Komunat në Maqedoninë e Veriut nuk kanë mekanizma të posaçëm për parandalim të korrupsionit

Komunat në të shumtën e rasteve nuk kanë zhvilluar praktika dhe mekanizma të posaçëm për parandalim të korrupsionit. Vetëdija për korrupsionin dhe veçanërisht për konflikt të interesave është në nivel shumë të ulët, kurse përpjekjet në drejtim të parandalimit të korrupsionit dhe konfliktit të interesave ende janë vetëm deklarative, thuhet në hulumtimin e OJQ Infoqendra, në kuadër të projektit “Reflektor mbi praktikat e antikorrupsionit në nivel lokal”, transmeton Portalb.mk.

“Ka komuna të cilat edhe nuk e dinë që kanë miratuar dokumente antikorrupsioni, si dhe komuna të cilat kanë dhe praktikojnë rregulla të caktuara antikorrupsioni, mirëpo nuk i identifikojnë si të tilla. Me sa duket nevojitet edhe edukim masiv në nivel lokal për standardet etike, si dhe për identifikim, kontrollim dhe menaxhim me konfliktin e interesave dhe për parandalim të korrupsionit”, theksohet në komunikatën e OJQ-së Infoqendra.

Hulumtimi i ka përfshirë të gjitha komunat, si dhe Qytetin e Shkupit, ndërsa përgjigje dhe dokumente kanë parashtruar gjithsej 68 prej tyre, përkatësisht 84 përqind nga numri i përgjithshëm në shtet.

Një nga rezultatet më shqetësuese është që madje 70 përqind prej komunave nuk kanë asnjë dokument për antikorrupsion. Në shumicën e komunave, këto dokumente janë me datë prej 6 deri 12 vite dhe nuk janë reviduar. Në asnjë komunë e cila ka dhënë përgjigje nuk është denoncuar korrupsion në dy vitet e fundit, theksojnë nga OJQ-ja Infoqendra.

Vetëm katër janë përgjigjur që kanë ndonjë mekanizëm konkret për denoncim të korrupsionit dhe vetëm katër komuna kanë thënë që në dy vitet e fundit kanë pasur raste denoncimi për ekzistencë të konfliktit të interesave. Vetëm një komunë ka përmendur që në dy vitet e fundit ka realizuar trajnime për integritet ose për parandalim të korrupsionit për funksionarët ose për administratën.

“Masa prioritare të cilat u rekomandohen komunave janë: përpunim, miratim dhe publikim i deklaratës kundër korrupsionit dhe konfliktit të interesave në komunë; vendosje mekanizmi (sistem) për paraqitje të parregullsive dhe dyshime për mashtrime ose korrupsion; përcaktim, autorizim dhe publikim të personit për veprim për parregullsi dhe dyshime për mashtrime ose korrupsion; autorizim të personit për ndërmjetësim me informata, si dhe për mënyrën e qasjes tek informatat me karakter publik e tjera”, qëndron në atë hulumtim.

Masat afatshkurta kanë të bëjnë me të gjithë ata mekanizma që duhet t’i inkorporojnë dhe praktikojnë komunat, mirëpo për të cilat nevojiten përgatitje ose më tepër kohë dhe mjete për përpunimin e tyre dhe futjen në funksion. Masat afatshkurta kanë të bëjnë me format dhe mekanizmat më të ndërlikuar të antikorrupsionit dhe për integritet, për të cilat janë të domosdoshme më shumë përgatitje, mjete dhe kohë për përpunim dhe aplikim.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button