Vuçiç: Serbia do të luftojë për të drejtat e popullit të saj në Mal të Zi

Serbia do të luftojë për të drejtat e popullit të saj në Mal të Zi me mjete demokratike dhe do të ndihmojë gjithashtu të gjitha organizatat serbe në atë vend, përveç atyre politike, tha sot presidenti serb Aleksandar Vuçiç pas takimit me kreun e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), patriarkun Irinej në Beograd, raporton Anadolu Agency (AA).

“Thelbi është se ne do të luftojmë për të drejtat e popullit tonë, jo në mënyrë të dhunshme, me mjete demokratike, me mjete ligjore, por gjithashtu nuk do t’i lejojmë askujt të përdorë dhunë kundër pjesëtarëve të popullit tonë dhe do të kemi legjitimitet dhe forcë politike të mjaftueshme për të luftuar”, tha Vuçiç në një konferencë për shtyp në Presidencën e Serbisë.

Vuçiç theksoi se kupton shqetësimet e patriarkut Irinej, i cili kërkoi reagim më të fortë të Serbisë ndaj ngjarjeve në Mal të Zi dhe situatës së KOS në atë vend, për të cilën Vuçiç u përgjigj se duart e Serbisë janë “mjaft të lidhura, por se edhe me duar të lidhura ai do të bëjë çmos që të jetë me popullin serb në Mal të Zi dhe t’i ndihmojë ata”.

“Ne do të luftojmë me të gjitha mjetet ligjore, demokratike për t’i treguar opinionit ndërkombëtar atë që po ndodh, dhe kjo është se dikush po përpiqet të krijojë një kishë të re ortodokse në Mal të Zi”, shtoi Vuçiç.

Siç deklaroi ai, detyrimi i Serbisë është të punojë duke respektuar Malin e Zi dhe shtetësinë dhe pavarësinë e tij, por gjithashtu do të insistojë në unitetin e popullit serb në atë vend, dhe nuk do të lejojë “çrrënjosjen e indit të popullit serb, sepse dikush mendon se serbët mund të asimilohen”.

Ai gjithashtu njoftoi ndihmë shtesë për të gjitha organizatat serbe në Mal të Zi, përveç organizatave politike.

Presidenti i Serbisë vlerësoi se në Mal të Zi, politika ndërhyn në organizimin e brendshëm të kishave dhe në thelb çështjeve shpirtërore.

“Ne vetëm se do të jemi me njerëzit tanë dhe nuk do të ketë ‘stuhi’ të reja dhe persekutime të popullit serb në Ballkan”, shtoi Vuçiç.

Vuçiç gjithashtu tha se e kuptojnë pozicionin e KOS dhe patriarkut Irinej, por Serbia duhet të jetë pak më e kujdesshme, “sepse nuk dëshiron të bëjë atë që ata i bënë asaj”.

Kreu i KOS, patriarku Irinej, gjithashtu duke komentuar ngjarjet në Mal të Zi, e vlerësoi situatën si “kurrë më të vështirë për KOS dhe popullin serb”, dhe se qëllimi ishte “dëbimi i popullit serb dhe shkatërrimi dhe çaktivizimi i KOS”.

“Ne e respektojmë Malin e Zi si shtet. Unë kurrë nuk kam dëgjuar që dikush të thotë një fjalë të keqe kundër Malit të Zi, por nuk është pranuar ekzistenca e popullit serb në Mal të Zi”, tha Irinej.

Patriarku Irinej gjithashtu iu lut Gjukanoviçit të mbrojë popullin serb në Mal të Zi dhe KOS-in.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button