Estonia filloi t’i testojë pasaportat digjitale të imunitetit për vende të punës

Estonia ka filluar t’i testojë një prej pasaportave të para digjitale të imunitetit në botë, me të cilat synon që të ketë një rikthim më të sigurt të punëtorëve në vende të punës pas periudhës së izolimit shkaku i koronavirusit, shkruan agjencia Reuters.

Pasaporta është krijuar nga një grup ku janë përfshirë edhe kompanitë e teknologjisë Transferwise dhe Bolt.

Pasaporta digjitale e imunitetit mbledhë të dhëna dhe i mundëson njerëzve të ndajnë statusin e tyre të imunitetit me një palë të tre, si punëdhënësi, duke përdorur një kod QR të përkohshëm pas autentikimit digjital.

“Pasaporta digjitale e imunitetit synon të ulë frikën dhe të stimulon shoqëritë në mbarë botën të ecin para me jetën e tyre pas kësaj pandemie”, ka thënë Taavet Hinrikus, themelues i Transferwise dhe anëtar i “Back to Work”, organizata jo-qeveritare që po zhvillon pasaportat.

Shumë shtete apo biznese po nxitojnë për të zhvilluar aplikacione për gjurmim të kontakteve.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka paralajmëruar qeveritë kundër përdorimit të pasaportave të imunitetit pasi nuk ka dëshmi se njerëzit që janë shëruar nga COVID-19 dhe kanë antitrupa janë të mbrojtur nga vala e dytë e infeksionit.

Hinrikus ka thënë se pasaporta mund të ndihmojë kur imuniteti të kuptohet më mirë.

“Ne nuk dimë detajet dhe nuancat për imunitetin. Sa i fortë është, sa gjatë zgjatë? Ne shpresojmë se mund ta zhvillojmë këtë në sinkron me shkencëtarët që po kërkojnë përgjigje”, ka thënë Hinrikus.

Pos specialistëve të teknologjisë, te “Back to Work” ka edhe ekspertë lokal të shëndetësisë dhe zyrtarë shtetëror. Hotelet Radisson dhe prodhuesit e ushqimit PRFoods janë në mesin e kompanive të para që kanë filluar të testojnë pasaportat.

“Ne po shikojmë çdo opsion për të pasur punëtorët tanë në punë dhe po ashtu të kthehen klientët”, ka thënë Kaido Ojaperv, shefi-ekzekutiv i hotelit Radisson Blu Sky në Tallinn.

Estonia, që ka regjistruar 64 të vdekur me koronavirus dhe 1791 të infektuar, ka filluar të zbusë masat këtë muaj dhe javën e kaluar ka hapur kufijtë me Lituaninë dhe Letoninë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button