“Trepça” do të jetë pjesë e pakos se rimëkëmbjes ekonomike, thotë Kurti

Kombinati metalurgjik “Trepça” do të jetë pjesë e pakos se dytë fiskale të rimëkëmbjes ekonomike, ka thënë kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite që ka zhvilluar të mërkurën në këtë kombinat, transmeton REL.

Sipas një komunikate për media nga zyra e Kurtit, bëhet e ditur se gjatë takimit me menaxhmentin e këtij kombinati, kryeministri në detyrë ka thënë se “tash është koha kur ne do të punojmë në ide konkrete në rritjen e kapaciteteve prodhuese dhe të horizonteve të Trepçës”.

“Trepça është organizatë e punëtorëve, pasuri kombëtare por edhe industri prodhuese. Roli i kësaj ndërmarrjeje është përtej ekonomik. Është edhe historik dhe shtetndërtues”, citohet të ketë thënë Kurti.

“Trepça” llogaritej si një prej ndërmarrjeve më të mëdha jo vetëm në Kosovë, por edhe në ish-Jugosllavi. Në vitet e ’80, aty punonin mbi 20 mijë punëtorë. Ndërkaq, vitet e fundit, nuk numëron më shumë se 1 mijë e 300 punëtorë dhe mosha mesatare e tyre është 58 vjeç.

Sipas të dhënave zyrtare, nga viti 1945 e deri në periudhën para vitit 1990, miniera prodhonte rreth 600 mijë tonë xehe në vit, kurse sot, nga aty nxirren jo më shumë se 150 mijë tonë xehe.

Por, përveç miratimit të statutit të “Trepçës” si shoqëri aksionare, ku 80 për qind e aksioneve i takojnë qeverisë dhe 20 për qind punëtorëve, kjo ndërmarrje nuk arriti të vihen në funksion të zhvillimit ekonomik të vendit dhe të zgjidhë problemet më të cilat përballet ndërmarrja.

Gjatë vitit 2019, ndërmarrja “Trepça” u përball me probleme financiare dhe si rrjedhojë, minatorët nuk i morën pagat me rregull.

Kombinati metalurgjik “Trepça”, gjendet në Komunën e Mitrovicës. Sektorët e tij gjenden në pjesën veriore dhe atë jugore të qytetit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button