RMV, për mësim “online” nevojiten kushte adekuate dhe nxitje të fëmijëve për t’u arsimuar

Realizimi i mësimit nga ana e mësimdhënësve, ku mësimi zhvillohet në distancë, përkatësisht mësimit nga shtëpia, zhvillohet në mënyrë që do të mundësojë arritjen e rezultateve të pritura nga ana e nxënësve në pajtueshmëri me programet mësimore. Mirëpo, edhe pse kjo metodë e mësimdhënies ka vazhduar, në kohën e pandemisë, janë kushtet e pafavorshme që shkaktojnë probleme. Mungesa e kushteve shtëpiake, mungesa e pajisjeve elektronike, internetit, etj, janë disa nga shqetësimet në arsim, shkruan Portalb.mk.

Drejtorët e shkollave edhe pse kanë në mbikëqyrje mësimdhënësit, këndvështrimi i tyre për këtë metodë të re të mësimdhënies kërkon kushte adekuate. Nga shkolla “Ismail Qemali”, thonë se ndiqet mësimi në shumë forma e programe të ndryshme nga një numër i konsiderueshëm i nxënësve, por ka edhe nxënës që kanë mungesë të pajisjeve elektronike, telefonave, kompjuterëve , internetit dhe mbeten jashtë mësimit.

“E vlerësoj punën dhe përkushtimin e kolegëve, pa masë. Secili nga kolegët ka mundësi të zgjedh platformë që di ta zotërojë, edhe pse u mbajt edhe trajnim nga ana e kolegëve administrator, ku nuk mungoi ndihma për qasjen sa më me sukses të mbajtjes së mësimit nga distanca. Ne jemi një ndër shkollat e parë që e filloi ligjërimin në këtë mënyrë. Duhet theksuar se në këto çaste të vështira , që po i kalojmë , nxënësit u bënë pjesë e një reforme globale, pa dashje pa pyetje, pa aprovim. Ato përpiqen që t’i përshtaten sa më shumë kësaj situate të krijuar së bashku me prindët. Jo çdo nxënës, kudo mund t’na ndjek me këto risi-on line ligjërime.., për shkak të pamundësisë së realizimit, pra realitetit që kemi. Kushtet në të cilat gjenden, pra kemi të bëjmë me kategori të ndryshme sociale të nxënësve duke pasur parasysh numrin e përgjithshëm prej 1350 nxënësve, prej të cilëve vetëm në shk. Qendrore 1112 nxënës ndjekin mësim. Duhet patjetër të kuptohen fëmijët, flas nga aspekti pedagogjiko-psikologjik i moshës ,respektivisht shkollimi fillor”, tha për Portalb, Shpresa Useini, drejtoresha e shkollës “Ismail Qemali”, në Gostivar.

Mungesa e më hershme e një platforme shtetërore, gjegjësisht nga ana e MASH-it, i gjeti të pa përgatitur shkollat, mësimdhënësit dhe nxënësit, por, sipas asaj, mësimi në bankat shkollore do t’u mundësonte çdo nxënësit të merr mësimet e duhura.

“Nxënësit, dy muaj janë në izolim, kanë hequr dorë nga liria e lëvizjes dhe marrëdhëniet shoqërore , për të mirën e përbashkët, por edhe minimizim të zakoneve të përditshme. Mos kyçja e nxënësve, është mungesë e mjeteve moderne, telefonave, kompjuterëve , internetit, laptopave, thjesht mos pasja e një platforme shtetërore e paguar nga ministria e arsimit, për inkuadrimin e nxënësve në leksione, për shkak se thjesht u gjetëm të pa përgatitur. Dëshiroj që kjo situatë të mos përsëritet kurrë, shpresoj në tejkalim sa më të shpejtë , të kthehemi aty ku e kemi vendin , ne bankat shkollore. Sepse, mësimi on-line, në shk. fillore nuk mund t’ ja arrin qëllimin e duhur, ashtu siç ndodh në ambientin shkollor.”, tha Useini.

Shkolla fillore “Penko”, në Shkup, ka ndjekur mësimin në distancë, duke u bazuar në planin shkollor, por me programe të ndryshme, për të gjetur një rrugëzgjidhje për inkuadrimin e nxënësve në mësim.

“Në shkollën tonë, mësimi on’line vazhdon, që në ditën ku edhe na u rekomandua nga MASH-i, nga ana e mësimdhënësve, por edhe nxënësve të cilët i plotësojnë kushtet. Përdoren programe të ndryshme, varësisht se çfarë mundësie kanë, që të mos humbasin në planin mësimor. Çdo arsimtar, përshtatet me mundësitë që ka nxënësi (si viber, what’s up, zoom, google classroom)”, tha për Portalb, Enis Mehmeti, drejtor i shkollës “Penko”, në Shkup.

Në këtë shkollë, sipas Mehmetit, u janë ofruar pajisje dhe sim kartela me internet, disa nxënësve të cilët nuk kanë kushte, por pritet që të jepet një raport më i plotë për nxënësit me raste sociale si dhe për ata nxënës që kanë kushte, por nuk kyçen në mësim. Ai shton, se procesi mësimor në distancë, ndiqet njëjtë si në shkollë, prandaj apelon deri te prindërit, që fëmijët e tyre të ndjekin mësimin on’line, sepse është në të mirën e fëmijëve.

Ndryshe, dy muaj më parë, qeveria miratoi urdhëresën për të ndërprerë procesin arsimor për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Që atëherë, mësimdhënia është duke u realizuar përmes mësimit në distancë, përkatësisht përmes onlajn platformave. Mësimi online do të vazhdojë deri në fund të vitit shkollor, ndërkaq plotësisht do të vendoset se si do të zhvillohet mësimi në vitin e ri shkollor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button