Haradinaj sot në takime zyrtare në Tiranë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, do të zhvillojë sot takime zyrtare në Tiranë, në të parën vizitë zyrtare në Shqipëri, pas lirimit si i pafajshëm nga Gjykata e Hagës.

Kjo vizitë e Harajdinajt vjen me ftesë të Kryeministrit Berisha, ndërsa bëhet e ditur se vizita e tij në Tiranë është organizuar sipas një protokolli shtetëror.

Përveç takimeve me Kryeministrin Berisha dhe Presidentin e vendit, Bujar Nishani, Ramush Haradinaj do të zhvillojë një takim dhe me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, dhe po kështu me drejtuesit e tjerë të partive politike në vend.

Gjithashtu, ish-kryeministri Haradinaj do të mbajë edhe një fjalim përpara deputetëve të Parlamentit shqiptar.

Haradinaj do të jetë i shoqëruar nga një delegacion i gjerë, si dhe me nënkryetarët dhe udhëheqësit e tjerë të AAK-së.

Ndërkaq, ndonëse ka vetëm pak ditë që ish Kryeministri është kthyer nga Haga në Kosovë, Haradinaj ka zhvilluar dalje të shumta në publik. Ai po kështu ka ndërmarrë një tur në disa qytete të Kosovës, në kuadër të lajmit të mirë që solli në vend me marrjen e pafajësisë për akuzat e krimeve të luftës.

Pas shpalljes së pafajësisë ndaj tij nga Gjykata e Hagës, më datë 29 nëntor, Ramush Haradinaj u prit në Kosovë me të gjitha nderet, me protokoll shtetëror nga kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj.

Lajme të ngjashme

Back to top button