Partitë shqiptare kërkojnë dënimin e huliganëve që rrahin shqiptarë

Pas ngjarjes së hidhur dje në lagjen Gjorçe Petrov për të cilën informoi Portalb, ku u rrahën tre shqiptarë etnik, mes të cilëve edhe një vajzë 15 vjeçare,  kanë reaguar partitë politike duke dënuar incidentet dhe duke kërkuar nga organet e rendit zbardhjen dhe dënimin e autorëve. 

Deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi këto incidente i cilëson si të projektuara nga koalicioni qeveritar, duke drejtuar gishtin kah BDI si fajtor kryesor.

“Shqiptarët vazhdojnë të rrihen, ndaj shqiptarëve vazhdon të ushtrohet dhunë, e projektuar nga Qeveria BDI –VMRO. Politika nënshtruese e BDI-së dhe Ali Ahmetit u mundëson maqedonasve të ushtrojnë dhunë ndaj shqiptarëve. Dje, ashtu si pardje, sikur para një viti dhe para një muaji, shqiptarët maltretohen, shqiptarëve u montohen procese gjyqësore, shqiptarëve u rrënohen shtëpitë, shqiptarëve ju digjet flamuri. Gjithë kjo e keqe që ju ndodh shqiptarëve ka vetëm një emër: BDI dhe Ali Ahmeti” – tha Orhan Ibrahimi.

Deputeti Izet Zeqiri nga partia tjetër opozitare RDK i bëri thirrje Ministrisë së Punëve të Brendshme që të merr masa dhe të vendos në pranga autorët e brutalitetit ndaj shqiptarëve të pafajshëm. 

“RDK dënon ashpër incidentet e rënda ndëretnike që kanë ndodhur gjatë dhe pas ndeshjes Teteks – Shkëndija, dënojmë thirrjet antishqiptare dhe djegien e flamurit shqiptar, gjithashtu dënojmë aktin e dhunës së huliganëve me thika që lënduan dy të moshuar dhe në 15 vjeçare me kombësi shqiptare duke iu shkaktuar lëndime trupore. RDK i bën thirrje MPB-së që të merr masa për masa për zbulimin e autorëve dhe të njëjtët të vendosen në pranga sa më shpejtë” – ka thënë Zeqiri.

BDI gjithashtu shprehet e brengosur për dhunën e ushtruar ndaj shqiptarëve, duke u bërë thirrje organeve të rendit që të mos jenë të butë dhe selektiv ndaj autorëve.

“Jemi thellësisht të brengosur për nivelin e urrejtjes e cila duket se rrezikon të shndërrohet në sjellje të rregullt të tifozerisë etnike maqedonase. Bëjmë edhe njëherë thirrje që përfundimisht kjo sjellje të korrigjohet, por ajo që është akoma më me rëndësi, kërkojmë dhe apelojmë te organet e rendit që të identifikojnë autorët e këtyre rrahjeve dhe ti sjellin ata para organeve të rendit, duke mos u nisur nga asnjë lloj qasje selektive apo duke mos kërkuar asnjë lloj masa më të buta ndaj autorëve të këtyre incidenteve” – tha Ermira Mehmeti Devaja, deputete e BDI-së dhe kryetare e Komitetit kuvendor për marrëdhënie në mes bashkësive.

Incidenti i djeshëm është i fundit nga zinxhiri i dhunës që po ushtrohet ditëve të fundit ndaj shqiptarëve. Pas të rinjve shqiptar, huliganët maqedonas kanë filluar të mos kursejnë edhe pleqtë dhe vajzat e reja, duke përdorur edhe armë të ftohta, siç ishin thikat në rastin konkret. Ndërkohë nga Federata e Futbollit përgjegjësinë e hedhin te klubet dhe policia./Portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button