“Fundjavë pa TVSH” kah fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit

Në dy deri tre javët e ardhshme do të dihet e gjithë procedura e aplikimit për pakon më të re ekonomike e treta me radhë të cilën dje e prezantoi Qeveria. Këshilltari ekonomik në Qeveri, Fatmir Bytyqi sot deklaroi se aplikimi do të jetë i thjeshtë pa shumë procedura administrative.

“Mënyra e aplikimit do të jetë e thjeshtë, por në këtë periudhë prej dy javëve të gjitha hollësitë do të precizohen”, theksoi Bytyqi në konferencën e sotme për media në Qeveri.

Në këtë periudhë do të kontaktohen qytetarët të cilët i plotësojnë kriteret për shfrytëzimin e kartelave dhe vauçerëve pagesorë.

“Do të ketë komunikim të dyanshëm. Qeveria tashmë ndërmerr iniciativë të filtrimit të listave sipas kritereve të cilat ishin thënë dje, por do të ketë edhe proces të prononcimit të qytetarëve se a i pranojnë masat eventuale. Në periudhën e ardhshme, jo më shumë se tri javë, do të ketë thirrje deri te të gjithë qytetarët veçanërisht për dy pakot e para të shtyllës së parë për kartelat dhe vauçerët pagesorë”, tha Bytyqi.

Porositi se nuk do të krijohen masa me të cilat do të rrezikohet shëndeti i qytetarëve, duke theksuar se masa “Fundjavë pa TVSH” është planifikuar që të realizohet kah fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit kur pritet ulja e intensitetit të virusit. Potencoi se nëse edhe në këtë periudhë ka rekomandime për mosgrupim të qytetarëve, atëherë do të shqyrtohet opsioni kur do të jetë momenti më i favorshëm për realizimin e saj, transmeton MIA.

“Kjo është masë e cila është paraparë që të realizohet kah fundi i gushtit dhe fillimi i shtatorit kur presim efektet nga virusi korona të qetësohen dhe do të krijohen kushte për funksionim të pandërprerë të shoqërisë. Në këtë kuptim nuk vlerësojmë se grupimi eventual i njerëzve do të shkaktojë valë të efekteve negative. Nëse në atë periudhë ka rekomandime për mosgrupim, atëherë do të shihet se kur do të jetë momenti më i favorshëm që të zbatohet”, potencoi Bytyqi.

Sqaroi se vetëm shfrytëzuesit e aplikacionit “TVSH-ja Ime” do të mund të marrin pjesë dhe vetëm produktet të cilat do të shiten atë ditë, ndërsa për të cilat do të ketë llogari fiskale.

Sa i përket vauçerëve për pushim prej 6.000 denarë dhe kartelë pagesore prej 3.000 denarë, Bytyqi sqaroi se qëllimi është që t’iu ndihmohet edhe qytetarëve edhe turizmit vendor.

Për kartelën pagesore për blerje të shërbimeve dhe produkteve nga Maqedonia e Veriut, Bytyqi tha se po shqyrtohen vendimet teknike për atë se a do të munden përmes softuerit të njihen këto produkte dhe në postterminal të veçantë të paguhen.

“Në momentin kur qytetarët do t’i marrin kartelat, do të njoftohen në mënyrë plotësuese. Dëshirojmë të mundësojmë që mjetet të cilat i japim ta nxisin ekonominë në vend e cila është më e prekura dhe njëherë e përgjithmonë t’i kthehemi ekonomisë vendore”, tha Bytyqi.

Sipas tij, nuk qëndrojnë akuzat e VMRO-DPMNE opozitare se ekonomia është lënë pa ndihmë sepse tashmë po zbatohen dy pakot me të cilat direkt ndihmohen kompanitë dhe të cilat do të vazhdojnë edhe në muajt e ardhshëm, ndërsa tani shtohen edhe masat nga pakoja e tretë.

Efektet e pakos së tretë të masave ekonomike, sipas Bytyqit janë më dimensionale dhe rezultatet do të nënkuptojnë zgjidhje sistematike. Qëllimi është të ringjallet ekonomia vendore, të transformohet dhe modernizohet veprimtaria ekonomike për të krijuar kushte për rritje ekonomike. Mbështetje e drejtpërdrejtë financiare me një rritje të pagës 20 përqind në dy muaj do t’u jepet gjithashtu punonjësve të kujdesit shëndetësor nga departamentet e sëmundjeve infektive dhe qendrat e shëndetit publik, të cilët kanë qenë më të ekspozuar ndaj virusit korona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button