Çmimi evropian për Shpëtim Selmanin – njohje e vlerave kulturore të Kosovës

Për herë të parë, këtë vit, shkrimtarëve nga Kosova iu dha mundësia që të hyjnë në garë për Çmimin Letrar të Bashkimit Evropian. Tre shkrimtarë arritën të jenë në mesin e finalistëve: Shpëtim Selmani, Azem Deliu e Majlinda Bregasi. E të martën Selmani, me veprën e tij “Libërthi i dashurisë”, u shpall laureat i çmimit, bashkë me 12 shkrimtarë të tjerë.

Sipas tij, kjo përzgjedhje ka bërë që të hapet një derë e re, ku mund të shihet skena kulturore e vendit së cilës nuk i mungojnë vlerat evropiane. Fituesit, përfshirë edhe Selmanin, do të marrin shpërblimin prej 5.000 eurosh dhe do të promovohen ndërkombëtarisht në panaire të librave. Po ashtu do të botohet edhe një antologji vjetore me fragmente nga veprat fituese të këtij çmimi, duke synuar një audiencë më të gjerë dhe qarkullim të teksteve në gjuhët evropiane.

Çmimi Letrar i Bashkimit Evropian fut në garë shkrimtarë nga 41 vende, të cilat janë pjesë e programit “Evropa kreative” – një iniciativë për të forcuar kulturën evropiane. Për herë të parë ishte ndarë në vitin 2009 dhe që atëherë janë përzgjedhur 122 fitues nga 11 edicione. Në mesin e tyre janë emra të njohur, por edhe shkrimtarë të rinj, që më pas shpërthyen edhe në qarqe ndërkombëtare.

Çmimi i Bashkimit Evropian për letërsi synon afirmimin e kreativitetit dhe diversitetit gjuhësor e kulturor në letërsinë bashkëkohore të Evropës. Në edicionin e sivjetmë, të dymbëdhjetin me radhë, Kosova mori pjesë për herë të parë pasi që u bë pjesë e programit “Evropa kreative”.

Shkrimtari Shpëtim Selmani ka thënë se përzgjedhja e tij në mesin e laureatëve është tepër e rëndësishme dhe në të njëjtën kohë një përgjegjësi e madhe, e cila është krejt e re dhe me të cilën tani e tutje do t’i duhet të ballafaqohet.

krenar që Kosova është në mesin e shteteve të tjera dhe i lumtur në të njëjtën kohë që bashkërisht kemi hapur një derë të re në mënyrë që të shihet qartë skena jonë kulturore, e cila është e begatë dhe me vlera të padiskutueshme evropiane”, ka thënë Selmani për KOHËN. Ai ka studiuar sociologji e aktrim në Universitetin e Prishtinës. Përveçqë shkruan poezi dhe prozë, ai rregullisht luan në shfaqje teatrore. Kohëve të fundit, pos skenës teatrore, është edhe një prej aktorëve më të angazhuar edhe në film.

Ka botuar librat “Shënimet e një grindaveci” (2016), “Poezi në kohën e gjakut dhe dëshpërimit” (2010-2017), si dhe shkruan rregullisht edhe për blogun alternativ “S’bunker”.

“Libërthi i dashurisë”, të cilën vetë autori e përshkruan si vepër me elemente poetike, tashmë është në proces të botimit edhe në bullgarisht. Libri është i shkruar në mënyrë fragmentare, në formën e mozaikut.

“’Libërthi i dashurisë’ jep pamje dhe imazhe të qarta nga jeta e njeriut bashkëkohor, i cili frymon në kohën e një kapitalizmi të egër politik, kulturor, ekonomik dhe social. Apo, më saktë, në Kosovën e pasluftës, e cila vrullshëm përjetoi revolucione të ndryshme shoqërore, politike e teknologjike”, është përshkrimi për këtë libër, që është një shënim personal i autorit, një reflektim apo një meditim për pozitën e tij, identitetet e shumta, funksionet dhe rolin e tij në shoqëri.

Përveç Selmanit, në mesin e laureatëve janë edhe Matthias Nawrat nga Gjermania, i lindur në Poloni, shpërblyer për librin e tij “The Sad Guest”, Peter Andonovski nga Maqedonia e Veriut me librin “Fear of Barbarians”. Lista e laureatëve vazhdon me Masha Kolanoviq nga Kroacia me librin “Dear Insects and Other Scary Stories”, autore e disa librave përfshirë edhe “Underground Barbie”, Irene Solà nga Spanja me librin “I Sing and the Mountain Dancese”, Mudlum (Made Luiga) nga Estonia me librin “Polish Boys”, Lana Bastashiq nga Bosnjë-Hercegovina, që e mori çmimin me librin e saj të parë, “Catch the Rabbit”, Asta Olivia Nordenhof nga Danimarka me librin “Money in Your Pocket”, Stavros Christodoulou nga Qiproja me librin “The Day the River Froze Over”, Francis Kirps nga Luksemburgu me librin “The mutations: 7 stories and a poem”, Stefan Boshkoviq nga Mali i Zi me “Minister”, Nathalie Skowronek nga Belgjika me librin “The regrets card” dhe Maria Navarro Skarange nga Norvegjia me librin “Book for care”.

Shkrimtari 24-vjeçar, Azem Deliu, i cili ishte në mesin e finalistëve, ishte në garë me “Shënimet e Krimbit Smolinski” botuar nga “Onufri” para dy vjetëve, e shkrimtarja Majlinda Bregasi me romanin “Gërsheti i prerë”, botuar vitin e kaluar nga Botimet KOHA.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button