Sociologji historie: si e perceptojnë serbët të kaluarën?

Historia është shkencë për çështjet e përgjithshme, por me përgjigje parciale-lokale; është narratologji e individit si pjesë ontologjike e botës sociale (Sammut, 2015) dhe grupit, është proces i krijimit të miteve kolektive lidhur me të kaluarën. Në këtë kontekst, nuk mund të bëhet një gjeneralizim valid në këtë fushë. (Levi 2014) Vepra Socijalne reprezentacije istorije (Përfaqësimet sociale të historisë, 2018) e profesorit Nebojsha Petroviq, në të cilën përpunohet historia si një jehonë emocionale, si magister vitae, vetëperceptimi dhe perceptimi i tjetrit, përbën një kontribut të rëndësishëm në sferën e psikologjisë sociale dhe sociologjisë së historisë në të gjitha trojet e ish-Jugosllavisë. Libri në fjalë merret me të kaluarën e konstruktuar, të kombinuar me perceptimin në kohën aktuale, në shekullin XXI, madje edhe me futurizëm social (agjenda 2050).

Kjo vepër fokuson përfaqësimet e kundërshtuara historike që janë struktura konjitive, skema objektesh, njerëzish dhe ngjarjesh që përcaktojnë mënyrën se si ne i pranojmë dhe interpretrojmë të gjitha informacionet e kaluara, që krijojnë solidaritet horizontal mes anëtarëve të tashëm dhe vertikal mes anëtarëve të kaluar dhe të ardhshëm të grupit, mes paraardhësve dhe pasardhësve. (f. 28)

Narracioni është baza e socializimit, mjet për internalizimin e vlerave, element që e motivon politikën e kujtimit, mjet që mund të shpie në pasoja katastrofike siç janë luftërat. Në këtë kontekst mund të përmenden konfliktet në hapësirat e ish-Jugosllavisë, ku në veprim kanë qenë identitetet vrastare (Maluf) të ringjallura nga përfaqësimet historike.

Petroviqi e përpunon edhe aspektin aksiologjik dhe etik të krijimit apo ndërtimit të identitetit. Sipas tij, vlerat, që internalizohen përmes letërsisë, këngëve dhe mediumeve gjenerojnë produkte kulturore, krenari kombëtare, ideologjizim, vetëviktimizim dhe për pasojë, konflikte me të tjerët si emocione intensive dhe ngjarje traumatike. Sipas tij, njerëzit veprojnë në bazë të tapive (charters), që janë shumë më tepër se sa një përmbledhje e përfaqësimeve dhe kujtimit kolektiv. Në bazë të tyre ne bëjmë klasifikim, vlerësim të ngjarjeve, të njerëzve, objekteve, sjelljeve. (f. 17)

Në pjesën empirike të kësaj vepre janë përpunuar rezultatet nga hulumtimi  me përgjigjës nga nëntë vende europiane, ku theksi kryesor vihet mbi qytetarët e Serbisë (thuajse gjysma studentë të historisë), në lidhje me qëndrimet rreth disa ngjarjeve madhore si Lufta e Parë dhe e Dytë Botërore. Në këtë drejtim konstatohet se ekziston një etnocentrizëm dhe resentiment negativ në perceptimin e aktorëve të luftës: shtetet e tjera dhe luftëtarët e tyre (kategoria III) janë vlerësuar shumë negativisht, kurse luftëtarët dhe udhëheqësit luftarakë serbë (kategoria II) janë vlerësuar shumë pozitivisht.

Është interesant fakti se këto perceptime negative dhe romantizime të së kaluarës janë shprehur tek të rinjtë, tek njerëzit më të arsimuar, tek studentët e shkencave humanitare. Historianët (studentët e historisë) janë glorifikuesit më të mëdhenj të kombit dhe të historisë, kategoria më e ideologjizuar (si fajtorë të Luftës së Parë Botërore i shohin vetëm shtetet e huaja). (f. 67) Ushtarët serbë të LPB i shohin me mahnitje, krenari dhe falënderim, i konsiderojnë patriotë, heronj dhe viktima.

Sa i përket triadës konjicioni social-skema morale-LDB janë shfrytëzuar gjashtë kategori prej të cilave tri janë më të rëndësishme (“heronjtë”, “kriminelët” dhe “viktimat”). Rezultatet e hulumtimit tregojnë se gjermanët perceptohen si kriminelë, amerikanët si heronj, kurse polakët si viktima. Analizat e self concept-it flasin se Serbia veten në mënyrë primare e sheh si viktimë dhe si hero. Shumë me vlerë janë të dhënat sipas të cilave gjermanët e shohin veten si negativë të LDB-së (vetëvlerësimi: hero 1.61, kriminel 4.03). Trendi tjetër te respondentët serbë është rusofilia e lartë (roli i heroit më shumë i ka hije BRSS-së gjegjësisht Rusisë, 4.03), katarzisi dhe moralizimi i personit të Drazha Mihailloviqit (viktimë 3.30, hero 3.13 dhe kriminel 2.03) dhe lëvizjes çetnike. (f. 94)  Marrë në përgjithësi konstatohet se historianët janë më radikalë dhe më ekstremë se sa mainstream-i shoqëror, më të gatshmit për të marrë pjesë në një luftë të mundshme të së ardhmes.

Kapitulli me titullin “Trajektorja e historisë europiane të shek. XX” (duhet shtuar edhe atë XXI) shfrytëzon instrumentet e psikologjisë narrative për evaluimin e periudhës historike 150-vjeçare, 1900-2050, gjegjësisht kthimin në të kaluarën, si dhe perceptimet futuriste. Ndarë në dekada, serbët më pozitivisht i  perceptojnë vitet 1970 (muzika e mirë, ngritja ekonomike, Tito, thaçerizmi…). Asociacionet lidhur me frymën e kohës së ardhshme, dhjetë vitet e ardhshme,  shënojnë shpërbërjen e mundshme të BE-së, luftën në Kosovë, luftën me myslimanët, përleshjen e Perëndimit me koalicionin Rusi-Kinë, Luftën e Tretë Botërore, krizën ekonomike etj. (f. 100) Evidente është fotografia shumë pesimiste për dekadën në të cilën respondentët duhet të formojnë familje, të kenë fëmijë, të nisin karriera, të udhëtojnë dhe të shoqërohen, të ndjekin ngjarje kulturore. Në atë periudhë serbët e rinj para së gjithash shohin konflikte, madje edhe katastrofa.

Autori konstaton se historia është materie proaktive, se ajo shpesh e përcakton edhe të tashmen (p.sh. beteja te Hastingsi 1066 është reflektuar në ndeshjen e futbollit Francë-Angli të para disa viteve). Historisë nganjëherë i përshkruhet fundi apo kulminacioni (Hegel, Fukuyama), kurse ajo vazhdon të  krijohet, e kreatorë jemi të gjithë ne, që më shpesh e prodhojmë më tepër sesa që mund ta konsumojmë, në veçanti në Ballkan ku identitetet dhe nacionalizmi janë hiperaktivë.

Petroviq sugjeron që të kihet kujdes në plan-programet shkollore, në temat që trajtohen, të eliminohen ngjyrimet ideologjike të tyre, narrativat konfliktualë; ai thekson nevojën për deideologjizim të arsimit dhe historisë, për balancim të narrativave zyrtarë. Në këtë drejtim ai ka intervistuar 100 mësimdhënës rreth temave senzitive (Gavrilo Principi, partizanët-çetnikët, shkatërrimi i Jugosllavisë, fetë-multikulturalizmi). Ky studim duhet të aplikohet edhe në vendet fqinje në mënyrë që të prodhohen të dhëna komparative, fotografi më e qartë për perceptimin e vetes dhe tjetrit. Shkenca është një instrument shumë i rëndësishëm në ndërtimin e një botëkuptimi tolerant që do ta shmangte përsëritjen e historisë së shek. XX, që mund ta shfrytëzojmë në formësimin e raporteve ndëretnike dhe ndërkombëtare, në ndërtimin e të ardhmes tonë pozitive si racë njerëzore.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button