Toki Pona – një gjuhë interesante!

Shumica nga kureshtarët do të donin të dinin, se athua vallë mund të përvetësohet një gjuhë e huaj vetëm për një muaj.

Anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja, italishtja,…,arabishtja, të cilat janë të pranishme nëpër shkolla, me siguri nuk mund të mësohen për një afat shumë të shkurtër.

Anglishtja ka me tepër se 170.000 fjalë bazë, italishtja më shumë se 20.0000, gjermanishtja e frëngjishtja më shumë se 130.000,…, arabishtja mbi 120.000, e kështu me radhë.

Një folës i gjuhës amtare gjatë të shkruarit dhe të folurit përdorë përafërsisht 1200 fjalë. Kaq shumë fjalë nuk mund të mësohen për një ditë, mbase edhe për një muaj! Të mësuarit e gjuhëve është një proces i vështirë!

Mirëpo mundet ndryshe, thotë gjuhëtarja dhe përkthyesja kanadeze Sonja Lang! Ajo nervozohej me atë se shumë gjuhë janë të komplikuara sa që nuk mund të mësohen, dhe thjeshtë ka shpikur një gjuhë të re, të cilën, në vitin 2001, e ka prezantuar në internet me emrin: Toki Pona.

Toki Pona është një gjuhë e ndërtuar në mënyrë artistiko-filozofike, e njohur për fjalorin e saj të vogël dhe tepër të thjeshtë. Është krijuar, me qëllim të thjeshtësimit të mendimeve dhe të komunikimit. Në fillim është publikuar si një doracak, dhe më vonë, në vitin 2014, në formë të librit, me emrin: Toki Pona – “Gjuhë e mirë” ose “Gjuhë e thjeshtë“. (Toki = gjuhë, bisedë,  Pona – mirë, thjeshtë).

Fjalët e Toki Pona-s vijnë nga gjuhë të ndryshme, duke përfshirë: anglishten, frengjishten kanadeze, japonishten, finlandishten, hollandishten, kroatishten, gjeorgjishten, pjesë të  kinezishtes, esperanton, dhe disa gjuhë të tjera.

Gjuha në fillim kishte një komunitet të vogël folësish, mirëpo pas botimit të librit zyrtar komuniteti u rrit dhe po vazhdon të rritet. Aktiviteti zhvillohet kryesisht në internet, në dhomat e bisedave (Chat), në mediat sociale dhe në grupe të tjera.

Veçoria  themelore e Toki Pona-s është minimalizmi.Ajo përqendrohet në koncepte të thjeshta universale, duke përdorur shumë pak shprehje. Gjuha është e kufizuar dhe ka 123 fjalë bazë dhe 14 fonema, të cilat nuk e ndryshojnë formën e tyre dhe  mund të shqiptohen lehtë në gjuhë të ndryshme. Në teori, fjalët bazë mund të kombinohen së bashku për të formuar mbi 470,000 fjalë të përbëra. Shumica e fjalëve kanë disa kuptime dhe konteksti ndihmon për të përcaktuar se cili kuptim i veçantë është menduar.

Sidoqoftë, nuk u krijua për të qenë një gjuhë ndërkombëtare ndihmëse. Gjuha,  e frymëzuar nga filozofia taoiste (filozofi kineze), është krijuar për të ndihmuar përdoruesit që të përqëndrohen në gjërat themelore dhe të promovojnë të menduarit pozitiv, në përputhje me hipotezën e Sapir-Whorf-it (Formimi i gjuhës të së menduarit). Megjithatë folësit janë në gjendje që të kuptojnë fjalorin e vogël dhe të komunikojnë me njëri-tjetrin, kryesisht për të shprehur mendime, sa më shumë që të jetë e mundur, me relativisht pak tinguj dhe fjalë.

Më tepër se njëqind njerëz e flasin rrjedhshëm Toki Pona-n, ndërsa  edhe disa qindra të tjerë kanë shumë njohuri për gjuhën!

Gjuha në fjalë  nuk e është e përshtatshme për të shkruar romane apo tema tepër të vështira, sepse për ata duhet një fjalor i bollshëm dhe forma të duhura gramatikore, por është idale për ti kuptuar situatat e përditshme.

Edhepse Toki Pona mund të mësohet shumë shpejt dhe me pak mund, mbetet edhe më tej një gjuhe e fshehtë, por e cila do të ndryshojë shumë shpejtë dhe do të ketë një të ardhme tepër të ndritur.

Si përfundim duhet përgëzuar gjuhëtaren Sonja Lang, e cila i mbetet besnike fjalës latine, “ACTA NON VERBA”!

Afrim Ramadani

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button