Strugë, familjes Skënderi po i shkatërrohet shtëpia nga dinamiti i gurores

Familja Skënderi nga fshati Belicë e poshtme e Strugës pretendon se shpërthimet me dinamit që bëhen për llogari të gurores në afërsi të fshatit, kanë dëmtuar shtëpinë e tyre në disa pjesë, duke krijuar plasaritje të shumta të parikuperueshme.

Artist Skënderi për gazetën ’’Strugalajm.com’’ deklaron se për këtë situatë ka reaguar edhe te kompania “Ilinden”, që ka në pronësi guroren, por deri tani nuk ka parë asnjë lëvizje nga ana e saj. Ai pretendon se i gjithë degradimi dhe plasaritjet e shumta në shtëpinë e tij familjare kanë ardhur nga shpërthimet  me dinamit që janë bërë për llogari të gurores.

Skënderi tregon se për këtë shqetësim të tij ka njoftuar edhe policinë si dhe pushtetin vendor, por deri tani asgjë nuk ka ndryshuar . Ai thotë se tashmë nuk di se ku duhet të drejtohet, sepse me kalimin kohës janë shtuar plasaritjet, ndërkohë ai vetë nuk ka mundësi financiare të bëjë renovimet e nevojshme. Skënderi thotë se po i shkatërrohet shtëpia dhe askush nuk po shqetësohet për fatin e strehimit të familjes së tij.

”Për momentin të vetmen të ardhur mujore ka ndihmën sociale e cila nuk i del për harxhimet elementare e jo më të bëj investime apo rregullime në shtëpi .Unë kërkoj nga autoritetet të ndërhyjnë dhe të reagojnë sa nuk është vonë  sepse realisht nuk di më edhe ku të drejtohem sepse po shqetësohem për fatin e familjes sime. Shtëpia nga dita në ditë po degradon ndërkohë plasaritjet po shtohen isha në Komunë ,e paraqita rastin në polici u ankova te firma por asgjë nuk ka ndryshuar. Shtëpia është gjithçka që kam unë me familjen time”, përfundon Artist Skënderi.

Ndërkohë në lidhje me këtë pretendim të Artist Skënderit nga kompania që menaxhon guroren në afërsi të fshatit Belicë e poshtme nuk arritëm të marrim një prononcim apo një opinion të tyre. Në Strugë funksionojnë një sërë guroresh disa me leje dhe shumë të tjera të palicencuara, që kanë krijuar pakënaqësi dhe përplasje me banorët që jetojnë në afërsi të tyre./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button