Ende pa vendosur Qeveria për orën policore gjatë vikendit, BFI i publikoi masat për faljen e Bajramit

Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë së Veriut i ka publikuar disa masa për faljen e namazit të Fitër Bajramit, pavarësisht se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka vendosur për propozimin e Komisionit për Sëmundje Infektive, të cilët i rekomandojnë Qeverisë që ora policore të zgjatë prej të shtunën në ora 19:00 deri të martën në ora 5 të mëngjesit, njofton Portalb.mk.

Pas paralajmërimit të djeshëm të BFI-së se nuk do të marrë përgjegjësi për pezullimin e faljes së namazit të Fitër Bajramit, sot reisi haxhi Sulejman efendi Rexhepi, ka nënshkruar një dokument në të cilin përmenden disa masa për faljen e namazit të Fitër Bajramit.

  • Falja e namazit të Sabahut të bëhet në shtëpi
  • Falja e namazit të Fitër Bajramit të mos zgjatë më shumë se 15 minuta
  • Maksimalisht të largoheni nga përshëndetjet me kontaktet fizike
  • Largimi nga vizita e varrezave
  • Gjatë ditës së Fitër Bajramit vizitat tradicionale të jenë sa më të pakta
  • Të dezinfektohen xhamitë
  • Mbajtja e domosdoshme e maskave
  • Pastrimi i duarve me dezinfektant përpara hyrjes së xhamive ose mbajtja e dorezave
  • Çdo besimtar me vete të ketë sexhade personale
  • Sa më tepër të shfrytëzohen oborret e xhamive për faljen e namazeve
  • Të ruhet distanca fizike sa më shumë që është e mundur mes xhematit
  • Ndalohet qëndrimi në grupe para ose pas faljes së namazeve në ambientet e xhamisë
  • Abdesi të merret në shtëpi – abdes-hanet dhe tualetet do të jenë të mbyllura

Riaseti i BFI-së, për shkak të virusit korona e ka anuluar organizimin e manifestimit qendror tradicional të faljes së Fitër Bajramit.

Masat janë publikuar, pa u vendosur ende për orën policore

Fitër Bajrami është ditën e diel, ditë për të cilën Komisioni i Sëmundjeve Infektive propozon që të jetë në karantinë të plotë. BFI-ja i ka publikuar masat, por megjithatë të njëjtat nuk do të vlejnë fare nëse Qeveria e Maqedonisë së Veriut vendos orë policore gjatë vikendit. Portalb.mk, kontaktoi me zëdhënësin e Qeverisë, Muhamed Hoxha, por i njëjti tha se ende nuk është caktuar seancë qeveritare.

Qeveria dje demantoi se kanë miratuar vendim për orën policore. Ata thanë se ende nuk është mbajtur seancë qeveritare në të cilën do të diskutohet se a do të ketë orë policore gjatë vikendit.

Qeveria deri më tani nuk e ka komentuar letrën e BFI-së të cilën ia ka dërguar më 18 maj, në të cilën reisi Rexhepi e paralajmëron pushtetin se është periudhë parazgjedhore se nëse shteti vendoset në karantinë gjatë Bajramit, do ta humbin besimin te besimtarët myslimanë.

“Vënia e orës policore ashtu siç është paralajmëruar do të irritonte pa masë besimtarët islamë, nga shkaku se gati një muaj në vikende nuk ka pasur orë policore, gjë që me automatizëm nënkuptohet se bëhet me qëllim që të ndalohet falja e namazit të Fitër Bajramit, i cili falet njëherë në vit, namaz 15 minuta, ndërsa namazi i sabahut do të falet në shtëpi. Riaseti i BFI-së, për shkak situatës me pandeminë ka hequr dorë prej organizimit dhe manifestimit qendror të Fitër Bajramit, por nuk do të marrë përgjegjësi mbi vete për pezullimin e faljes së namazit të Fitër Bajramit në xhami. Nëse vendosni që gjatë vikendit në tërësi të futet në orë policore, atëherë ju si organe kompetente do ta humbni besimin te besimtarët islamë, duke e pasur parasysh se vendi ynë gjendet para zgjedhjeve parlamentare”, thonë nga BFI.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut gati një muaj i ka lehtësuar masat gjatë vikendeve, gjegjësisht ora policore është në orarin e njëjtë me ditët e tjera të javës, prej në 19:00 deri në orën 05:00.

Ministria e Shëndetësisë informon se sot Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar 40 raste të reja me virusin korona, ndërkaq 1 person ka ndërruar jetë dhe 11 të tjerë janë shëruar. Me këtë, numri i përgjithshëm i pacientëve të infektuar ka arritur në 1.898, 111 kanë ndërruar jetë, 1.378 janë shëruar, ndërkaq numri i rasteve aktive është 409.

Për informata më të detajuara për situatën me virusin korona, klikoni në këtë link: http://gdi.mk/corona/

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button