Shqipëri, u regjistrua numri më i ulët i rasteve që nga fillimi i pandemisë COVID-19

Në Shqipëri sot është shënuar numri më i ulët ditor i të prekurve me koronavirusin e ri (COVID-19) që nga fillimi i pandemisë, me vetëm 2 raste të konfirmuara, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 168 qytetarë të dyshuar si të prekur me COVID-19 dhe kanë rezultuar pozitivë 2 qytetarë, në Qarkun Durrës, ndërsa të shëruar janë edhe 12 qytetarë, ka njoftuar Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.

Sipas ministrisë, deri më sot janë konfirmuar pozitivë me COVID-19 në të gjithë vendin 948 qytetarë dhe aktualisht janë 190 persona aktivë me koronavirus, kryesisht në Tiranë, Durrës, Krujë, Shkodër.

“Në vend vazhdon prezenca e rasteve sporadike, prezenca e vatrave dhe nuk vërehet qarkullim i dendur në popullatë. Situata epidemiologjike në vend paraqitet e qëndrueshme, mbështetur në identifikimin e rasteve të reja, hetimin aktiv të tyre dhe numrin e pacientëve që po trajtohen në spital. Sot është dita me numrin më të ulët të rasteve pozitive të konfirmuara, që nga fillimi i pandemisë”, thuhet në njoftim.

Deri tani në Shqipëri janë kryer 12.722 testime dhe janë shëruar 727 pacientë, ndërkohë gjithsej 31 persona kanë humbur jetën nga COVID-19.

Për shkak të COVID-19 në Shqipëri është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore, ndërsa vazhdojnë masat si ndalimi i hyrjeve me vendet fqinje për udhëtarët, pezullimi i fluturimeve, pezullimi i transportit urban dhe kufizimi i lëvizjes së qytetarëve në disa qytete.

Prej disa javësh ka filluar zbatimi i strategjisë së rihapjes dhe lehtësimit të masave për qytetarët dhe bizneset. Duke filluar nga sot, do të ketë një hapje të pjesshme të gjimnazeve vetëm për maturantët, të cilët do të zhvillojnë lëndët që janë provime kombëtare të maturës.

Gjithashtu nga sot janë hequr kufizimet e lëvizjes në disa qytete, janë hapur baret dhe restorantet vetëm në ambiente të hapura dhe janë hapur muzetë, bibliotekat dhe arkivat, si dhe lejohen stërvitjet e sportistëve në ambiente të hapura.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button