Më 28 maj vendimi i madh për Serie A

Qeveria e Italisë do të vendosë më 28 maj nëse dhe kur do të vazhdojë edicioni në Serie A, ka thënë ministri i sportit, Vincenzo Spadafora të martën. Sipas tij ekipet mund të nisin me stërvitje në grup të plotë menjëherë, shkruan Koha.net.

Liga italiane është pezulluar më 9 mars, ndërsa shpresat për të filluar në mes të qershorit varen nga vendimi i qeverisë.

Spadafora ka thënë për Rai se ai ka aranzhuar një takim me drejtuesit e Federatës së Futbollit dhe ata të Serie A për javën e ardhshme.

“Mendoj se do t’i kemi të gjitha të dhënat që na duhen për të vendosur nëse dhe kur liga do të vazhdojë”, ka thënë ai “28 maji është dita kur do të dimë nëse liga do të rifillojë”.

Më herët të martën ai ka thënë për një agjenci tjetër se rifillimi varet nga numri i rasteve me COVID – 19.

Klubet e Serie A kanë votuar më herët këtë muaj që edicioni të rifillojë më 13 qershor, por qeveria ka thënë se ngjarjet sportive janë të ndaluara deri më 14 qershor.

Pengesa kryesore ka qenë insistimi i qeverisë për atë që nëse një lojtar testohet pozitiv për koronavirus e tërë skuadra të futet në karantinë për 14 ditë. Klubet kundërshtojnë këtë duke thënë se izolimi i lojtarit të prekur do të jetë i mjaftueshëm.

Klubet po ashtu kanë kundërshtuar propozimin që e tërë skuadra, duke përfshirë trajnerët dhe pjesën tjetër të stafit, të jenë në kamp plotësisht të izoluar para se liga të rifillojë. Klubet vlerësojnë se kjo do të shkaktonte probleme të mëdha logjistike.

Në Serie A duhet të luhen edhe 12 xhiro e po ashtu katër ndeshje të shtyra më herët. Juventusi ka një pikë më shumë se Lazio.

Ndërkohë Unioni i Futbollistëve të Italisë ka vlerësuar të martën që lojtarëve u duhen katër javë stërvitje të plota para se Serie A të rifillojë. Sipas Unionit kjo periudhë është e nevojshme që mos të ketë rrezik serioz për lëndime të lojtarëve. Prej 4 majit lojtarëve u lejohen stërvitjet individuale. Stërvitjet e plota pritet të vazhdojnë prej të mërkurës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button