Në Merdar e Jarinjë sot nis zbatimi i IBM-së

Kosova dhe Serbia kanë bërë përgatitjet e duhura për të filluar zbatimin e Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit.

Jetësimi i marrëveshjes së arritur më herët mes të dyja vendeve do të nisë të hënën në pikat kufitare në Merdar dhe në Jarinjë, ndërkaq nga 31 dhjetori edhe në Bërnjak dhe te Dheu i Bardhë.

Ministri i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Bajram Rexhepi, ka thënë të dielën për gazetën “Koha Ditore” se plani është që zbatimi i marrëveshjes në Merdar dhe në Jarinjë të nisë nga e hëna (sot) nga ora 8:00 (tetë) e mëngjesit.

“Në Merdar janë bërë të gjitha përgatitjet nga ana jonë dhe do të fillojë, ndërsa në Jarinjë ka ngecje në atë pjesën teknike, meqë serbët nuk i kanë kryer krejt përgatitjet dhe nesër grupi implementues e sheh gjendjen dhe do të tregojë se a ka kushte apo duhet pritur për më vonë”, ka thënë ai. “Në Bërnjak dhe te Dheu i Bardhë do të fillojë më 31 dhjetor”, ka shtuar ai.

Rexhepi ka thënë se marrëveshja e arritur për IBM-në duhet të zbatohet nga të dyja vendet dhe se nuk ka asnjë alternativë tjetër.

“Mund të ketë pengesa në veri, çka ne jemi të gjithë të vetëdijshëm, por kjo është vendosmëri edhe e Komisionit Evropian, edhe e Kosovës e Serbisë, dhe kjo s’ka alternativë”, ka thënë ai. “Kjo duhet të zbatohet”.

Që zbatimi i IBM-së do të nisë edhe në Jarinjë që nga e hëna e kanë thënë edhe zyrtarët serbë.

Shefi i ekipit negociator të Beogradit në dialogun teknik me Prishtinën, Dejan Pavicevic, ka thënë se në Jarinjë, ku punët në ndërtimin e infrastrukturës përkundër motit të keq kanë vazhduar edhe të dielën, do të nisë së zbatuari IBM-ja që nga dita e hënë.

Ai, pas vizitës që i bëri vendkalimit në Jarinjë, tha se të hënën në orën 8:00 do të kalojë automjeti i parë dhe personi i parë sipas sistemit të ri, duke shtuar se mund të jetë ai që do të kalojë sipas regjimit të ri.

Pavicevic ka thënë për mediat serbe se në mes të, siç e ka quajtur, “linjës së tashme administrative dhe menaxhimit të integruar, nuk do të ketë dallime drastike”, për të shtuar se qytetarët do të kalojnë nëpër vendkalime vetëm me letërnjoftime./portalb/

Lajme të ngjashme

Back to top button