Përgjigjja ndaj koronavirusit: SHBA i vë ultimatum OBSH-së

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, i dërgoi një letër kreut të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, duke e kërcënuar me pezullim të përhershëm të fondeve amerikane, për shkak të pandemisë së koronavirusit.

Letra përmban një afat prej 30 ditësh për OBSH-në që të angazhohet në “përmirësime thelbësore”; në të kundërtën, siç thuhet, rrezikon të humbë miliona dollarë, ashtu si edhe anëtarësinë e SHBA-së, transmeton REL.

E adresuar te shefi i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, letra kritikon përgjigjen e OBSH-së ndaj koronavirusit, që nga shfaqja e tij në muajin dhjetor.

Aty thuhet se OBSH-ja i ka injoruar raportet e besueshme për përhapjen e virusit në Vuhan të Kinës, në fund të vitit të kaluar, dhe se ka bërë pretendime për koronavirusin që “ishin ose të pasakta, ose mashtruese”.

Trump, muajin e kaluar, i ka pezulluar përkohësisht kontributet e SHBA-së në OBSH, duke e akuzuar atë për njëanshmëri ndaj Kinës.

Zyrtarët e OBSH-së i kanë mohuar akuzat, ndërsa Kina ka thënë se ka qenë ”transparente dhe e hapur”.

Të hënën, OBSH-ja është zotuar se do të bëjë një vlerësim të pavarur të përgjigjes së saj ndaj pandemisë së koronavirusit.

SHBA-ja është vendi më i prekur në botë nga ky virus ngjitës. Mbi 1.5 milion njerëz atje janë infektuar dhe mbi 90,000 kanë humbur jetën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button