Fërçkoski: Shteti ka nga një dëshmitar të mbrojtur për secilin

A keqpërdoren dëshmitarët e mbrojtur, me urdhër nga policia ose prokuroria maqedonase? Në të gjitha proceset e “mëdha” të deritanishme gjyqësore aktgjykimet janë miratuar në bazë të dëshmive të këtyre dëshmitarëve, edhe pse praktika gjyqësore në Strasburg ndalon që të gjykohet vetëm në bazë të dëshmisë së dëshmitarit të mbrojtur.

Për këto çështje diskutuan sot ekspertët në tribunën “Dëshmitarë i mbrojtur mes shtetit ligjor dhe thyerjes së drejtave të njeriut”, organizuar nga Fondacioni Shoqëri e Hapur Maqedoni.

Sipas profesorit të fakultetit juridik “Justiniani i Parë”, Ljubomir Fërçkoski, në sistemin politik të Maqedonisë çdo institucion zakonisht ka nga një dubler debil.

“Të gjithë e dimë se për të gjithë ne ekziston ndonjë dëshmitar i mbrojtur i cili pret të jetë i thirrur për të dëshmuar. Ne po adaptohemi me ato trillime. Sepse asnjë institucion nuk funksionon sipas standardeve të parapara dhe varen krejtësisht nga qendrat e fuqisë dhe politikës”, tha Fërçkoski.

Sipas tij, gati se të gjithë avokatët në rastet e tilla kanë probleme, dhe thonë se janë pa mbrojtje, nuk dinë se me kë bisedojnë dhe se vallë a bëhet fjalë me të vërtetë për ato persona.

Sipas avokatit Filip Medarski, në praktikë në Maqedoni nuk jepen arsye konkrete se pse një personi të caktuar i jepet statusi i dëshmitarit të mbrojtur.

“Ne nuk mund të gjejmë arsye konkrete, dhe as prokurori publik nuk jep arsye dhe prandaj gjyqi nuk i jep arsyet në vendim. Në asnjë rast nuk janë të sqaruara arsyet dhe se nga vjen rreziku që ndonjë person të shpallet dëshmitar i mbrojtur. Në pjesën më të madhe të procedurave kuptojmë se bëhet fjalë për persona të cilët vetë janë të involvuar në vepër penale. Pjesë e madhe e gjykimeve janë të bazuara në dëshmitarë të mbrojtur, ndërsa ajo edhe sipas gjyqit të Strasburgut është e ndaluar”, tha Medarski.

Më poshtë mund ta shikoni tribunën “Dëshmitarë i mbrojtur mes shtetit ligjor dhe thyerjes së drejtave të njeriut”./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button