Skizofrenia kolektive

Mbrëmja e së dielës na përkujtoi edhe një herë çmendurinë e vendit dhe kohës ku jetojmë. Si rutinë, u raportua që një grup huliganësh kanë vijuar egërsimin e tyre pas lojës futbolistike, duke e shfryrë veten mbi dy pleq dhe një vajzë të mitur. Çmenduria jonë kolektive arrin deri në atë pikë, sa që reagimi është tronditës vetëm shkaku i profilit të viktimave. Tani më është bërë tërësisht e pranueshme rrahja e gjimnazistëve, dajaku mbi ata që janë pakica në anën e gabuar të metropolit shkupjan – dardan ose antik. Shkupit ‘të vjetër’ ose atij ‘evropian’.
 
Vetë fakti që shqetësimi i secilit prej nesh fiton në intenzitet vetëm për shkak se tani janë rrahur pleq e vajza, e tregon deformimin tonë etik e moral. Do të thotë, nuk ka dert që fëmijët rriten në frikë e psikozë – dajaku për ta është i pranueshëm, të paktën më i pranueshëm se thikat e dedikuara për vajzat e pleqtë. Kemi harruar që kur një herë legjitimohet dhuna, kur mësohemi me lëndimet pranë vetes dhe mosdënimin e krimit, mbeten vetëm nuancat që çdo herë lëvizin një hap tutje.
 
Të rehatshëm në mbrojtjen që e ofron mosndëshkimi, dorasit e incidentit të fundit nuk kanë arsye për frikë. Nuk kanë pse frikohen vrasësit e Muhamedali Jasharit, as bashkëdorasit e vrasjes së Martin Neshkovskit. Arsyeja pse ‘heronjtë’ e autobusëve janë aq të fuqishëm gjendet pikërisht në forcën që ua jep shteti dhe mosfunksionimi i institucioneve. Viktimat mund të jenë nga Çifliku ose Stajkovci, Saraji ose Autokomanda – ata bashkohen në dhembje dhe lotët e prindërve të tyre të shkretë, ndërkohë që pushtetmbajtësit blejnë edhe një ditë për t’i fshehur dështimet e tyre. 
 
Nuk ka shoqëri që ka prosperuar duke i fshehur krimet. Nuk ec shteti përpara me institucione të mbështjellura në amnestinë e akteve makabër. Nuk ka burrëri dhe as patriotizëm në heshtjen e dhunës – pa dallim kush i kryen ato dhe në shpinën e kujt thehen. Nuk ka paqe pa drejtësi, si që nuk ka drejtësi pa barazi. Ne, shqiptarët e kemi mësuar këtë me dekada dhe pikërisht për këtë arsye, nuk na falet amnezioni ndaj padrejtësive dhe dhunës, kushdo qoftë viktima!
 
Para dy javëve, elita shqiptare bëri namin në Shkup me deklarata të paskajshme për historinë dhe legjendat tona të lavdishme. Sot, krenaria jonë si shqiptarë vlen po aq sa edhe poshtërimi i viktimave të të dielës. Flamujtë tonë janë po aq të zbehur sa edhe fytyra e viktimës së mitur. Kot janë kuvendimet e nikoqirëve dhe mysafirëve, kur një person në Shkup bëhet viktimë vetëm për shkak se është shqiptar. Nuk vlejnë pesë para premtimet për shtetësi shqiptare, kur ne që jemi këtu ndihemi të pafuqishëm si pjesë e shtetit që ka detyrë të na mbrojë. Të pashpresa janë deklaratat e zyrtarëve që kur flasin – drejtohen në vetën e tretë, duke i bërë thirrje ‘institucioneve që duhet të veprojnë’. 

Natyrshëm, skizofrenia nuk ka kuptim pa pjesëmarrjen e të gjithëve. Anash fushatës megalomane prej €600.000 për tolerancë, Qeveria rregullisht i bën thirrje palëve të qetësohen, duke e përsëritur përkushtimin e koalicionit qeverisës për integritetin e vendit. Realiteti paralel është shndërruar në model – incidentet dhe rrahjet përsëriten në seri, disa ditë më vonë dalin përgjegjësit me deklarata shtërpe dhe gjithçka merr fundin për të rifilluar sërish si ritual. Ngjan se institucionet dhe partnerët e koalicionit janë organizatë e promovimit të paqes, jo organe të obliguara me ligj për ndëshkimin e krimeve. Kush e rrezikon integritetin që u premtua se duhet të ruhet, kur institucionet nuk kanë raportuar për asnjë incident të zgjidhur ose dënim të shqiptuar për rrahjet gjatë vitit të fundit?
 
Në mars 2012, Ministresha e punëve të brendshme deklaroi që janë ngritur 28 paraqitje penale për huliganë. Madje, për këtë fitoi edhe mbështetjen dhe inkurajimin e bashkësisë ndërkombëtare, që kërkoi edhe përmbajtje nga qytetarët. Ne si qytetarë, kemi treguar dhe po tregojmë përmbajtje dhe përgjegjësi më të madhe nga të ngarkuarit me zbatimin e ligjit. Në përmbylljen e vitit të përgjakshëm, mbetet e papërgjigjur pyetja e thjeshtë – kush do të jep përgjegjësi për krejt incidentet dhe çka pason muajin e ardhshëm, vrasja e foshjnave në djep si një goditje për zgjim nga skizofrenia kolektive?!  

Mendoni mirë përgjigjen, të gjithë kemi fëmijë ose familjarë që nesër mund të jenë pjesë e lajmit! 

Lajme të ngjashme

Shiko edhe
Close
Back to top button