Kohë dështimesh e dëshpërimesh

Shumica e njerëzve kanë hequr dorë tashmë nga shpresa se do të vijë një ditë që të dalin nga ngushtica ekonomike, sepse e shohin se pas kësaj fatkeqësie shëndetësore mundësitë për punësim për çdo ditë ngushtohen, klasa punëtore është bërë emër kuptimi, ndërsa çmimet sa s’kanë filluar të “kërcejnë”. Dikur njerëzit u besonin fjalëve të miqve ndërkombëtarë të cilët na jepnin gajret dhe kërkonin prej nesh sabrin. Tash sabri u shpenzua bashkë me kursimet e vogla. Miqtë i kanë hallet e veta dhe na kanë harruar. Njerëzit e këtyre hapësirave mbetën të fërgohen në dhjamin e vet, i cili është kah fundi.

Të pambrojtur kemi mbetur në një lëndinë të hapët ku na merr era e na lag shiu. Partitë te të cilat i kemi pasë varur shpresat dikur tash janë të zëna me mosmarrëveshje, si këtu te ne, ashtu edhe në Tiranë e Prishtinë. Dëshirat e njerëzve normalë të këtyre  hapësirave për t’i parë në binarë normalë këto parti po digjen. Gjithë këto vite të kaluara pas rënies së komunizmit, përveç fitores së madhe historike – Pavarësimit të Kosovës, nuk pamë ndonjë fitore tjetër kushedi se çfare. Ndërkaq dështime e dëshpërime – sa të duash. Është e dhembshme ajo që ndodhi në Kosovë kur në kohë të vlimit të pandemisë së kovidit 19 u mbajt mbledhja e Kuvendit me qëllim tinëzar që të rrëzohet qeveria e formuar nga rezultatet e votave. Dhe, këtë akt absurdi e inicioi njëri nga partnerët e koalicionit i udhëhequr nga politikani që kishte poste të rëndësishme edhe në kohën e ish Jugosllavisë. I mësuar të veprojë pas shpine, ai ia doli ta rrëzojë qeverinë te e cila shumica e njerëzve kishin shpresa se më në fund punët do ta marrin të mbarën.

Në Shqipëri meseleja është pak më ndryshe. Atje një herë ndodhi një absurd tjetër. Deputetët e opozitës i dogjën mandatet. Po çudia? Kjo s’ka ndodhur kurrë prej se është shpikur demokracia. E si mund ta djegësh ti besimin e votuesit? Në fakt djegia e mandatit të deputetit është një porosi e shëmtuar përmes të cilës deputeti i drejtohet qytetarit: besimin tënd që ma dhe me votë për t’i mbrojtur interesat e popullit dhe të vendit, unë e dënoj duke e djegur në turrë drurësh, kurse ti popull bën si të dish e si të mundesh. Keq.

Në mungesë të invencës politike, në prehër të mesatares, u krijua rasti i ashtuquajtur “Teatri”. Opozita  e “djegur” në Tiranë sillet tash rreth kësaj ngjarjeje. E mban këtë si strategji “të fshatit të djegur”, që medoemos shpie drejt kah humbja më e madhe politike. Oferta të tjera nuk ka. Nuk mund të prodhojë diçka të hairit thirrja e njerrëzve të rraskapitur ekonomikisht pas fatkeqësisë së tërmetit dhe të kovidit që të marrin udhët e mundimshme të vijnë në Tiranë ose thjeshtë t’i mbushin sheshet për një ndërtesë të amortizuar teatri, historia e të cilit fillon pas luftës së dytë botërore. Nuk ka bërë histori ajo ndërtesë atje, por kanë bërë aktorët të cilët kanë punuar në kushtet mizore të shtetit-parti.

Është interesant se në kohën kur ishte në pushtet kjo opozitë u rrënua kisha ortodokse autoqefale e ngritur me sakrifica të mëdha dhe me gjenialitetin e Nolit, i cili e realizoi ëndrrën e rilindësve për ta futur gjuhën tonë në shkolla, kisha dhe në të gjitha institucionet tjera. Atëherë çelësat e kishës iu dorëzuan autoriteteve të Greqisë ku kisha nuk është e ndarë nga shteti. Askujt atëherë nuk i shkoi ndërmend të protestonte se kështu në fakt shteti grek e fuste një çizme të veten brenda Shqipërisë. Nuk protestojnë këta burra kur mediat poe zvetnojnë gjuhën shqipe, kur nuk gjen vend nëpër planet e programet shkollore asnjë shkrimtar shqiptar nga viset e mbetura jashtë kufijve ose të një autori arbëresh. Nuk protestojnë që shteti nuk krijon kushte të shkruhet drama shqipe. Nuk protestojnë kur hajlazë e banditë të ndryshëm e mbushin Akademinë Mbretërore të Shkencave e të Arteve me letra të ndyta me të cilat vazhdimisht kërkojnë që Kadaresë mos t’i jepet Çmimi Nobel. Për këto gjera opozita hesht.  Hesht edhe për shumicën e shqiptarëve që heqin të zitë e ullirit jashtë kufijve të Shqipërisë, kudo që janë ata. Për këto çështje nuk ka as zë as protestë.

Partitë politike shqiptare në Maqedoni  nuk “i gjetën” ato gjera që janë të paprekshme për ne dhe kur të rrezikohen ato – të flasin me një zë. Dhe, nuk po kuptohet se nuk është me rëndësi ta ruajsh pozitën që sjell levërdi, po me rëndësi është të bësh vepra si Likurgu, Soloni, Pitaku e Perikliu.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button