Zaev: Nëse nuk merremi vesh, ta dinë të gjithë se më 21 qershor do të ketë zgjedhje

Nëse nuk ka konsensus rreth datës për zgjedhjet, mbetet që të respektohet kushtetuta dhe ligjet, tha lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, në konferencën e sotme për shtyp, duke shtuar se termini për zgjedhjet është 21 qershori, njofton Portalb.mk.

“Nëse nuk arrijmë që të merremi vesh, nuk është çështje se çfarë kërkojnë partitë politike, çfarë kërkon opozita, por atëherë do të veprojmë sipas Kushtetutës dhe ligjeve. Ne nuk do të lejojmë që të shkelet Kushtetuta dhe ligjet… duhet të merremi vesh, por nëse nuk merremi vesh, ta dinë të gjithë se më 21 qershor do të ketë zgjedhje me 13 lista kandiduese, do të dilet në votim dhe besoj se do të jetë maksimal dalshmëria e votuesve”, tha Zaev.

Pas më shumë se 3 orëve bisedime, krerët e partive politike në vend, dje nuk u morën vesh për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Ky është takimi i dytë që liderët te presidenti Stevo Pendarovski flasin për zgjedhjet.

Në takimin e 12 majit, u vendos që para përcaktimit të datës për mbajtjen e zgjedhjeve, të kërkohet mendim nga Komisioni Shtetërore i Zgjedhjeve, nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse dhe nga Zyra e OSBE/ODIHR.

Anëtarët e KSHZ-së janë dakorduar se të gjitha vendimet që duhet të sillen lidhur me zgjedhjet e parakohshme dhe vazhdim të procesit zgjedhor në kontekst të masave për koronavirusin duhet të jenë në pajtim me Kodin zgjedhor dhe ligjet ekzistuese.

Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, deklaroi javën e kaluar se, Komisioni për Sëmundje Infektive ka përgatitur protokoll për zbatimin e fushatës zgjedhore dhe për ditën e zgjedhjeve. Sipas tij, për fushatën zgjedhore propozohen rregulla për lëvizje, tubimet duhet të zhvillohen duke respektuar distancën fizike prej 1.5 deri në 2 metra, mbajtja e obligueshme e maskës dhe mbulimi i gojës dhe hundës gjatë fushatës në hapësira të mbyllura, ndërsa në hapësira të hapura, kur nuk mund të mbahet distancë fizike.

Kujtojmë se, zgjedhjet e parakohshme parlamentare ishin paraparë që të mbaheshin më 12 prill, por u anuluan për shkak të paraqitjes së koronavirusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button