Burgjet, njolla e zezë e Maqedonisë (FOTO)

Disa çaste të nevojiten për t’u tmerruar nga kushtet e burgjeve të Maqedonisë. Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe nga Komiteti për preventivë të dhunës ndaj njerëzve alarmojnë për kushtet jo-njerëzore të burgjeve të vendit dhe kërkojnë nga institucionet përkatëse të përmirësojnë gjendjen e tyre.

Për Portalb, përfaqësuesi i Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Republikën e Maqedonisë Voislav Stojanovski tha se kushtet në burgjet e vendit janë nën çdo standard evropian .

“Kushtet në burgjet e vendit tonë janë nën të gjitha standardeve Evropiane dhe këtë e vërtetojnë vizitat e rregullta të komitetit për preventivë të torturave. Komiteti zakonisht në vendet evropiane bën vizitë burgjeve çdo 3 apo 4 vite, mirëpo këtu tek ne atë e bëjnë çdo vit. Që do të thotë se kushtet këtu janë katastrofale”, tha Stojanovski.

Ai po ashtu potencoi se burgu më i madh i vendit në Shkup , burgu i Idrizovës është në gjendje shqetësuese dhe se nga organizmat e ndryshëm është kërkuar përmirësimi dhe mbyllja e disa pjesëve të burgut.

“Kushtet në Idrizovë janë skajshmërish të këqija ku para dy viteve nga Komiteti për preventivë të torturave është kërkuar të mbyllet një krah i burgut. Ajo është se në atë pjesë gjegjësisht në krahun B, ku në korridoret mund të shiheshin fekale, dritare të thyera, ushqimi  i papastër ku ka pasur të regjistruara helmime, lagështi , dyshekët e fjetjes të stërmbushura me insekte e kështu me radhë”, shtoi ai.

Po ashtu tha se në burgjet e vendit tonë ka shumë raste në të cilat shtrohen tortura mbi gjykuarit dhe se të gjykuarit nuk janë të mbrojtur edhe në këtë aspekt.

Se si ndihen dhe çfarë përjetojnë të burgosurit, për Portalb foli edhe një ish i burgosur H. Amidi në burgun e Shutkës në Shkup. Ai tha se kushtet në atë burg janë thuajse jo njerëzore, ndërsa aty ka njerëz të cilët vuajnë dënimin me periudha afatgjate.

“Kushtet në burgun e Shutkës janë nën normale nëse shikohet se njerëzit praktikisht jetojnë kohë të gjatë. Ushqimi nuk është i pastër dhe higjiena është nën nivel , ndërsa qelitë dhe vendet e fjetjes janë të papastra” tha Amidi.

Ai më tej tha se periudha e dimrit është më e keqja në atë burg sepse nuk ka ngrohje madje edhe rryma u ndalet pas orës 20.

“Gjatë stinës së dimrit jo që nuk ka ngrohje, mirëpo nuk ka edhe dritare. Dritaret janë të thyera, dhe jemi të detyruar që të flemë me rroba madje edhe me pallto. Rryma elektrike ndalet nëpër qeli nuk kemi as dritë e as ngrohje, ndërsa gjatë stinës së verës nxehtësia nëpër qelitë arrin ndoshta mbi 40 gradë”, shtoi ai.

Nga Komiteti i Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut thanë se përveç kushteve të këqija, të gjykuarit vuajnë edhe nga probleme tjera si korrupsioni , ku shumica e të burgosurve jetojnë në kushte të këqija, ndërsa pakica kanë qasje në gjithçka./Portalb

Lajme të ngjashme

Back to top button