjithë shqiptarët së bashku dhe po përcillnin ceremoninë mortore të varrimit të liderit komunist të shtetit shqiptar Enver Hoxha. Për shumicën e shqiptarëve në ish-Jugosllavi Enver Hoxha mbeti idol, mit, kult i adhuruar deri në shëmbjen e komunizmit. Shumica e shqiptarëve në diasporë e pritën me pikëllim e keqardhje të thellë lajmin e vdekjes së Enver Hoxhës. Në ekranet televizive, në të cilat rrallë shfaqej Shqipëria më parë, atë ditë shumë komentatorë dhe analistë tregonin biografinë e Enver Hoxhës dhe përshkruanin shtetin më të izoluar dhe regjimin më bizar të komunizmit. Kur ndodhte ndonjë ngjarje e veçantë në Shqipëri, ekranet televizive ndërkombëtare transmetonin gjithmonë pamje të Tiranës me bulevardin me statujën e Stalinit, me biçikletat e këmbësorët dhe me karrocierin me gomar duke ecur në rrugët kryesore. Analistët e komentatorët televizivë parashikonin që në të ardhmen, pas vdekjes së diktatorit do të ndodhnin ndryshime; Shqipëria nuk mund të ekzistonte duke zbatuar parimin e mbështetjes në forcat e veta; në të ardhmen rinia do të kërkojë ndryshime. Ishte për t’u habitur që në deklaratat e komentatorëve në atë periudhë shembja e komunizmit ishte absurde e utopike dhe nuk përmendej fare. Më kujtohet që në një emision të televizionit gjerman ZDF për Shqipërinë po shfaqej piramida në qendër të Tiranës dhe komentatori thoshte se ajo piramidë do të transformohej nga muze i diktatorit në restorante, bare, diskoteka e klube nate për rininë. Kurse statujat e Stalinit, Leninit e Enverit do të varroseshin përgjithmonë së bashku me kultin e diktatorit. Komentatori në televizion rrëfente luftën për pushtet dhe thoshte se Shqipëria do të vazhdonte rrugën e socializmit duke hequr kultin e individit të Stalinit dhe të pinjollit të tij Enver Hoxha, ashtu siç ndodhi në Bashkimin Sovjetik me Nikita Krushovin.

X

Duke vazhduar reportazhin me shqiptarët në Jugosllavi, në Universitetin e Prishtinës me 30 mijë studentë: Shqiptarët në Jugosllavi nuk kanë republikën e tyre si popujt sllavë në atë federatë. Kështu ata janë të diskriminuar ndonëse jetojnë më mirë se bashkëkombasit e tyre në anën tjetër të kufirit. Pas vitit 1974 krahina e Kosovës u shkëput formalisht ngaa Serbia dhe mori status autonom si element konstitucional në Federatën Jugosllave. Me Kushtetutën e vitit 1974 Titoja u dha më shumë pavarësi republikave dhe duke parë rrezikun e hegjemonizmit dhe unitarizmit serb, ai ka tentuar që ta dobësojë Serbinë duke e zvogëluar atë me anën e statusit autonom të dy krahinave të saj, Kosovës dhe Vojvodinës, me synimin që në të ardhmen ato të shkëputen krejtësisht nga Serbia. Sipas tezës së komunistëve kroatë e sllovenë të rrymës liberale, “sa më e vogël dhe sa më e dobët të jetë Serbia, aq më e fortë do të jetë Jugoallvia”.

Është e vërtetë se shqiptarët e Jugosllavisë mund të udhëtonin lirisht, pa viza, nëpër Europë, në Perëndim dhe në Lindje, por kishin një “mollë të ndaluar” që nuk mund ta preknin: shtetin amë – Shqipërinë, atje ku kishin familjet e të afërmit; atje e kishin të ndaluar, të pamundur që të shkonin.

“Jugo-nostalgjia”

Edhe shumë dekada pas vdekjes së Titos, ende vazhdon admirimi për të dhe nostalgjia për kohën e tij, më së shumti në Bosnjë dhe në Maqedoninë e Veriut. Kurse në Kroaci, Slloveni e Serbi opinioni dominues ndaj figurës së Titos dhe ndaj kohës së tij është skeptik dhe kontradiktor.

Shumica e gjeneratave që kanë jetuar në periudhën dyzet-vjeçare të Jugosllavisë shprehen haptazi se atëherë kanë jetuar më mirë. Pë shembull, një arsimtar ka pasur të ardhura mujore 800-1000 DM. Kurse tek gjeneratat e shqiptarëve nostalgjia vërehet në heshtje. Është bërë zakon që, sipas klisheve, po të shkruash në portale ose në gazeta një ese ose një artikull për diçka pozitive për periudhën titiste,  menjëherë fillojnë etiketimet, akuzat e shpifjet kinse vuajnë nga nostalgjia për vllazërim-bashkimin, nga mungesa e ish miqve slloven ose serbë. Është diçka e ngjashme si me kohën e diktaturës në Shqipëri po të lëvdoje kohën e Mbretit Zog. Po të thoje se atëherë njerëzit jetonin më mirë, se atëherë kishte më bollëk, etj., konsiderohej ‘agjitacion e propagandë’ dhe dënimi ishte deri në 8 vite burg. Ishte tabu të flisje ose të shkruaje diçka positive për të kaluarën. Të kaluarën nuk duhej ta shikoje bardh e zi, por vetëm të zezë. Sikur dhe në periudhën e Perandorisë Osmane që është bërë mit të thuash se për pesë shekuj kemi qenë vazhdimisht në kryengritje e rebelim, se kemi bërë vetëm luftë e rezistencë.

“Enver Hoxha – Profet i imagjinuar te shqiptarët në ish-Jugosllavi”

Te shumica e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, sidomos te gjeneratat e viteve 1970-80, ka pasur ndikim të fortë propaganda dhe indoktrinimi ideologjik utopist enverist se Enver Hoxha ishte ‘udhëheqësi gjenial’ i të gjithë shqiptarëve, se ishte ‘personaliteti dhe figura më e madhe pas Skënderbeut’. Enveri mbeti idhull e mit, sidomos te rinia shqiptare e ish-Jugosllavisë, deri në shëmbjen e komunizmit, bile edhe disa kohë pas viteve 1990-të.

X

Më 15 tetor 1991 ishte hera e parë që këmba ime shkelte në tokën e shtetit amë – shkova në Shqipëri së bashku me vëllain dhe kushëririn tim. Më kujtohet që në Tiranë ishim në Hotel Dajti duke pirë kafe me një mjek të moshuar. Ai na tha: “Jam i habitur se sa shumë ka depërtuar dhe ka ndikuar propaganda enveriste te gjysma e kombit tonë në Jugosllavi. Enveri për ne ka qenë një demon, një përbindësh i Frankenshtajnit, kurse tek ju ka qënë një profet imagjinar; ju e keni idealizuar. Mendoj që një arsye është se, ndonëse ju shqiptarët atje keni jetuar nën thundrën sllave, nuk keni vuajtur aq sa ne, nuk jeni internuar me familje të tëra si ne. Ju shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e troje të tjera nuk i keni futur çizmet në këmbët tona dhe nuk keni ecur me to, ju nuk keni hyrë nën lëkurën tonë. Ju nuk jeni rrëzuar si ne, nuk jeni zvarritur si ne, nuk keni qarë dhe qeshur si ne. Kjo mund të jetë ndoshta një arsye,” tha mjeku dhe heshti.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button