Nishani nderon Haradinaj me urdhrin “Gjergj Kastriot Skënderbeu”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani nderoi sot me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” komandantin legjendar të UÇK-së, ish-kryeministrin dhe Kryetarin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. 

Ky titull iu dha Haradinajt me motivacionin “Për merita të shquara dhe kontribut të jashtëzakonshëm në organizimin dhe udhëheqjen e spikatur të qëndresës së pashembullt e luftës legjendare të njësive të Ushtrisë për Çlirimin e Kosovës për mbrojtjen dhe shpëtimin e jetëve e të pasurive të popullatës civile shqiptare e të integritetit territorial të trojeve shqiptare dhe për çlirimin e plotë të Kosovës.

Për kontribut të çmuar, si Kryeministër i Kosovës dhe politikan i përkushtuar, në përpjekjet për rindërtimin e Kosovës dhe konsolidimin e institucioneve demokratike e të shtetit ligjor, si dhe të një shoqërie të hapur që garanton respektimin e plotë të të drejtave të individit e minoriteteve, për mbështetjen dhe kontributin në shpalljen e Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Për sakrificën e jashtëzakonshme e paradigmatike, në shërbim të drejtësisë ndërkombëtare dhe lartësimit të të vërtetave e luftës heroike e të drejtë çlirimtare të shqiptarëve në Kosovë. Për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm në shërbim të konsolidimit të lidhjeve vëllazërore dhe zgjerimit e thellimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës e për projektin madhor të bashkimit kombëtar e integrimit në Bashkimin Evropian”. 

Në ceremoninë zyrtare të zhvilluar me këtë rast, në mjediset e Presidencës ishte i pranishëm Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha. Në fjalën përshëndetëse të rastit, Kryetari i Shtetit shqiptar çmoi lart veprimtarinë dhe kontributin e paçmuar patriotik e kombëtar të Haradinajt./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button