Mohimi i tjetrit është traditë ballkanase

U paraqit një dokument i Këshillit të Bashkimit Evropian në të cilin Bullgaria i ka vendosur disa kushte Maqedonisë së Veriut për Bashkimin Evropian. E sa i përket asaj se këto kushte a janë në lidhje me hapjen e negociatave, apo për anëtërasimin në BE që edhe në variantin më optimist do të ndodhë tek më 2025, mbeti e paqartë.

Prej gjithë atyre kushteve, më i rëndi për maqedonasit ishte ai për gjuhën, sipas së cilit, në asnjë dokument të Bashkimit Evropian nuk guxon të përmendet gjuha maqedonase, dhe në vend të saj të qëndrojë “gjuha zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut”. Pa hyrë në çështjen e drejtshmërisë apo padrejtësisë së këtij kushti (në mosmarrëveshjet identitare bullgaro-maqedonase mendoj se shqiptarët duhet të qëndrojnë neutral), kjo më shërbeu si shkas për të shkruar për një fenomen që gjindet tek të gjithë popujt ballkanas: mohimi i identitetit të tjetrit.

Gadishulli ballkanik (që realisht nuk është gadishull) është një mozaik i vërtetë i feve dhe popujve. Situata komplikohet edhe më tej kur dihet se shpeshherë pjesë të këtyre popujve janë të shkëputur nga pjesa e mbetur e bashkëkombasve nga ana e një populli tjetër, me çka janë kiijuar enklava dhe eksklava etnike. Askund tjetër kjo nuk shihet më qartë se në Bosnje dhe Hercegovinë, e cila edhe pas gjenocidit dhe spastrimeve etnike, prapëseprapë vazhdon të ketë një territor etnikisht heterogjen. Atje, në kushtetutë janë të renditur tre popuj konstituivë: boshnjakët, serbët, dhe kroatët, por realiteti në terren është se të tre palët e mohojnë identitetin e tjetrit! Më saktë, kroatët dhe serbët për boshnjakët thonë se janë kroatë të islamizuar, gjegësisht serbë të islamizuar. Këtij pretendimi boshnjakët i përgjigjen duke thënë se pikërisht kroatët dhe serbët e Bosnjës janë boshnjakë katolikë dhe orthodoksë që kanë rënë viktimë e ndikimit asimilues të Kishës Katolike dhe Kishës Orthodokse Serbe. Si teori alternative, boshnjakët bashkë me kroatët, për serbët e Bosnjes thonë që ata as që janë sllavë por pasardhës të blegtorëve vllehë që në Bosnje i ka vendosur Perandoria Osmane, dhe për shkak se kanë shkuar nëpër kisha serbe, në fund janë shndëruar në serbë.

Shembuj të mohimit të identitetit ka qysh nga koha e Jugosllavisë, në të tre manifestimet e saj (1918, 1929, 1945), por ne do të koncentrohemi vetëm tek e treta: Jugosllavia e Titos. Për shembull, boshnjakët e lartpërmendur, Jugosllavia nuk i ka njohur si të tillë por si “muslimanë”, me çka në një shtet komunist si RSFJ shpesh ka patur raste që dikush të jetë musliman ateist! Popuj tjerë që kanë qenë subjekt i mohimit në varësi nga republika kanë qenë bullgarët dhe shqiptarët. Të parët kanë qenë të pranuar si minoriteti zyrtar në RP dhe RS të Serbisë por jo edhe në RP dhe RS të Maqedonisë. Kurse sa i përket shqiptarëve në Jugosllavi, edhe pse ata ishin më shumë se malazezët dhe maqedonasit, dhe në numër të ngjashëm me sllovenët dhe muslimanët, shqiptarët as ishin të njohur si popull konstituiv e as e kishin republikën e tyre. Por kjo nuk do të thotë se shqiptarët ishin të mohuar si popull, ata prapseprapë ishin të njohur si “kombësi” (“narodnost”). Ajo që ka ndodhur me shqiptarët në Jugosllavi ishte insistimi i shumë qarqeve serbe dhe maqedonase për t’i shkëputur të gjitha lidhjet mes shqiptarëve në Jugosllavi me ata në Shqipëri, dhe në Jugosllavi të krijohet populli “Šiptar” ose “Šiftar”. Për këtë qëllim janë zhvilluar edhe teori raciste për “Šiptar”-ët e egër në Jugosllavi, dhe shqiptarët (“Albanci”) të civilizuar në Shqipëri, stereotipe që kanë mbijetuar sot e kësaj dite në mesin e shumë serbëve dhe maqedonasve! Diçka tjetër që ka mbijetuar nga kohërat e kaluara është edhe mohimi që dikur në Maqedoni kanë jetuar edhe shqiptarë orthodoksë, të cilët pas vitit 1913 gati se edhe te njeriu i fundit e kanë flakur vetidentifikimin si shqiptarë (përmes dhunës dhe propagandës, ndërkaq pas v. 1944 si motivim i kanë patur edhe privilegjet shtetërore). Historia e tyre u aktualizua me daljen publike të Branko Manojllovskit dhe Branisllav Sinadinovskit të cilët i pranuan rrënjët e tyre shqiptare. Edhe pse bëhet fjalë mezi për dy veta (nga mijëra njerëz që as që duan të mendojnë se janë shqiptarë), kjo gjithsesi nuk iu pëlqeu disa qarqeve, prandaj dolën me akuza për profiterizëm nga ana e Manojllovskit dhe Sinadinovskit (që edhe po të ketë diçka të vërtetë këtu, nuk do të thotë domosdoshmërisht që ajo që e thonë ata është gënjeshtër), ose jepnin disa “sqarime” absurde se përse popullsia orthodokse e Rekës dikur në shtëpi kanë folur shqip, edhe pse mjafton të lexohen dhjetëra poezi të rilindasit shqiptar nga Reka e Epërme, Josif Bageri, që të bëhet e qartë se bëhet fjalë për shqiptarë etnikë me gjak të pastërt për nga vetëdija dhe gjuha.

Nga ana tjetër, edhe shqiptarët nuk janë plotësisht të pafajshëm nga ajo shprehi ballkanike e mohimit të identitetit të tjetri (pa prejudikuar për mbështetjen shkencore apo mungesës së mbështetjes shkencore të së njëjtës). Për shembull, shqiptarët për boshnjakët në Sanxhak thonë se në përgjithësi ata janë shqiptarë të asimiluar. Ngjashëm mendojnë që edhe malazezët në fakt janë shqiptarë, ose së paku disa fise të tyre që gjinden tek të dy kombet, siç është rasti me fiset Hoti, Kuçi, Piperi, etj. Kurse sa i përket maqedonasve, nga të gjithë popujt fqinjë të tyre, pikërisht shqiptarët janë ata që më së paku e mohojnë identitetin etnik dhe kombëtar të maqedonasve. E vetmja gjë që ua vret veshin maqedonasve e që vjen nga disa shqiptarë është përdorimi i termit “sllavomaqedonas”. Nuk ka një përgjigje të vetme përse disa shqiptarë e përdorin atë term, disa definitivisht këtë e bëjnë me qëllim për të fyer, por situata është pak më e komplikuar. Më saktë, në një forum onllajn e kam lexuar një përgjigje interesante nga një shqiptar i Shqipërisë. Sipas tij, në Shqipëri termi “sllavomaqedonas” përdoret për tu bërë dallim mes popullsisë sllave të Maqedonisë dhe shqiptarëve të Maqedonisë për të cilët në Shqipëri sot e kësaj dite përdoret emërtimi rajonal “maqedonasë”, i ngjashëm me emërtimin “kosovar” për shqiptarët e Kosovës ose “çam” për shqiptarët e Çamërisë.

Tani të flasim për motivet që çojnë deri te shembujt e tillë të shumtë të mohimit të identitetit të tjetrit. Motivi i parë është thjeshtë provokativ. Për shembull, kur disa grekë shqiptarët muslimanë i quajnë “turkoshqiptarë”, kjo as iu sjellë dobi grekëve e as iu shkakton dëm material shqiptarëve, por kur disa grekë thonë se shqiptarët orthodoksë në Shqipërinë e Jugut në realitet janë grekë, këtu nuk bëhet fjalë thjeshtë për provokim por edhe për pretendime territoriale ndaj Shqipërisë. Dhe pikërisht ambiciet territoriale janë arsyeja e dytë që do ta përmend. Gjegjësisht, përmes mohimit të identitetit të tjetrit vihen themelet e pretendimeve territoriale ndaj një shteti. Në Ballkan shembulli më ekstrem është Serbia e Madhe e Sheshelit, e cila është shtrirë nga Gjevgjelia e deri te linja e famshme Karllovac-Karllobag-Virovitica në Kroaci, pjesërisht e mbështetur nga teoria e tij “të gjithë shtokavasit janë serbë”. Motivi i tretë është që përmes mohimit të identitetit të tjetrit, ose një pjese të identitetit të tij të proklamuar, bëhen përpjekje për tu mbrojtur një pjesë e identitetit vetanak. Shembull i tillë ka qenë mosmarrëveshja për emrin mes Greqisë dhe Maqedonisë (tani e Veriut). Për 2-3 milionë grekë, të qenurit “maqedonas” është është pjesë e identitetit të tyre të fortë rajonal, kurse për Greqinë në tërësi, Maqedonia përfaqëson një brend të fuqishëm të cilin mund t’ia shesin botës. E ngjashme është edhe kundërshtia serbe për gjuhën “bosane” (“bosanski”). Edhe pse populli  e quan veten boshnjakë dhe mbiemri që rrjedh nga ky emër është “bošnjački”, ata prapseprapë insistojnë që gjuhën e tyre në vend se “bošnjački” ta quajnë “bosanski”. Por kjo sjellë deri te një përplasje tjetër qëndrimesh në mes boshnjakëve dhe serbëve, sepse për këto të dytët, mbiemri “bosanski” i përfshinë të gjithë komunitetet në Bosnje, kurse ekzistenca e gjuhës “bosanski” do të thoshte “unitarizim gjuhësor” i Bosnjës dhe Hercegovinës. Prandaj, Serbia nuk pranon gjuhë “bosanski”, ndërsa entiteti Republika Sërpska e njeh si “gjuha e popullit boshnjak”.

Tani shtrohet pyetja se çfarë të bëhet kundër kësaj shprehie ballkanike të mohimit të identitetit të dikujt tjetër? Përgjigja e thjeshtë është asgjë! Përndryshe do të shkonim kundër principeve të lirisë së shprehjes dhe lirisë akademike. Dhe ajo që për njërën palë shihet si mohim i identitetit, për palën tjetër nuk përbën asgjë tjetër pos se tregim i së “vërtetës”. Problemi është se qëndrime të tilla jo gjithmonë mbeten tekst i parandësishëm në ndonjë qoshk të internetit, por mund të bëhen udhëzues i politikave shtetërore që kanë reperkusione konkrete për jetërat e njerëzve. Çfarë të bëjnë popujt që janë viktimë e një trajtimi të këtillë? Disa do të propozonin reciprocitet, por çfarë reciprociteti mund të aplikosh ndaj një shteti që mbanë njërin nga çelësat e Bashkimit Evropian këmbëngulë edhe ti që të hysh? Për shembull, çfarë do të mund të bënte një Shqipëri kundër një kapadaie si Greqia nëse me të vërtetë ata vendosin të kërkojnë nga Shqipëria që përgjithmonë të heq dorë nga çështja e dhimbshme çame, që është turp për një anëtar të BE-së si Greqia? Për gjëra të tilla Bashkimi Evropian duhet drejtpërdrejtë të ndërhyn si ndërmjetësues dhe lehtësues në mosmarrëveshjet e ndryshme në mes shteteve në vend se të qëndrojnë anash përderisa njëra nga palët i mban të gjitha kartat në dorë.

Rilind Dauti

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button