Le t’i pyesim…

Numri i të infektuarve nga Covid19 vazhdon të rritet. Vetëm sot ka 10 raste të rejta të të infektuarve në Tetovë. Në kohën e jehonës më të madhe të sëmundjes, numri nuk ishte kaq i lartë sa tani. E megjithatë, a e pyesim vallë ndonjëherë veten pse ndodh kjo?

Të mos i kërkojmë përgjigjet tek teoritë e konspiracionit, të cilat nga njerëzit që kanë pak logjikë të shëndoshë duhet të diskutohen, e jo të pranohen si të gatshme. Të mos mendojmë se ne i dimë rrjedhat e politikës botërore, se çfarë i bëri Kina Amerikës apo Amerika Rusisë. Këto janë tema pak më komplekse se sa të diskutuarit e tyre nëpër kafenetë e mëhallave ku kafetë pihen kaçak me safa të plastikës ndërsa muhabetet janë të zjarrta dhe pretendimet për njohuri janë më të larta se sa ato të shërbimeve botërore të inteligjencës. As të mos kujtojmë se dimë gjithçka për sëmundjen të cilën vetë mjekët kanë vështirësi ta sqarojnë, e ku mbeti për ne laikët tjerë.

Të mos pretendojmë se kemi njohuri të mëdha sepse në fakt nuk i kemi.

Të mos mendojmë se e kuptojmë dhe e kontrollojmë këtë sëmundje sepse as e kuptojmë e as e kontrollojmë.

Të mos pretendojmë se numrat që shpallen nga organet kompetente lidhur me rritjen e pacientëve të sëmurë nuk janë të sakta, sepse në fakt, të sakta janë.

Kur të kemi dyshim lidhur me informatat që përhapen le t’i pyesim me telefon ata që janë të sëmurë e që i njohim. Le t’i pyesim si ndihen. Të mos merremi me konspiracione, le t’i pyesim ata të cilët e kanë ecur para nesh këtë rrugë drejtë të cilës jemi drejtuar me shume ngulme me insistim të madh. Le ta pyesim dikë që gjithë kohën nuk ka besuar se ka virus dhe e ka infektuar veten dhe familjarët se si ndihet lidhur me këtë. Le të marim informata të sakta për atë se sa shpejt përparon kjo sëmundje dhe sa papritmas shkakton vdekjen, vetëm për disa ditë. Le të pyesim, para se të shpallim atë që ne mendojmë see dimë. Le të pyesim para se të na vijë në kokë dhe ta shohim se me çfarë kemi punë në fakt. Le të bisedojmë me nja dy tre vetë që kanë pasur pasoja fatale në familje nga kjo sëmundje, dhe ndoshta do të mendohemi dy herë para se të insistojmë me çdo kusht të falemi në xhami krah për krahu me të tjerët, të hamë së bashku bakllavanë e Bajramit apo të dalim së bashku në shoppingun para festës. Le të pyesim, që të jemi të përgatitur për atë që do të pasojë nga kjo sjellje jonë tërësisht e papërgjegjshme.

Le të pyesim, para se të jetë vonë.

Ndoshta do të ndryshojmë mendim lidhur me konspiracionet botërore nëse e shohim babain ose nënën, gjyshin ose gjyshen e moshuar, ose edhe fëmijën me shëndet të kompromituar se si brenda pas ditësh zhduken para syve tanë, duke iu pamundësuar frymëmarrja dhe në fund duke u ngulfatur. Prandaj njeriu ka tru në kokë, ka arsye të shëndoshë, që të mësojë nga eksperienca e të tjerëve dhe t’i evitojë pasojat negative. Prandaj çdo rregull e logjikshme njerëzore thotë se duhet të ruhet shëndeti sepse ai vetëm një herë dhurohet, po s’ditëm ta mbajmë, atëherë e humbim pa kthim dhe vetëm atëherë e kuptojmë se nuk kemi pasur asnjëherë dhuratë më të çmuar.

Pyesni ata që kanë kaluar sëmundjen, që janë shëruar ose që kanë vuajtuar pasojat e saj, pyesni si ndihen sot. Pastaj vendosni si do të veproni në ditët në vijim dhe çfarë do të mbani në ndërgjegjen tuaj. Pyesni, sepse një ditë edhe ne do të na pyesin sa durim kemi treguar gjatë sfidave me të cilat jemi përballur dhe për çfarë jemi bërë shkaktarë me veprimet tona qëllimisht të papërgjegjshme. Pyesni, sepse një ditë ne do të na pyesin se sa jetë njerëzish dhe shëndete të kompromituara mbajmë në qafë. Do të na pyesin, prandaj, ta mendojmë mirë përgjigjen që tani.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button